Buzaku: Anëtarët e Rijasetit më kanë votuar mua për kryetar, më pas Rexhepi i ka frikësuar

“Të gjithë anëtarët e Rijasetit të Bashkësisë Fetare Islame më kanë votuar mua për kryetar të BFI-së, por më pas i ka frikësuar Sulejman Rexhepi”, kështu deklaroi sot ish sekretari i Myftinisë së Shkupit, Skender Buzaku, i cili përpara një muaji nëpërmjet një vendimit të Gjykatës Themelore Shkupi 1, u deklarua se është kryetari i ri i BFI-së, pasi që, sipas vendimit, trupi më i lartë Rijaseti, në mënyrë unanime kishte konstatuar dorëheqjen e Rexhepit nga posti i kryetarit dhe në vend të tij, ishte emëruar Buzaku, njofton Portalb.mk.

Skender Buzaku i ka mohuar sot akuzat e Bashkësisë Fetare Islame se ai i ka falsifikuar dokumentet, nëpërmjet të cilave është shpallur kryetar i BFI-së dhe nëpërmjet të cilave është konstatuar dorëheqja e kryetarit aktual Sulejman Rexhepi.

“S’e di kush ka falsifikuar, s’di pse të jem unë ai që falsifikon, kur kërkesën e ka bërë BFI dhe mbledhjen e ka mbajtur Riaseti i BFI-së, të gjitha ato që i thotë ai janë të pavërteta dhe kundër këtyre deklaratave do të deklaroj edhe padi penale, por edhe civile”, tha Buzaku.

Ai i ka mohuar edhe deklaratat e anëtarëve të Rijaseit të BFI-së, të cilët dolën me nënshkrime se ata nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen, në të cilën thirren dokumentet e vendimit të Gjykatës, duke theksuar se deklaratat e tyre janë dhënë pasi që janë frikësuar nga Rexhepi.

Skender Buzaku
Skender Buzaku

“Të gjithë anëtarët e Rijasetit kanë qenë në mbledhje dhe më kanë votuar mua njëzëri, por pastaj Sulejman Rexhepi i ka frikësuar. Unë jam kryetar legal i BFI-së dhe atë dhashë Zoti do ta konfirmojnë edhe organet tjera, vetëm duhet të kemi durim dhe ju do të bindeni se falsifikimi është bërë mu nga ai dhe ai njeri e mban pozitën e tij me falsifikim”, thotë Buzaku.

fillim të këtij muaji, MPB-ja ka filluar me grumbullimin e materialeve për të dëshmuar se nëse përpjekja e Buzakut për ta larguar Rexhepin nga karrigia e të parit të BFI-së, është bërë me dokument të falsifikuar. Në lidhje me këtë, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) konfirmoi se kanë nisur procedurë për hetim të dokumentit, dhe se do të ndërmarrin masa në konsultim me Prokurorinë Themelore Publike (PTHP) dhe i njëjti proces ende vazhdon.

Buzaku e padit Rexhepin se i ka thënë i pafe

Buzaku, sot ka dhënë deklaratë në Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit pasi që ka dorëzuar padi për kryetarin e Bashkësisë Fetare Islame, Sulejman Rexhepi, për shkak se ky i fundit e ka quajtur publikisht të pafe dhe me këtë, sipas tij, e ka vendosur në rrezik jetën e tij, njofton Portalb.mk.

“Pas thirrjes së Prokurorisë Publike në lidhje me padinë time penale kundër Sulejman Rexhepi, kam ardhur që ta jap deklaratën time. Sulejman Rexhepi me ofendime të ndryshme është munduar që ta diskreditojë integritetin tim dhe ta degradojë personalitetin tim, i cili ka shkuar edhe më larg, më quajti të pafe. Me këtë deklaratë ai më ka sjellë në rrezik jetën time dhe familjes sime. Personi në fjalë duke marrë rolin e prokurorit, gjykatësit dhe xhelatit, pa të drejtë më shpalli mua vendim me vdekje duke i anashkaluar të gjitha institucionet dhe më solli mua në atë pozitë që të mos ndihem i sigurt në asnjë hap të jetës sime.  Kjo nuk është hera e parë që e shpërndan gjuhën e urrejtjes, kështu që kjo vepër penale që e ka bërë do të jetë pjesë e veprave tjera që i ka bërë përpara kësaj”, tha Buzaku.

Ai i ftoi të gjitha institucionet kompetente që të marrin masa kundër Sulejman Rexhepit dhe njëkohësisht ka kërkuar mbrojtjen e tij pasi që siç deklaroi, ndjehet i rrezikuar.

Padia e Buzakut ka të bëjë me deklaratë e Rexhepit i cili pas mbledhjes së jashtëzakonshme në Fakultetin e Shkencave Islame në Kondovë, BFI vendosi se do të kyçet në propagandën kundër pushtetit nëse nuk ka reforma gjyqësore në vend, pasi që sipas tyre, me proces gjyqësor të falsifikuar iu është marrë selia dhe është shkarkuar ai, si dhe kërkoi ndëshkim për gjykatësen e cila e ka miratuar vendimin. Në lidhje me Buzakun, Rexhepi tha se është i pafe.

“Ju betohem në Allahun tim, nëse ai është musliman, atëherë edhe qentë janë musliman”, ka thënë Rexhepi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button