Erdhi koha të shkoni!

Në një qytet të imagjinuar ekzistonte një shitore dëshirash.  Atje gjithçka mund të blihej, që nga dashuria, shëndeti, pasuria, bukuria, lumturia, e gjer te karriera, suksesi dhe pushteti. Çdo mall kishte çmimin e vet, dhe ai çmim ishte – heqja dorë prej diçkaje. Për shembull, që të mund të blini dashuri të sinqertë, duhet të hiqni dorë nga pasuria. Që të blini pasuri, ju duhet të hiqni dorë nga ndershmëria. Që të blini ndershmëri, ju duhet të hiqni dorë nga luksi. Blerja më e shtrenjtë ishte qeverisja e mirë. Atëherë duhet njëkohësisht  të heqësh dorë nga shoqëria, mëshira dhe nga të mbajturit hatër.  Kurse mbi shitore qëndronte reklama: “Nëse dëshira juaj nuk është plotësuar – atëherë ndoshta nuk e keni paguar çmimin!”

Qeveria, për më pak se dy vjet, arriti rezultate spektakolare në planin e jashtëm, përtej mendjeve ballkanike, të cilat më shpesh janë rob i lavdërimit të së kaluarës së rreme dhe të shkeljes mbi të tashmen dhe të ardhmen. Nga një shtet në gjendje para shpërbërjes dhe “tokë e premtuar” për hajdotë, u arritë në një shtet shumë të respektuar, madje nuk është rastësi që edhe Papa na vizitoi. Megjithatë, në planin e brendshëm, ku bota udhëton me shpejtësinë e aeroplanit, ne ende vozitemi me lokomotivë me avull. Madje nuk shihet as orientimi i qartë se kah shkojmë. Ajo e dobëson kondicionin e qeverisë për lundrim të gjatë mbi ujëra jo të qetë, për të cilën duhet një ekipozh elit detar. Madje sikur veç një prej tyre të mos e njeh punën, ne nuk mund ta çojmë as spirancën. Ludvig Borne thotë: “Qeveria janë velat, populli është era, anija është shteti, kurse deti është koha. Që të mund të lundroni shpejt dhe pa asnjë avari, të gjitha këto duhet të funksionojnë”. Kurse ne, me disa zyrtarë nën mesatare, por me kapacitet mbi mesatar për keqpërdorime, as që mund ta lëshojmë portin!

Banana shtet – liderë botërorë

Kili ka qenë vendi më i varfër në Amerikën Jugore, shumë vite i udhëhequr nga grupe të kriminalizuara dhe banda. Pas një grushti ushtarak të udhëhequr nga gjenerali Augusto Pinoçet (të cilin e konsideronin fashist), filloi një epokë krejtësisht e re. Qeveria e kishte angazhuar ekonomistin më të shquar amerikan Milton Fridman me ekipin e tij. Ai aplikoi liberalizim të madh në ndërmarrësi dhe treg. Vetëm në disa segmente të vogla toleronte intervenim shtetëror. Ai thjeshtësoi iniciativat dhe procedurat për biznes efikas, liberalizoi përdorimin e tokës shtetërore dhe burimeve tjera, dhe kështu ekonomia nisi të ecë përpara me hapa të mëdha. Tani Kili, jo vetëm që është vendi më i zhvilluar në atë kontinent, por ai i përket dhe grupit të “20 vendeve më të zhvilluara të botës”.

Shteti afrikan – Gana, që nga themelimi i tij ishte i njohur për nga varfëria e paparë, krim, uri dhe grusht shtete të shpeshta. Papunësia ishte mbi 68 për qind. Ndryshimet filluan në vitin 1992 kur me ndihmën e Perëndimit u soll një udhëheqje teknokratike, e cila me një liberalizim të madh e solli vendin në një mrekulli zhvillimore. Tani ai shtet ka arritur të jetë lider botëror me rritje ekonomike prej mbi 9 për qind në vit, dhe papunësia është reduktuar në vetë 6% simbolike. Jetesa është përmirësuar për 14 herë në krahasim me vitin 1992. Zhvillimi i saj i balancuar në të gjitha 216 komunat është një shembull, jo vetëm për Afrikën, por për të gjithë botën.

Botstvana është një vend i Afrikës Jugore me një territor prej mbi 70 për qind shkretëtirë (Kalahari).  Para 35 viteve ishte vendi më pak i zhvilluar në planet me vetëm 69 dollarë BPSh për kokë banori. Me një ekip dhe organizim të shkëlqyer, me liberalizim të madh, ajo arriti një rritje marramendëse prej 14.400 dollar BPSh për kokë banori. Kur e pyetën liderin bosanas Serets Ljan Hama, se kush është sekreti i suksesit, ai u përgjigj: – “Sekreti në realitet është që të mos ketë sekrete, por profesionistë të lartë dhe disiplinë të jashtëzakonshme.”

