Deponia në Shutkë: Shabani thirret në ilegalitet, Dudush thotë se Zaevi vendos se kush çfarë përgjegjësie ka në këtë shtet (FOTO)

Me projekt parashihet pastrimi dhe gjelbërimi i deponisë së Shutkës

Derisa autoritetet hedhin përgjegjësinë për deponinë në Shuto Orizare, ajo vazhdon të stërmbushet, ndërkaq qytetarët ende thithin helm, sepse e njëjta sërish është djegur, nga persona të cilët vazhdojnë të mbesin të panjohur. Risi është se, sipas kryetarit të Komunës së Shuto Orizares, Kurto Dudush, Qyteti i Shkupit dhe Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale” kanë fituar projekt për pastrim dhe gjelbërim të deponisë, transmeton Portalb.mk.

Drejtori i NP “Higjiena Komunale”, Abdulsamed Shabani duke u përgjigjur në pyetjen e Portalb.mk në ngjarjen që u organizuar sot, tha se, deponia e egër asnjëherë nuk ka qenë pronë e tyre, dhe se as nuk ekziston dokument për të. Sipas tij, krijimi i stacionit të shkarkim-ngarkimit është bërë në marrëveshje ndërmjet ish kryesisë paraprake të “Higjienës Komunale” dhe Komunës së Shuto Orizares. Përgjegjësia sipas Shabanit i bie Komunës.

Drejtori i NP "Higjiena Komunale",Abdulsamed Shabani dhe kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu
Drejtori i NP “Higjiena Komunale”,Abdulsamed Shabani dhe kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu

“Ajo hapësirë atje asnjëherë nuk ka qenë pronë e “Higjienës Komunale”. Në bashkëpunim me ish autoritet komunale, është bërë një marrëveshje që të hapet një transfer qendër në Shuto Orizare. Dokumentacione se është pronë e jona, nuk kemi. Kam dhënë urdhër që të tërhiqemi nga transfer qendra, sepse po pengohej puna jonë e përditshme në atë vend nga autoritet e komunës së Shuto Orizares. Unë, bashkë me sektorin operativ vendosëm që të largohemi, ngase neve ne nuk jemi inspektorat që të ndalojmë firmat dhe qytetarët e pandërgjegjshëm që bëjnë hedhje të mbeturinave në atë vend. Sdi sa herë e kemi pastruar, e kemi lënë në gjendje të pastruar, dhe jemi larguar nga atje. Me plot përgjegjësi e them se ajo asnjëherë nuk ka qenë pronë e “Higjienës Komunale”, tha Shabani.

Portalb: Do të thotë se tërë “faji” për deponinë e egër i bie Komunës së Shuto Orizares?

Abdulsamed Shabani: Atë që mund ta bëjmë si “Higjienë Komunale”, mund ta ndihmojmë çdo komunë, por në bazë të kapaciteteve dhe mundësive tona që i kemi. Punët tona e dini se kush janë, rrugët kryesore, dhe pjesa tjetër i takon komunave. Prandaj them se adresa për këtë problem është në Komunën e Shuto Orizares.

Portalb ka kontaktuar edhe kryetarin e Komunës së Shuto Orizares, i cili i njoftuar për letrën e qyterarëve të Vizbegut të dërguar deri te kryeministri Zoran Zaev, tha se “Më vjen mirë që do të kuptojë për deponinë edhe kryeministri Zoran Zaev”. Përgjegjësia sipas Dudushit i bie “Higjienës Komunale”, Qytetit të Shkupit dhe Ministrisë për Ambient Jetësor dhe Planifikim Hapësinor.

Kurto Dudush

“Unë vet, sa kam mundur e kam pastruar, tash duhet pak edhe Ministria e Ambientit Jetësor dhe Qytetit i Shkupit, ja edhe kryeministri të merren me këtë çështje, sepse unë nuk kam as fuqi, as buxhet dhe as mundësi që ta pastroj në tërësi”, tha Dudush.

Portalb: Komuna e Shuto Orizares paraprakisht nisi me pastrimin të deponisë në Shuto Orizare, tash keni ndaluar, do të thotë se ju u dorëzuat?

