Regjimi i Asadit bombardoi Idlibin në ditën e parë të Bajramit

Avionët luftarakë të regjimit sirian të Bashar al-Asadit kanë ndërmarrë sulme të rënda ajrore ndaj dhjetë vendbanimeve civile në Idlib që në orët e para të ditës së Bajramit, duke lënë të vdekur një fëmijë, raporton Anadolu Agency (AA).

Regjimi i Asadit në orët e para të mëngjesit bombardoi rajonet Erbain, Ihsem, Dejr Sunbul, Khan Shaykhun, Termala, Basangul, Shaikh Mustafa, Maarat Harma, Fetira, Nekir dhe Habit, të cilat gjenden brenda kufijve të zonës së deeskalimit të Idlibit.

Burimet lokale njoftuan se një fëmijë ka humbur jetën në Dejr Sunbul si pasojë e sulmeve ajrore.

– Situata në Idlib

Në mars të vitit 2015, opozita vendosi kontroll mbi Idlibin, popullsia e të cilit është rritur në katër milionë për shkak të migrimeve të fundit në atë zonë. Në të njëjtën kohë, Idlibi është një nga zonat që më së shpeshti sulmohet nga forcat e regjimit.

Opozitarët ushtarakë, garantues i të cilëve është Turqia në kuadër të marrëveshjes historike të arritur më 4-5 maj 2017 në Astana në të cilën Idlibi dhe rrethina u shpallën zonë e deeskalimit, më 17 shtator të vitit 2018 tërhoqën armët e tyre të rënda si rezultat i një marrëveshjeje tjetër midis Turqisë dhe Rusisë në Soçi.

Megjithatë, forcat e regjimit vazhdojnë pa ndërprerë sulmet e tyre pavarësisht marrëveshjes së Soçit mes Turqisë dhe Rusisë, e cila kishte për qëllim të forcojë armëpushimin në Idlib. Në kuadër të Marrëveshjes së Astanas, Rusia është vendi garantues i regjimit të Asadit.

Sulmet e fundit të regjimit dhe mbështetësve të tij u intensifikuan teksa më 25-26 prill, në kryeqytetin e Kazakistanit, Nursultan, po mbahej takimi i 12-të midis Turqisë, Rusisë dhe Iranit.

Burimet e mbrojtjes civile njoftojnë se 231 civilë, përfshirë 59 fëmijë, janë vrarë në muajin maj nga sulmet ajrore dhe tokësore të regjimit sirian, grupeve të huaja terroriste të mbështetura nga Irani dhe Rusia.

Ndërkaq, mbi 553 mijë civilë janë zhvendosur si pasojë e bombardimeve që nga nënshkrimi i marrëveshjes midis Rusisë dhe Turqisë në muajin shtator.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button