Në fazën e bujës ekonomike dhe shumë vende të tjera afrikane – Namibia, Angola, Tanzania, Mozambiku, madje dhe Etiopia e cila është e njohur si markë botërore për vdekjen nga uria, kurse tani ka një rritje prej afro nëntë për qind, dhe është e renditur në mesin e 13 vendeve me zhvillim më të shpejtë në botë. Kështu që tani, “Afrika e zezë”, e cila tradicionalisht simbolizon grusht-shtetet, luftërat civile, qeveritë kriminale, varfërinë, sëmundjet, urinë dhe etjen, më nuk është aq e zezë. Ajo po bëhet  krenaria botërore. Sot atje, markat më të forta, duke përfshirë edhe “Russell Company” në përbërje të“London Stock Exchange Group”, zinxhiri i famshëm botëror “Walmart-Massmart”, si dhe gjigandët “IBM”, “Bharti  Airtel”, si dhe shumë liderë të tjerë ekonomikë botërorë janë një lokomotivë moderne për një Afrikë tjetër. Vitin e kaluar, madje shtatë nga dhjetë ekonomitë më të shpejta në botë ishin vende nga po ky kontinent. Ata janë në rrugën e tyre për t’i kapërcyer dhe “Tigrat aziatikë” (Kina, India, Koreja Jugore, Malezia dhe Vietnami).

Izraeli – plantacion i Evropës

Izraeli territorialisht është më i vogël se Maqedonia e Veriut. Ajo ka rreth 21,000 km2, dhe mbi shtatë milionë banorë që jetojnë pesë herë me standard më të lartë se tonën. Edhe pse shteti është në luftë të vazhdueshme me fqinjët e saj për 70 vjet, ajo ka lulëzuar prej vitesh. Ajo dëshmoi se kur dëshirohet edhe shkretëtira mund të shndërrohet në tokë pjellore. Në atë vend vetëm rreth 30% e territorit është tokë e punueshme. Ata vetëm mund ta ëndërrojnë vendin tonë. Por, ata atë shkretëtirë çdo ditë e shndërrojnë në plantacione të bukura moderne. Ujë ka shumë dobët, prandaj duhet desalinizuar ujin e detit të cilin pastaj e bartin nëpër pishina të mëdha. Së pari e përdorin për rritjen e peshqve, pastaj për ujitje të plantacioneve, më shumë për sistemin “pikë pas pike”. Prodhimi është i lidhur ngushtë me metodat e sofistikuara të shkencës dhe teknologjisë për një rritje të madhe të sasisë dhe cilësisë. Izraeli, gjatë kohës së dimrit e furnizon gjithë Evropën me produkte bujqësore dhe me meritë e mban epitetin – “Plantacion i Evropës”. Saul Singer, autori i librit “The Story of Israel’s Economic Miracle“ (Tregimi për mrekullinë ekonomike të Izraelit), thotë – vetëm një mendje dhe njohuri e shkëlqyeshme kolektive mund ta arrijë këtë.

Kurse ne ku jemi ?!

Ne për vite me radhë kemi disa zyrtarë që nuk meritojnë të jenë as portierë në ato institucione. Ata sipas ndonjë rastësie janë vënë në krye të partisë (parti  të robëruara) dhe janë shndërrua në farkues të lumturisë së vet dhe të fatkeqësisë sonë. Kurse ne kot inkurajohemi – më mirë njeri pa punë të zezë, sesa punë të zeza pa njeri! Jemi bërë shoqëri ku njerëzit mezi mbijetojnë me dhjetë gishtërinjtë e tyre, kurse disa kënaqen me miliona duar të huaja. Nëse nuk ndërmerret diçka radikale dhe frontale, prej këtyre qenieve të çuditshme vetëm vdekja mund të na ndajë. Sipas gjendjeve tona, është më mirë që partitë (nëse kanë fuqi) të vënë ekspertë jo-partiakë së paku në sferën e ekonomisë dhe zhvillimit. Ata askush nuk do t’i mbrojë, ndryshe nga kjo duzinë e zyrtarëve analfabetë të mbrojtur nga vetvetja e tyre si funksionarë djallëzor partiak. Pra, mjaftë e kemi nga njerëzit  të cilët rrjedhin nga koha kur ishte fat të ishe përmendore, kurse fatkeqësi të ishe njeri. Si dhe prej atyre të cilët  kanë vetëm dëshira personale dhe rezultate të vogla në paketime të mëdha. Ne duhet të kuptojmë se shpesh sublimen dhe qesharaken i ndan vetëm një qime e hollë. Çfarëdo lloj kompromisi midis mashtrimit dhe të vërtetës është në dëm të kësaj të fundit. Këta tipa menjëherë të hedhin me dru e gurë nëse u thoni – faleminderit, mjaft e keni – shkoni në shtëpi! Kurse ne nga ato dru e gurë të hedhura duam të ndërtojmë shtet. Por, si duket dikush i gjeti do bomba të cilat mund më qartë të kuptohen nga këta pushtetarë.

Ne kemi nevojë për një treg më të madh, prandaj në nivelin rajonal ne më së shumti duhet të këmbëngulim për një zonë pa doganë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor. Me atë më lehtë do t’i përgatitim ekonomitë tona për konkurrencë në tregun evropian, si dhe shumë më shpejtë do të ecim përpara. Kënaqësia më e madhe është kur do bëni diçka për të cilën të tjerët mendojnë se është e pamundur.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button