Kurto Dudush: Jo, nuk jemi dorëzuar. Ne jemi duke bërë përpjekje në vazhdimësi, dhe me kryetarin e Komunës së Butelit, kemi realizuar aksione të përbashkëta. Një pjesë të madhe e kemi pastruar, por u desh që pas asaj “Higjiena Komunale” dhe Qyteti i Shkupit me një projekt nga Ambienti Jetësor, ta pastrojnë. Nuk e dimë deri ku është projekti, por thanë se do të pastrohet. Sipas tyre projekti duhej të fillonte për dy-tre javë, se ajo do të pastrohej, dhe se do të mbilleshin drurë. Premtimi i Qytetit të Shkupit mendoj se ishte para zgjedhjeve presidenciale.

“Makineria ka qëndruar dy javë, vazhdimisht, megjithatë deri këtu mundëm”, tha Dudush.

Portalb: Drejtori i Higjienës Komunale tha se ata nuk kanë ingerenca ndaj asaj deponie, dhe se tërë përgjegjësia për deponinë shkon te Komuna e Shuto Orizares?

Kurto Dudush: Shikoni, ne mund me vite të hedhim përgjegjësinë, a është te ne, apo në Qytetin e Shkupit apo edhe Ministria e Ambientit Jetësor, megjithatë mendoj se këtë duhet ta dijë kryeministri, dhe ai do të vendos se kush çfarë përgjegjësie ka në këtë shtet. D.m.th. unë nuk jam “Higjiena Komunale”, ka për atë Ndërmarrje Publike që e punon atë. Më tregoni ju, ku ta dërgoj unë deponinë? Me çfarë mekanizmash? Të kem kamionë apo ekskavatorë, nuk do të vinte puna deri në këtë nivel, që kryeministri të kuptonte për deponinë. Në kuadër të kompetencave të mia, edhe ju e patë, kam bërë çmos, sollën makineri.

Portalb ka kontaktuar edhe Qytetin e Shkupit për të kuptuar më shumë për projektin e përmendur nga Dudushi, por të njëjtin nuk janë të qasshëm.

Letra që iu dërgua kryeministrit të RMV-së, Zoran Zaev
Letra që iu dërgua kryeministrit të RMV-së, Zoran Zaev

Përndryshe, edhe pse ka katër muaj që qytetarët e Vizbegut po përpiqen për ta zgjidhur problemin e deponisë së Shutkës, deponia ende është aktive, digjet në vazhdimësi, ndërkaq të njëjtit më 24 maj 2019 i dërguan edhe letër kryeministrit Zaev, ku duke bashkëngjitur të gjitha materialet e dokumentuara nga aktivitetet që i kanë ndërmarrë gjatë këtyre 4 muajsh përpjekje, ata kanë shtruar disa pyetje deri te ai:
– Gjithçka çfarë kemi merituar është se fëmijët tanë të helmohen?
– A do të japë përgjigje ndokush për këtë?
– A do të kërkoni Ju përgjegjësi apo a do ta largoni nga funksioni ndonjë person?
– A do të ngritni procedurë penale për këtë?
– A konsideroni se fakti se njerëzit që tashmë janë të vetëdijshme, se dikush i ka helmuar, sjell deri te ulja e numrit të mbështetësve të kësaj qeverie?
-A do të lejoni që popullit të jetë peng i strukturave “shaka”, të cilët përfitojnë duke shitur bakër?
-Me dinjitetin e plotë, a konsideroni se shkelja e të drejtave elementare (e drejta për ambient jetësor të pastër” na çon drejt BE-së? A konsideroni se dikush duhet të besojë në idenë e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE, kur për çdo ditë ngulfatet në tym kancerogjen?

Ndryshe, se situata është alarmante, tregoi edhe raporti i Institutit Shëndetit Publik, i cili pas denoncimit të Portalb.mk për kërkesën e qytetarëve të Vizbegut, më 11 mars të 2019-s realizoi testim të dëmeve në lokalitetin në fjalë, dhe pas evidentimit të lëshimeve, ka rekomanduar që urgjentisht të realizohet zhvendosja e deponisë, në lokalitetin ekzistues të realizohet dezinfektimi dhe deratizimi, dhe të kryhet vaksinimi i personave që kanë menaxhuar me të.

LEXO: ISHP-ja rekomandoi: Urgjentisht zhvendosje, dezinfektim dhe vaksinim
LEXO: Deponia e Shutkës dy javë në flakë, kryetari Dudush na sugjeroi ta festojmë “8 Marsin”

LEXO: Djegia e deponisë në Shutkë: Nuk janë kapur njerëzit, nuk do të ketë përgjegjësi
LEXO: Kryetari i Shutkës, Dudush: Të miturit e djegin deponinë, do të zhvendoset në Drislla

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button