Trumpi i gatshëm për bisedime me Iranin por nuk e përjashton aksionin ushtarak

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se ishte i gatshëm të bisedonte me presidentin iranian, Hassan Rouhani, por se gjithnjë ekziston mundësia e një aksioni ushtarak të SHBA-së kundër Republikës Islamike, transmeton REL.

“Ata ishin kombi terrorist numër një në botë në kohën kur fillova mandatin dhe ndoshta janë edhe sot”, tha Trump për kanalin televiziv britanik ITV.

Kur u pyet nëse ai mendonte se do të duhej të merrte masa ushtarake kundër Iranit, presidenti Trump tha: “Ka gjithmonë mundësi. Nuk do të preferoja diçka të tillë por gjithmonë ekziston mundësia”.

Shtetet e Bashkuara kanë rritur praninë ushtarake në Lindjen e Mesme për shkak të, siç kanë thënë, kërcënimeve të Iranit.

SHBA-ja ka shtuar sanksionet ndaj Iranit dhe është tërhequr nga një marrëveshje që e kishin arritur pesë fuqitë botërore dhe Irani në vitin 2015.

Uashingtoni e sheh Iranin si sponsorizues kryesor të terrorizmit në rajon si dhe vend që po punon fshehtas në një program bërthamor.

Ditë më parë presidenti i Iranit, Hassan Rouhani tha se Teherani nuk do të dorëzohet ndaj presionit të Shteteve të Bashkuara dhe nuk do të heq dorë nga qëllimet e tij edhe nëse do të bombardohet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button