Kosovë: Teknologjia e informacionit, trend në rritje me nevojën për kuadro të reja

Trendi global në zhvillim i sektorit të Teknologjisë së informacionit (TI), po e ndjek edhe Kosova. Me popullatën me moshën mesatare më të re në Evropë, sipas ekspertëve të kësaj fushe, Kosova ka potencial të madh për zhvillimin e këtij sektori, i cili konsiderohet prej të paktëve me bilanc pozitiv tregtar në vend, transmeton REL.

Kompanitë kosovare të Teknologjisë së informacionit, kryesisht, janë të angazhuara në tregjet e eksportit, duke ofruar shërbimet e tyre në tregun ndërkombëtar.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës së Inovacionit të Kosovës (ICK), Uranik Begu, beson se Kosova duhet të ketë “vizion të qartë për zhvillimin e sektorit të Teknologjisë së informacionit, si bartëse të zhvillimit ekonomik”, pasi, sipas tij, ky sektor krahas vetës, zhvillon edhe sektorët tjerë.

“Popullsia e re është një parakusht. Ajo që është shumë me rëndësi, ky sektor duhet të shihet si një bartës…, duhet një vizion i qartë për zhvillimin e sektorit, si bartës i zhvillimit ekonomik, si një sektor që zhvillohet jo vetëm në vete, por i zhvillon edhe industritë tjera dhe përmirëson edhe konkurrueshmërinë e bizneseve tona ekzistuese, si në fushën ndërtimit, shëndetësisë, e shumë fusha të tjera, por në të njëjtën kohë krijon edhe vende pune të qëndrueshme, të cilat do të ishin atraktive që rinia të mbetet në Kosovë dhe të synojë mërgimin”, vlerëson Begu.

​Fakti që ky sektor nuk zhvillohet i vetëm, sipas Begut, ka bërë që në treg të rriten kërkesat, veçmas në fushën e të dhënave dhe të sigurisë kibernetike.

“Sektori i Teknologjisë së Informacionit nuk është vertikale më vete, mirëpo duke u zhvilluar ky sektor i ngritë, rrjedhimisht e ngritë edhe cilësinë dhe performancën edhe të sektorëve tjerë. Prandaj është edhe kërkesa kaq e madhe, në veçanti, në pjesën e të dhënave, sigurisë kibernetike, do të thotë është një valë e kërkesës së madhe” shton ai.

Sipas “Barometrit të TI-së për Kosovë” për vitin 2018, të Shoqatës për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit (STIKK), 74 për qind e kompanive kosovare të TI-së eksportojnë produktet ose shërbimet e tyre jashtë vendit.

Krahasuar me vitin 2017 është shënuar rritje prej 16 për qind, kur 58 për qind e kompanive kishin deklaruar aktivitete eksportuese.

Sipas Egzon Gashit, menaxher i programeve dhe i zhvillimit të bizneseve në STIKK, kompanitë kosovare, në masë të madhe, janë të fokusuara në ofrimin e shërbimeve “outsourcing”, në tregun ndërkombëtar, me theks të veçantë në Evropë dhe Amerikë.

“Një pjesë e madhe kompanive kosovare është me fokus, në atë që ne e quajmë ‘outsourcing’, në ofrimin e këtyre shërbimeve, për arsye se ka edhe shërbime dhe produkte të IT-së që mund të ofrohen edhe brenda Kosovës, por margjina e mundësive në Evropë, në Amerikë, kudo në botë është më e madhe në ‘outsourcing’, kur t’i ofrojmë jashtë Kosovës. Faktikisht, tash kompanitë e IT-së fokusohet në këtë, ‘outsourcing’ shërbime”, shpjegon Gashi.

‘Outsourcing’ është praktikë afariste në të cilën një kompani punëson një kompani tjetër ose individë, për të kryer detyra dhe ofruar shërbime, që më parë janë kryer nga punonjësit e kompanisë amë.

​Megjithatë, sfidë për këtë sektor mbetet përgatitja dhe gjetja e kuadrove adekuat. Gashi thekson se, aktualisht, llogaritet që Kosova ka nevojë për 1500 deri në 1800 punëtorë të gatshëm për sektorin të Teknologjisë së Informacionit.

“Nuk ka kuadro të mjaftueshme (në treg). Faktikisht, tash po parashihet se është një nevojë për rreth 1500 deri në 1800 persona, të cilët nevojiten në sektorin e IT-së, ku në baza ditore po kërkohen profesionistë të kësaj fushe, prej më të ndryshmëve, prej rrjeteve, programimit, inxhinierë, në cilëndo po kërkohen çdo ditë”, thekson ai.

Përgatitja e kuadrove, është një nga problemet kryesore në Kosovë, vlerësojnë ekspertët.

Drejtori i ekzekutiv i ICK-së, Uranik Begu, thotë se ky është problem global, pasi ndryshimi i kurrikulave është shumë i ngadalshëm në raport me ndryshimet në sektor. Ai beson se Kosova, pos me potencialin ekzistues, duhet të punojë edhe me të rinjtë e shkollave fillore.

“Tashmë e dimë që kjo është një rrugë pa kthim, zhvillimi dhe hovet teknologjike do të jenë këto dhe ne do të fillojmë që prej shkollave fillore t’i përgatisim të rinjtë dhe të rejat, që të jenë të gatshëm për profesionet e së ardhmes, të cilat, në fakt shumë prej tyre nuk janë krijuar”, shton Begu.

Të gjendur në këtë situatë, Egzon Gashi beson se kompanitë kosovare e kanë kuptuar rëndësinë e zhvillimit të resurseve humane, brenda tyre, përmes trajnimeve.

“Tregu i punës ka nevojë për shumë persona brenda vitit. Është e rëndësishme që edhe kompanitë e kanë kuptuar këtë rëndësi dhe po investojnë në zhvillimin e resurseve humane, me trajnime, me zhvillimin e personave të ri për t’i sjellë në brenda kompanisë, për t’i zhvilluar resurset brenda kompanive që të mos mbetet vetëm në rroga, por të investohet edhe në personat që janë brenda zyrës, që po e bën më cilësorë si treg për punëmarrësit në këtë sektor”, thotë Gashi.

​Të dhënat e “Barometrit të TI-së për Kosovë” tregojnë se në dy vjetët e fundit, ka pasur rritje pagash për të gjithë të punësuarit në këtë sektor. Sipas këtij barometri, mesatarisht, pagat për profesionistët e TI-së janë rritur për 4 për qind, për menaxherët e zhvillimit të bizneseve për 9 për qind, si dhe për zhvilluesit dhe administratorët për 8 për qind.

Megjithatë, sipas këtij raporti të STIKK-ut, shqetësues është fakti se 92 për qind e kompanive janë deklaruar se janë prekur nga ikja e trurit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button