Libri si armik i njeriut

Në shkollë na kanë mësuar se libri është shoku më i mirë i jetës. Na kanë thënë, me besim të patundur, se çdo libër është i vlefshëm. Thëniet shumëfishohen si të vërteta absolute. Njerëzit kur mendojnë pak, atëherë dyshojnë pak dhe besojnë shumë. Nëpërmjet dyshimit mund ta dëshmoj se ka libra që janë shok i keq i njeriut. Ka edhe libra të mirë që keqpërdoren për qëllime djallëzore. Ka libra që (ri)botohen me tirazh marramendës, sepse, nëpërmjet tyre, përfitojnë elitat e ndryshme politike.

Unë kam lexuar shumë libra të këtillë. Jo për kënaqësi. Librat e këtillë nuk të krijojnë kënaqësi estetike. I tillë është “Libri mbi Milutinin”, i mbushur me helm shovinist. Ky libër është botuar shumë herë dhe me tirazh marramendës, ashtu sikurse libri “Thika” i Vuk Drashkoviqit.
Sot libra të mbushur me urrejtje shkruajnë ushtarakët e akuzuar për krime kundër njerëzimit. Librat e tyre promovohen në çdo panair libri. Autorët i qelbin ekranet televizive jo vetëm në Serbi, por edhe në Maqedoninë e Veriut, pa shprehur ndonjë shenjë respekti apo pendese për viktimat e tyre. Kriminelët, madje, flasin kundër krimeve!

2. Unë mund ta dëshmoj se djalli flet me gjuhën e intelektualëve, poetëve, shkrimtarëve, historianëve, akademikëve, shkencëtarëve, gazetarëve.
“Unë nuk jam monstrum. Jam shkrimtar”. Këtë fjali e ka thënë një monstrum, i cili ka botuar libra me poezi.  Monstrumi i quajtur Radovan Karaxhiq është fajtor për vrasjen e mijëra njerëzve të pafajshëm. Ku është shkrimtari te ky monstrum? Më saktë ku është njeriu? Le ta dëgjojmë çfarë thotë poeti Jevrem Brkoviq në poezinë “Sarajeva digjet”, pikërisht për këtë monstrum: “Djegin zjarrëvënësit Sarajevën / Digjet qielli mbi qytet / Gjithë akrepat janë ndalur / Veç orë e ferrit po troket. / Netët po përgjakin ditët, / Agu vjen me pamje të trishtë. / Ç’bën o gjaksori Radovan?/ A ke shpirt, o Karaxhiq?”

3. Ndodh që veprat letrare të keqpërdoren. Historia njeh shumë raste. Le të japim një shembull: njëfarë Milan Lukiqi, një gjysmë analfabet nga Vishegradi, i dënuar me burg të përjetshëm si kriminel lufte (vetëm në një shtëpi kishte djegur 72 fëmijë, gra e pleq), gjatë mbrojtjes në Hagë i kërkoi gjykatësit që t’i lexonte librat e Andriqit, sepse, sipas mendjes së tij të errët, gjykatësi do ta kuptonte të drejtën e tij për hakmarrje ndaj boshnjakëve.
Librave letrarë të Andriqit nuk mund t’u mohohet vlera letrare, ndonëse autori ka biografi të errët si diplomat. Ai kërkoi dëbimin e shqiptarëve prej tokave të tyre.
Gjysmë analfabetin e kishin mësuar se kështu duhej t’i përligjte krimet. “Babai i kombit”, Dobrica Qosiqi, e përligjte krimin ndaj popullatës jo serbe. Pa pikën e humanizmit. Pa pikën e turpit. Dhe i thoshte vetes shkrimtar!

4. Unë mund të dëshmoj se elitat kulturore mund të jenë të dëmshme, më saktë, të rrezikshme ose kriminale. Ato mund të bëhen frymëzuese të kriminelëve të luftës. Këtë e dëshmojnë luftërat në Jugosllavinë e dikurshme, që, siç thuhet, ishin “përgatitur me mjete gjuhësore”. Elitat kulturore dinë t’i ushqejnë popujt e tyre me gënjeshtra dhe me mite. Dinë t’u këndojnë edhe kriminelëve.
Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë dhe Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve u bënë frymëzues të kriminelëve të luftës. Prej gojës së shkrimtarëve, studiuesve, historianëve, gazetarëve, priftërinjve serbë, u thanë fjalët më të pista kundër kombeve të tjerë. Fantazia shoviniste prodhoi krime kundër njerëzimit, prodhoi akte gjenocidale, varre masive, kampe përqendrimi, dhunime në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë.
Elita kulturore e kishte riafirmuar idenë për Serbinë e Madhe para se Millosheviqi të shfaqej në skenën politike, më 1987. Këta shkrimtarë filluan t’i quanin serbët “racë hyjnore”, “racë superiore”, “popull i zgjedhur”. Folën për viktimizimin e serbëve përgjatë historisë. Duke e krijuar ndjenjën e viktimës, donin të përligjnin çdo krim të mëvonshëm. Duke e futur një popull në dimensionet e mitit, ja humbën ndjenjën e realitetit dhe kështu mund ta manipulonin për realizimin e idesë së tyre; kështu mund ta mobilizonin dhe homogjenizonin popullin e tyre kundër popujve të tjerë. Kanë të drejtë ata që thonë se tmerri i viteve 90 – të të shekullit XX, në hapësirën e Jugosllavisë së dikurshme, do të ndodhte edhe pa “Kasapin e Ballkanit”, i cili ishte vetëm instrument për realizimin e projektit të nacionalistëve serbë. Akademiku Antonije Isakoviq, kishte thënë se nëse Millosheviqi nuk do të punonte për idenë e Serbisë së Madhe, atëherë do t’i shkonte koka dhe do të gjendej një tjetër si ai.
Unë mund të jap shumë shembuj se libri mund të jetë shok i keq i njeriut dhe se djalli mund të flasë me gjuhën e shkrimtarit. Mund të jap shumë shembuj për libra që nuk do të duhej të ishin shkruar. Tolstoi ka thënë: “Unë vetë shkruaj libra dhe i di të këqijat që vijnë prej tyre”…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Cfare teksti!!
    Nuk ka kategori njerezish qe nuk duhet ta lexojne dhe rilexojne.
    Sa i begate teksti, sa i gjere, i thelle. Kolumne e shkuar kolumnes. Si di kaq shume dhe kaq mire ky njeri!?

    Le ti imagjinojme, per nje cast, ligjeratat e profesor Salajdinit.
    Sahere qe flas per universitetet shqipe qe nuk kane nivelin e duhur se po ta kishin gjendja jone shume me ndryshe do te ishte (anise progresi i shoqerise fillon me gjeneraten e pare te mirearsimuar nga fillorja deri te diplomat, por prap…), pra sahere qe them se Shen Kirili ka mbetur bastioni i arsimit te larte ne Maq, me vjen ndermend Fakulteti i gjuhes shqipe ne USHT. Vetem aty do ta kisha derguar tim bir te studionte.
    Sala aty, Fatmir Sulejmani, Lindite Ahmeti mendoj se ende ligjeron, Vjollce Berisha dhe te tjera emra te Fakultetit oaze…

Leave a Reply to tetovare Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button