Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje mjekëve të aplikojnë për punë në shtëpitë e shëndetit

Me qëllim që të ofrohet një mundësi pune gjashtëmujore për mjekët e mjekësisë me leje për punë në kujdesin shëndetësor parësor, Ministria e Shëndetësisë fton të gjithë mjekët e interesuar që të aplikojnë dhe dorëzojnë një letër interesi në Ministrinë e Shëndetësisë, transmeton Portalb.mk

Njoftimi nga Ministria e Shëndetësisë thekson se sipas nenit 8 të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shëndetësi (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë” nr. 20/19), mjekët e mjekësisë me leje për punë duhet të kalojnë gjashtë muaj në kujdesin shëndetësor parësor në një shtëpi shëndeti si një nga kushtet për regjistrimin e specializimit.

Ministria thekson që kjo kërkesë është e detyrueshme për të gjithë punonjësit e shëndetësisë me arsim të lartë në fushën e mjekësisë – mjekët e mjekësisë të cilët kanë fituar licencë për punë ose do t’i fitojnë ato pas 22 majit 2019 në pajtim me Ligjin për plotësim të Ligjit për shëndetësi (” Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë “nr. 101/19).

Mjekët e interesuar të mjekësisë duhet të kenë përfunduar punën praktike, të kenë kaluar provimin profesional dhe licencën e punës. Puna për një periudhë prej gjashtë muajsh do të kryhet në institucionet shëndetësore publike – shtëpitë e shëndetit dhe spitalet e përgjithshme me aktivitet të zgjeruar që kryejnë veprimtari dhe kujdes shëndetësor parësor, në aktivitetet e ndihmës emergjente mjekësore edhe në shtëpi, kujdesin shëndetësor parandalues për fëmijët parashkollor dhe patronazh polivalent.

“Duke fituar përvojë, marrja e një shansi për të punuar do të jetë një nxitje shtesë për përmirësimin profesional në karrierën e tyre. Me këto masa, ne besojmë se do t’i mbajmë mjekët tanë që punojnë në shëndet publik, duke mos shkuar jashtë vendit. Ne po punojmë me zell për të krijuar një shoqëri të ndershme për të gjithë të rinjtë”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Për të aplikuar për thirrjen publike, duhet të dorëzohet një letër interesi, në të cilën është e detyrueshme të thuhet: emri dhe mbiemri, adresa e banimit, telefoni i kontaktit dhe e-mail adresa (adresa e postës elektronike), kopja e licencës për punë dhe të deklarojnë institucionin publik shëndetësor në të cilin shprehin interes për të kryer punën sipas vendbanimit të kandidatit të interesuar.

Kërkesa së bashku me dokumentacionin duhet të dorëzohet në Ministrinë e Shëndetësisë, ul. Divizioni 50, Nr.14, 1000 Shkup jo më vonë se 15 qershor 2019 me një shënim: Thirrje publike për shprehjen e interesit për punë në kujdesin shëndetësor parësor në një shtëpi shëndeti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button