E gëzofsh Bajramin mik

(Letër mikut)

I nderuari mik,
U gëzova shumë që ma uroje Bajramin. E si mos t’i gëzohet njeriu një urimi miqësor?  Përveç kësaj ky urim më ktheu prapa, në fëmijëri, kur Bajrami ishte festë me shumë ngjyra të bukura që  i gjen njeriu vetëm në ëndrra e të cilat përnjëherë me të thirrur të ezanit të sabahut e mbulonin mjerimin e atëhershëm dhe para nesh largohej zymtësia dhe vrugtësia e mjerimit. Në skenën që dilte në dritë ditën e Bajramit mbretëronte gëzimi, ndjehej era e mirë e mollëve renditur në raftet e dhomave dhe Perendia e detyronte harresën të bjerë mbi hallet e shumta, mbi peshën e çizmes së milicisë e të poreznikëve. Të pushtetit të kuq.
E kishte Bajrami edhe komunikimin më solemn se sot. Më kujtohet kur ktheheshim  nga vizitat, siç e do tradita, rrugës e uronim njëri-tjetrin:
– E gëzofsh Bajramin!
– Kofsh shëndosh, edhe ti e gëzofsh.
Ishte një urim i bukur. Ia vlente ta dëgjosh. Ishte urim i gjuhës së nënës. Kishte një muzikë brenda fjalëve, kurse sytë u shkëlqenin njerëzve kur i shqiptonin ato. E vërtetë, në komunikim kishte plot orientalizma, mirëpo ato vitet e shekujt i kishin renditur bukur në harmoninë e gjuhës sonë, sikur tullat në një ngrehinë që e bën dora e mjeshtrit të rangut të ndërtuesit të Taxh Mëhallës.

A po sheh o mik, unë një e dy – te gjuha. Janë do gjëra që nuk më pëlqejnë tash në leksik. Më shpesh kur janë të burimit të huaj, por edhe kur janë kalke të panatyrshme. E di se fjala “urime” është shqipe, por nuk e di pse nuk më rri në murin e gjuhës, kur e rendis, por më rrëshqet vazhdimisht. Më bie poshtë. Ndërsa “e gëzofsh” palohet aty mirë dhe shndrit si ndonjë xixëllonjë.

Është edhe një fjalë tjetër që më pengon. E evokoj hoxhën plak të katundit ku kam le, më kumbojnë ende fjalët lidhur me festën tonë aq të dashur. Edhe ai u thoshte njerëzve E gëzofsh bajramin. Pastaj thoshte: Bajrami i madh; për Bajram të madh; mas Bajramit të madh, e kështu me radhë. Në fëmijërinë time kishte Bajram të madh e Bajram të vogël. Dhe, nuk i thoshin i madh pse ishte më i madh për nga përmbajtja, por pse ishte i pari brenda vitit që e festonim, ndërsa i vogël ishte bajrami që vjen pas tij. Unë nuk mund të heq dorë nga ky leksik asnjëherë. Nuk mund të them as Fitër Bajram e as Kurban Bajram, se në arkën e leksikut tonë nuk ekzistojnë këto sintagma. Nuk i them dot se më duken import i vonë, sikur cikrrimat prej plastike që vijnë nga lindja dhe krekosen nëpër dhomat tona duke shpërndarë erë naftaline, në vend të ftonjve e të mollëve që i rendisnin nënat tona nëpër rafte për të mbushur botën tonë të varfër me erën e mirë të pemëve.

Prandaj:
E GËZOFSH BAJRAMIN E MADH!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button