Tre dëshmitarë sot u deklaruan për rastin “Monstra”

Në Gjykatën Penale të Shkupit sot ka vazhduar seanca për rastin “Monstra” me dëgjimin e dëshmitarëve për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës më 12 prill të vitit 2012-të, njofton Portalb.mk.

Dëshmitari i parë në vitin 2012-të ka pasur punëtori automekanike, gjegjësisht në punëtorinë e tij është shkatërruar për pjesë automjeti “Mercedes”, prej të cilit janë marrë targat e regjistrimit dhe i janë vendosur veturës “Opel Omega”, të cilën, sipas akuzës së Prokurorisë, e kanë vozitur kryerësit e vrasjes së pesëfishtë.

Në pyetjen se kur e ka parë se automjeti “Mercedes” nuk ka targa, dëshmitari ka thënë se nuk e ka parë dhe sqaroi se veturën e ka blerë për pjesë, por nuk e ka regjistruar në emrin e tij, prej të cilit ka marrë vesh se nuk ka targa, pasi që i është lajmëruar në telefon dhe i ka thënë se ka ardhur policia dhe e kërkon automjetin.

Dëshmitari tha se Merecedesin me automjet të veçantë e kanë dërguar në një fermë në rrugën për Haraçinë ku ka pasur rreth 20 automjete të prishura të cilat i ka përdorur për shitjen e pjesëve, ndërkaq pas mbylljes së punëtorisë të gjithë automjetet i ka dërguar në hekurishte.

Dëshmitari i dytë sot ka qenë pronari i Mercedesit, i cili tha se në vitin 2004 e ka shitur automjetin e regjistruar me targa SK 499 MT.

I pyetur se kur ka mësuar, tha se policia ka ardhur te shtëpia atij derisa ai ka qenë në rrugë dhe u ka sqaruar në telefon se automjetin ia ka shitur pronarit të një punëtorie automekanike me lokacion në rrugën e Plastikave në Shkup.

Dëshmitari i tretë që është dëgjuar, në kohën e ngjarjes ka qenë i punësuar në Telekon, dhe ka përgatitur dëshmi tabelare të komunikacionit nga stacionet bazë rreth Liqenit të Smillkovës.

Dëshmitari tha se ai vetëm përgatit, gjegjësisht gjeneron raporte dhe nuk është person teknik, ndërkaq nëse ka nevojë për detaje për funksionim e stacioneve bazë duhet të dërgohet kërkesë deri te Telekomi i Maqedonisë, të cilët do të munden të ndihmojnë.

Seanca e radhës do të mbahet më 24 qershor.

Në dy seancat paraprake janë dëgjuar disa dëshmitarë të palës mbrojtëse, të cilët kanë dëshmuar për pafajësinë e të akuzuarve.

Seancat janë duke i bojkotuar familjarët e të vrarëve.

Tre dëshmitarë e kanë demantuar dëshminë e dëshmitarit të koduar E1, i cili ka deklaruar se 3-4 ditë përpara vrasjes, në vendin e krimit ka parë 4 persona me veturë Golf 3 të zi, me dritare të errëta, duke aluduar se ata kanë qenë të akuzuarit.

“Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit të kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovo”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq
Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë për Krime të Rënda në Maqedoni nuk mbajnë. Zyra e Besnik Berishës, avokati i dy shqiptarëve nga Shkupi, ka njoftuar asokohe se vendimi përfundimtar për pafajësinë e Ismailoviqit dhe Demirit është shqiptuar ditë më parë, pas përfundimit të dënimit me nga 2.5 vjet në burgun e Dubravës për armëmbajtje pa leje, përcjellë Portalb.mk.

 

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim.

Nuk dihet nëse Prokuroria Speciale për rastin në fjalë disponon me materiale të përgjuara edhe pse në opinion shpesh është përfolur se ka përgjime të cilat dëshmojnë se personat që janë burgosur janë të pafajshëm. Të njëjtën gjë e ka thënë edhe kryeministri aktual, duke dëshmuar se vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës nuk e kanë bërë personat që janë vendosur prapa grilave.

LEXO:  DOSJE “Monstra”: Vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës të Shkupit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button