A janë përgjimet në BDI të ndërlidhura me aksionin “Fshesa”?

Prokuroria Speciale Publike është duke i analizuar të ashtuquajturat “bomba” nga bisedat telefonike, të cilat të martën në mbrëmje u bënë publike në rrjetet sociale. Ndërkohë, nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se në koordinim me Prokurorinë, janë duke ndërmarre të gjitha masat që sa më parë të zbardhet ky rast dhe ndaj kryesit të veprës, do të ngrihet akuzë penale.

“Tashmë është konstatuar se kush qëndron mbrapa profilit në Facebook, prej ku janë plasuar këto përmbajtje dhe për atë është njoftuar Prokuroria. Gjithashtu, është njoftuar edhe rrjeti social Facebook në lidhje me këtë. Pas pastrimit të plotë të rastit, MPB-ja do të dorëzojë padi penale kundër kryerësit dhe për këtë, në mënyrë përkatëse do ta informojë opinionin”, thuhet në njoftimin me shkrim të Policisë së Maqedonisë së Veriut.

Mbrëmjen e së martës në rrjetin social Facebook, përmes një profili privat “El Cheka”, u publikuan disa biseda telefonike, në të cilat pretendohet se janë duke biseduar funksionarë të lartë të partisë shqiptare në pushtet, Bashkimin Demokratik për Integrim, ku përmendet rasti “Monstra”, dhe çështje të tjera.

Personi që ka publikuar bisedat e përgjuara telefonike, ka thënë se ato i ka siguruar nga një pjesë e grupit të dënuar për ngjarjet e Kumanovës, shtetas të Kosovës.

Ndërkaq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka thënë se ai nuk i ka dëgjuar këto biseda, duke nënvizuar se bisedat e përgjuara nuk do të kenë impakt në raportet me partnerin e koalicionit qeveritar, BDI-në.

“Organet hetuese duhet të merren seriozisht me këtë rast”, ka theksuar Zaev.

Ai ka shtuar se nuk ka njohuri nëse këto biseda janë pjesë e materialeve të përgjuara që i ka poseduar Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, apo bëhet fjalë për materiale të tjera duke lënë mundësinë që bisedat e përgjuara mund t’i posedojë dhe një palë e tretë, pasi sipas tij, opozita kishte vetëm 1/3 e bisedave të përgjuara telefonike nga Drejtoria për siguri dhe kundërzbulim.

LEXOPersoni që publikoi ‘bombat’, “El Cheka” i ka shkruar kryeministrit Zaev
LEXOPo publikohen “bomba” të reja, Zaev s’i ka dëgjuar, BDI kërkon përgjegjësi nga institucionet

Ndërkaq, zyrtarët e lartë të Bashkimi Demokratik për Integrim kanë kërkuar nga organet kompetente përgjegjësi

Pavle Trajanov, ish-ministër i Punëve të Brendshme, thotëpër Radion Evropa e Lirë, se një pjesë e madhe e bisedave të përgjuara, janë në duar të grupeve të caktuara dhe si të tilla, është vështirë që shteti t’i kontrollojë.

“Nuk besoj se Republika e Maqedonisë së Veriut ka kapacitet që ta menaxhoj gjithë këtë situatë me materialet e përgjuara të lëshuara në tregun e zi, edhe pse pushteti i ka detyrë të veprojë në mënyrë parandaluese. Ky proces do të zgjasë. Me rëndësi është që tani mos të ketë hapësirë për keqpërdorimin e sistemit të përgjimit”, vlerëson Trajanov.

Njohësit e çështjeve politike, konsiderojnë se publikimi materialeve të përgjuara po ndodh në momentin që është paralajmëruar aksioni “Fshesa”, që parasheh ndryshime në Qeveri.

“Tendenca është që të dëmtohet një parti politike në momentin që vendi është në një fazë që pritet ajo ‘fshesa’ e kryeministrit të shtetit t’i japë ato rezultatet e veta ashtu siç mund të ketë disa kategori apo grupime që mund të tentojnë ta dëmtojnë procesin apo të kenë përfitim nga ajo”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Abert Musliu, njohës çështjeve politike.

Përmbajtja e bisedave të publikuara telefonike, ndërkohë, sipas një pjese të analistëve flet edhe për gjendjen, në të cilën ndodhen drejtuesit e politikës, moralin e tyre dhe përfshirjen në veprimtari të paligjshme.

“Ajo që dëgjohet është skandaloze, është e dhimbshme, e tmerrshme, dhe flet për nivelin e ulët që ka politikë-bërja në Maqedoninë e Veriut. Pse bëhet tani kjo çështje? Mendoj se duhet analizuar çështja se pse këto biseda nuk janë publikuar më herët po publikohen pikërisht këto tani, ndërkohë që ka shumë incizime të tjera”.

“Këto incizime tregojnë se estabilishmenti politik në Maqedoninë e Veriut ka nevojë që të largohen figurat kryesore politike, nga z.Zoran Zaev deri te z. Ali Ahmeti, për shkak se vendi nuk mund të futet në BE dhe NATO me këto personalitete që janë të komprometuara”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Arsim Sinani, nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike.

Materialet e përgjuara në bazë të Marrëveshjes së Përzhinos kaluan nën kompetencë të Prokurorisë Speciale, por disa herë me radhë në rrjetet sociale dhe ueb-faqe të ndryshme, ato janë publikuar në periudha të ndryshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button