Tiananmeni përcaktoi rrugën e Kinës kah represioni

Kina forcoi sigurinë rreth Sheshit Tiananmen të Pekinit, në 30-vjetorin e shtypjes brutale të protestave pro demokracisë, ku besohet se mbetën të vrarë qindra e ndoshta mijëra vetë, njofton REL.

Shtypja nga autoritetet nuk flitet hapur në Kinë dhe nuk shënohet formalisht nga qeveria.

Gazetarëve të huaj iu ndalua qasja në shesh dhe ata u paralajmëruan nga policia që të mos bëjnë fotografi.

Më shumë se një milion protestues pro demokracisë pushtuan Sheshin Tiananmen në prill të vitit 1989 dhe filluan demonstratën më të madhe politike në historinë komuniste të Kinës. Ajo zgjati gjashtë javë.

Në natën e 3 qershorit, qeveria dërgoi tanke dhe ushtarë që vranë dhe plagosën shumë njerëz të paarmatosur në dhe rreth Sheshit Tiananmen.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, lëshoi një deklaratë për të shprehur respekt për, siç tha, “heronjtë e popullit kinez, që u ngritën guximshëm tridhjetë vjet më parë, për të kërkuar të drejtat e tyre”.

Pompeo i kërkoi Kinës “të japë llogari të plotë publike për të vrarët dhe të zhdukurit”.

Ai e akuzoi Kinën për, siç tha, “abuzim me të drejtat e njeriut kudo që është në interes të saj” dhe mori shembull përndjekjen ndaj pakicës ujgure në rajonin Ksinjiang.

Pompeo tha se shpresat e SHBA-së që Kina të bëhet “një shoqëri më e hapur dhe tolerante” përmes integrimit më të madh global, “janë thyer”.

Ambasada e Kinës në Uashington e kritikoi deklaratën e Pompeos, duke thënë se “ai po ndërhyn në punët e brendshme të Kinës”.

Bashkimi Evropian po ashtu bëri thirrje për transparencë më të madhe rreth ngjarjeve në Tiananmen.

“Pranimi i këtyre ngjarjeve, i atyre që janë vrarë, burgosur ose zhdukur në protestat në Sheshin Tiananmen, është i rëndësishëm për gjeneratat e ardhshme dhe për kujtesën kolektive”, tha përmes një deklarate shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button