ANALIZË: Shtrëngohet rripi mbi shpenzimet buxhetore – borxhet duhet të ndjekin trajektoren rënëse!  

Reduktim të shpenzimeve buxhetore, rritje ekonomike prej 5%. Strategjia e re fiskale  2020-2022, i përcakton kornizat e ekonomisë për periudhën e ardhshme – parashikimet optimiste për investimet, të ardhurat, për borxhin publik, për zvogëlimin e papunësisë dhe rritjen e punësimit, por dokumenti paralajmëron edhe kontroll të shtruar të shpenzimeve të përdoruesve individual të buxhetit. Disa nga ekonomistët për “Portalb“-in thonë se në paketë me konceptin e ri të menaxhimit të financave publike duhet të hapet edhe front kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të parave të qytetarëve në nivel lokal dhe qendror.

Në emër të shpenzimeve të disiplinuara – shpenzimet buxhetore do të ulen nën 30% të PBB-së

Reduktim gradual të shpenzimeve (harxhimeve) buxhetore në raport me PBB-në parashikon Qeveria në Strategjinë e re fiskale. Ky është një model “i ri” për menaxhimin e financave publike, i cili përcakton kufizime në rritjen e shpenzimeve totale, por edhe në shpenzimet e përdoruesve individual të buxhetit.

“Në këtë drejtim, norma vjetore e rritjes së shpenzimeve totale buxhetore gradualisht do të ngadalësohet nga 14.2% në 2019 në 5.2% në vitin 2022. Kombinuar me mbledhjen e pritshme të të ardhurave, kjo do të sigurojë një ngushtim gradual të deficitit buxhetor të përgjithshëm prej 2.5% të PBB-së në 2019 në 2.3% në vitin 2020 dhe nga 2% të PBB-së në 2021 dhe 2022. Në këtë pjesë, është e rëndësishme të theksohet se kufijtë për deficitin buxhetor mbahen në të njëjtin nivel me Strategjinë Fiskale 2019-2021. Deficiti buxhetor primar gjithashtu do të reduktohet nga 1.2% e PBB-së në 2019, duke ruajtur të njëjtin nivel prej 1.2% në vitin 2020, dhe më tej në 0.8% dhe 0.5% respektivisht në 2021 dhe 2022 “- thuhet në këtë dokument.

Ja se si duket dinamika e planifikuar e shpenzimeve dhe të ardhurave në buxhet në vitet e ardhshme:

Sipas disa ekonomistëve, ky koncept i “kufizimeve” në shpenzimet buxhetore duhet të pasohet nga realizimi i të ardhurave buxhetore – ndryshe do të aktivizohet “spiralja e huave të reja”.

“Arsyet kryesore për kufizimin e rritjes së shpenzimeve publike përmes shpenzimeve buxhetore gjatë viteve të ardhshme duhet të kërkohet në përpjekje për të rritur disiplinën fiskale, por në të njëjtën kohë reduktimi duhet të shoqërohet me një rritje të të ardhurave publike. Përndryshe, do të shkaktohet një rritje e mëtejshme e borxhit publik dhe kjo nuk duhet të lejohet sepse ky koncept do të çojë në një gjendje të borxhit të lartë dhe të paqëndrueshëm. Së pari, kjo do të thotë rritje në deficitin buxhetor, së dytë koeficient i ulët i kthimit të shpenzimeve publike dhe së treti, do të thotë një shkallë e lartë e korrupsionit dhe krimit në nivel qendror dhe lokal në shpenzimin e fondeve publike. Megjithatë, arsyeja kryesore për “kufizimet” në shpenzimet buxhetore është masa paraprake për të mos hyrë në një zonë me borxh të lartë, duke shmangur kështu mundësinë e paaftësisë paguese të ekonomisë vendase”, thotë për Portalb.mk profesor Sami Bislimi.

Për përfitimet sociale 53% të shpenzimeve totale buxhetore

Sipas krijuesve të politikës fiskale, edhe pse “rripi” gradualisht do të ngushtohet për  shpenzimet buxhetore, pagesa aktuale e pagave, pensioneve, transfertave sociale, transfertave në qeverisjen vendore nuk do të vihet në dyshim.

“Në pjesën për shpenzimet për paga dhe kompensime, në parashikimet për vitin 2020, efektet e rritjes së pagës prej 5% janë reflektuar për punonjësit në përdoruesit e buxhetit në tremujorin e fundit të vitit 2019, vazhdimi i kontrollit të rreptë të punësimeve të reja dhe rritja graduale e pagave në sektorë të ndarë sipas mundësive fiskale,  pagesë në kohë të pensioneve dhe ndihmave sociale për të siguruar një status më të mirë material të përfituesve të këtyre të drejtave, duke siguruar shuma të konsiderueshme për pagesën e subvencioneve në bujqësi, kjo përfshin efektin e kthimit të një pjese të tatimit mbi vlerën e shtuar për personat fizikë, si pjesë e reformave në sferën e tatimeve” – thuhet ndër të tjera në dokumentin e sapo publikuar të Ministrisë së Financave.

Sipas parashikimeve të Strategjisë Fiskale, në dy vitet e ardhshme pjesa më e madhe e shpenzimeve buxhetore aktuale ose 53% do të kapin transferet sociale, 13% do të jenë për pagat, 10% janë subvencionet, 9.5% janë për transfertat në qeverisjen lokale, 9. 1 janë për kostot materiale dhe 4.8% e shpenzimeve aktuale buxhetore do të zbriten nga norma e interesit.

Disa ekonomistë thonë se koncepti i kufizimit të rritjes së shpenzimeve buxhetore duhet të zbatohet në një paketë me sanksionimin e abuzimeve të parave publike në nivel lokal dhe qendror.

“Personalisht mendoj se nuk kemi nevojë të kufizojmë konsumin publik, sepse kjo kufizon mundësitë për zhvillim ekonomik, ekonomia jonë përballet me të ashtuquajturat distanca kohore në zhvillimin teknologjik, në aplikimin e njohurive dhe teknologjive të reja dhe pa investime, nuk ka mundësi për rritjen e tregut të kapitalit fizik dhe njerëzor, si bazë për rritjen ose zgjerimin e mundësive të prodhimit të ekonomisë vendore” – thotë profesor Bislimi dhe shton:

“Keq menaxhimi i fondeve publike, zgjedhja e keqe e fondeve për projekte joproduktive, keqpërdorimi i shpenzimeve të parave publike nuk zgjidhet duke kufizuar shpenzimet publike, por ky problem është zgjidhur duke sanksionuar abuzimet në shpenzimin e fondeve publike. Se kemi një qasje të gabuar në zgjedhjen e prioriteteve në financimin publik tregon faktin se koeficienti i kthimit (efektet e financimit) është rreth një ose më pak se një”.

Sipas parashikimeve në Strategjinë Fiskale, prodhimi i brendshëm bruto në vitet e ardhshme do të jetë në rritje të vazhdueshme, kështu që në vitin 2020 parashikohet një rritje prej 4.2%, në vitin 2021 dhe 2022 rritja e PBB prej 5%. Norma e inflacionit do të jetë nga 2% në 2,2%, dhe papunësia në vitin 2022 duhet të bjerë në 16,2%.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button