Ruçi merr mbështetje të plotë nga Praga për hapjen e negociatave

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, i ftuar nga Kryetari i Parlamentit të Republikës Çeke, Radek Vondráček, në datat 3-4 qershor zhvilloi një vizitë zyrtare në Pragë. Praga ishte stacioni i fundit i veprimtarisë lobuese të Kryetarit të Kuvendit për të siguruar mbështetje për hapjen e negociatave.

Në këtë vizitë Ruçi shoqërohej nga zëvendës kryetari i Komisionit të Jashtëm dhe anëtar i Komisionit parlamentar të integrimit europian, deputeti Ralf Gjoni, si edhe ambasadori i Shqipërisë në Republikën e Çekisë, Ilirian Kuka, transmeton Balkan Web.

Takimin e parë delegacioni parlamentar shqiptar e zhvilloi me Kryeministrin e Republikës së Çekisë, Andrej Babiš. Kryetari i Kuvendit vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike midis të dy vendeve dhe nënvizoi se “këto marrëdhënie duhet të pasohen nga intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe nxitja e investimeve çeke në Shqipëri”.

Gjithashtu z. Ruçi, pasi falënderoi për mbështetjen e fuqishme dhe të pakushtëzuar të Çekisë për hapjen e negociatave me Shqipërinë, theksoi se “Ne jemi këtu për të kërkuar nga Kryeministri Babiš dhe qeveria e Republikës Çeke, si edhe katër vendet e Grupit të Vishegradit, të lobohen pranë vendeve skeptike të BE-së për sqarimin e arritjeve të reformave integruese në Shqipëri dhe hapjen e negociatave në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Europian”.

Kryeministri Andrej Babiš nënvizoi se “ne i njohim arritjet e padiskutueshme të Shqipërisë dhe, përveç mbështetjes sonë dhe të Grupit të Vishegradit, do të bëjmë të gjitha përpjekjet që edhe vendet e tjera të BE-së të njohin e vlerësojnë këto arritje dhe të votojnë për hapjen e negociatave me Shqipërinë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Europian”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button