Mustafa: S’e përjashtojmë koalicionin parazgjedhor me VV-në

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa vlerëson se  “Qeveria Haradinaj”, e ka humbur moti legjitimitetin dhe se është duke u përballur me skandale të njëpasnjëshme dhe si e tillë duhet t’i ndërpritet mandati.

Ish – kryeministri Mustafa thotë se Kosova ka nevojë të bëjë ndryshime dhe që kjo qeveri të bie sa më shpejtë, pasi që nuk mund të qojë përpara asnjë proces, sic është dialogu, njohjet, liberalizimin e vizave dhe integrimin në BE, transmeton Telegrafi.

Për këtë qëllim thotë se tashmë kanë vendosur që bashkë me Vetëvendosjen dhe PSD-në të ngritin mocion mosbesimi për Qeverinë.

“Po punojmë edhe me Vetëvendosjen dhe Partinë Socialdemokrate, do të punojmë edhe me partitë tjera që janë në pozitë që t’i bindim se nuk i kontribuon Kosovës një qeverisje e tillë. Sa i përket VV-së ata janë gjithsesi të vendosur që qeveria duhet të rrëzohet me votën e mosbesimit. Sa i përket PSD-së unë kam biseduar me kryetarin e saj. Është një vullnet i tyre që të shkohet në zgjedhje, natyrisht ata i kanë edhe disa orientime të tyre të cilat për ta mund të jenë të arsyeshme. Mendoj që mund të gjejmë gjuhë të përbashkët, por gjithsesi duhet të bëjmë përpjekje që të kemi edhe përkrahjen qoftë të deputetëve të partive që janë në pozitë në mënyrë që të shkojmë në zgjedhje”, tha Mustafa, për EkonomiaOnline.

Megjithatë Mustafa thotë se nuk pret që pozita të japë votë për rrëzimin e qeverisë, ngase është akomoduar mirë duke punësuar njerëz nëpër dikastere që ata udhëheqin.

I pari i LDK-së, thotë se janë të gatshëm për zgjedhje të reja dhe se tashmë kanë edhe platformën zgjedhore, e cila parasheh që kjo parti të shkojë e vetme në zgjedhje.

Por nuk përjashton një koalicion parazgjedhor me Vetëvendosjen, nëse partitë në pushtet synojnë të shkojnë prapë bashkë në zgjedhje.

E pranon se si e vetme nuk mund të arrijë synimet për të dërguar PDK-në në opozitë, me të cilën thotë se më nuk do të bashkëqeverisin asnjëherë.

“Kjo marrëveshje nuk do të thotë që ne të shkojmë vet. Ne duhet ta shohim si është situata. Nëse të tjerët bëhen bashkë, atëherë ne e dimë paraprakisht që nuk do të arrijmë ti mundim 2 apo 3 parti bashkë dhe në këtë aspekt ne do të vlerësojmë si LDK mënyrën e të shkuarit në koalicion. Me kë do të shkojmë në koalicion nuk e kemi vendos, nuk kemi ndonjë përkufizim të veçantë. Kemi një bindje të LDK-së dhe timen se nuk duhet të shkohet me PDK-në. Është një parti që objektivisht e ka kap shtetin, të gjitha institucionet e shtetit, ndërsa me të tjerët do të bëjmë përpjekje të gjejmë gjuhë”, thotë Mustafa.

I pyetur nëse LDK-ja do të hiqte dorë nga posti i kryeministrit, nëse një kusht të tillë do t’ia vënte Vetëvendosja, Mustafa shpjegon se janë marr vesh që partisë që ka më shumë vota t’i takon edhe drejtimi i qeverisë.

“Pozicioni ynë është që partia që ka më së shumti vota, apo parti duhet ta ketë edhe pozitën e kryeministrit të vendit. Sipas të gjitha matjeve që janë bërë LDK-ja është partia e parë dhe ne nuk do ta bindim elektoratin që ne po hymë në zgjedhje por nuk do ta kemi pozitën e kryeministrit, sepse kështu do ta humbim besimin. Ne duhet të jemi korrekt edhe ndaj votuesve tanë dhe jemi të bindur se asnjë parti politike në vend nuk ka kuadro dhe nuk është e përgatitur që në mënyrë të ligjshme ta qeverisë këtë vend, jo në stilin e komandantëve, por që të ketë një qeverisje ligjore, evropiane, ta ketë një orientim evropian dhe euroatlantik, pasi që po shohim se kemi humbur besimin tek miqtë dhe partnerët tanë që na kanë përkrahur deri më tani”, shtoi ai.

Zgjedhjet e brendshme në LDK, Mustafa po i konsideron si të suksesshme, edhe pse dy kuvende zgjedhore u përcollën me dhunë fizike.

Thotë se ata që po bëjnë veprime jo demokratike,  asnjëherë nuk do të jenë në strukturat e LDK-së, madje paralajmëron edhe ndëshkim për të tillët.

I pyetur nëse do të rikandidon për të parin e LDK-së, Mustafa sqaron se qëndrimin e tij do ta bëjë zyrtar vetëm atëherë kur mbyllet procesi zgjedhor.

Lidhur me nismën për Tribunalin për krimet serbe në Kosovë, ai thotë se kriminelët duhet dënuar, ndërsa për formimin e Tribunalit mendon se duhet fillimisht të marrin përkrahjen nga BE-ja ose Këshilli i Sigurimit, në të kundërtën do të mbetet vetëm në letër.

Lider i LDK-së pati një përgjigje edhe për nënkryetarin e PDK-së, Uran Ismaili, i cili involvoi zyrtarë të kësaj partie në aferën “Spitali”. Thotë se PDK-ja nuk mund të shfajësohet përderisa kryetari i saj përmendet në këtë aferë. Kërkoi hetim edhe për pretendimet e Ismalit, në kohën sa ky ishte kryetar i Prishtinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button