DASHURIA E GJENERALIT – KRYEVEPËR LETRARE

Dashuria e gjeneralit është romani më historik i Luan Starovës në mesin e 16 veprave të Sagës ballkanike. Ai vin të rrëfejë njërën ndër periudhat dramatike të shtetit shqiptar – atë të formimit të Republikës së Korçës e të Pogradecit gjatë dekadës së dytë të shekullit XX, kur, pas shpalljes së pavarësisë, Shqipëria u gjet në vorbullën e rreziqeve të reja dhe u detyrua të luftojë kundër ricopëtimit nga fqinjët, që nuk ishin ngirë akoma me pjesët e aneksuara prej saj.

Për ta shkruar këtë vepër autorit iu desh të bëjë lexime pa fund librash historikë e letrarë, hulumtime të mirëfillta nëpër arkiva e muze, kërkime dokumentesh me peshë, që dëshmojnë të vërtetën e ndodhive të përshkruara në roman. Gjurmimet kryesore i bëri në arkivin e Muzeut të ushtrisë franceze në Paris, ku gjenden dhe dokumentet me të vërtetat e luftës së Pogradecit të vitit 1917, kurse përmes librash si ai i Lasgush Poradecit – Shkollat shqipe të Pogradecit, të botuar në vitin 2002, Starova zbuloi të vërtetat më befasuese për familjen e kyçur thellësisht në ngjarjet e kohës. Me interes të veçantë janë të dhënat që hedhin dritë mbi aktivitetin atdhetar e iluminist të gjyshit dhe babait, të gjendur në krye të betejës për shpëtimin e Shqipërisë dhe për emancipimin e kombit, duke hapur dhjetra shkolla shqipe në Pogradec e rrethinë.

Heroi që u prinë ngjarjeve të romanit është gjenerali Moris Saraj, komandant i ushtrisë Franceze të vendosur në jug të Ballkanit, i cili u përball me projektet e kolegëve të ushtrive të vendeve të tjera pjesëmarrëse në luftën botërore, si: Serbia, Greqia, Bullgaria e Italia – të gjitha me pretendime ogurzeza ndaj Shqipërisë. Gjenerali e kuptoi tendencën e maskuar të tyre përpara faktorit vendimmarrës evropian dhe, i befasuar nga urtia dhe virtytet e popullatës shqiptare, nisi hartimin e një strategjie të kundërt me atë të fqinjëve grabitqarë. Ai bëri planin për shpëtimin e Shqipërisë dhe iu fut realizimit të projektit për shpalljen republika të dy qyteteve të gjendura në kufijtë e tkurur të shtetit të Ismail Qemalit, i bindur se duke i mbrojtuar ato, do t’ia dalë ta mbrojë gjithë vendin. Kjo ndërmarrje binte ndesh me interesat e qendrës së ushtrisë franceze në Paris, po gjenerali Saraj, i përkrahur më pas edhe nga kolegu i tij Eduard Mortje, ishin të vendosur t’i mbrojnë me çdo kusht kufijtë e vendit, të vetëdijshëm për krimet qe do të pasonin në të kundërtën.

Në roman hasen pikëpamjet rilindase për Shqipërinë e lirë dhe të pavarur, veçmas koncepti  konician i cili zbërthehet me detaje shumë interesante. Disa faqe të romanit janë të ngjashme me ato të veprave eseistike të Faik Konicës mbi Shqipërinë. Idetë e poligrafit të shquar shqiptar – autorit me ndikimin të dukshëm në filozofinë jetësore e krijuese, janë stacioni i përhershëm i Luan Starovës, ndaj, njësoj si Konica dikur, shpalon të vërtetën e raporteve të Shqipërisë me fqinjët e saj. Këtë e letrarizon dhe e bën pjesë të natyrshme romani përmes dialogëve të vënë në gojën e ushtarakëve francezë: Sigurisht që udhëheqësit tanë në Paris frikohen mos t’i lëndojmë Helenët krenarë. Dëshirojnë t’i mbetemi besnikë helenofilisë sonë. Por koha është që ta themi të vërtetën, sepse kemi mbetur daltonistë mentalë, rrobër të iluzioneve të rrejshme duke u fundosur gjithnjë e më thellë në këtë labirint babilonik, të quajtur Ballkan…

Këto janë arsyet përse gjeneralët francezë ishin në anën e shqiptarëve, përse vendosën të ndjekin thirrjen e zërit të ndërgjegjes, të vetëdijshëm se kjo do t’u sillte kokëçarje të mëdha me komandën supreme në Paris.

Pjesa lirike e romanit shpërfaq dashurinë dhe martesën ndërmjet oficerit Eduard Mortje dhe shqiptares Atina Todoli. Kjo, natyrisht, nuk kaloi pa u vërejtur nga qarqet e caktuara politike. Agjentët greko-sllavë e konsideruan atë martesë joprincipiele. Për ta, ajo ishte shenja më e dukshme e miqësisë shqiptaro-franceze, që duhej komprometuar e ndërprerë me çdo kusht. Shih për këtë, shumë shpejt lindën teori qesharake konspiracioni, të kushtueshme për Eduard Mortjenë, të cilit iu desh të japë llogari përpara eprorëve të Parisit, që nuk e kishin kuptuar akoma se në prapavijë të kësaj zhurmeje qëndronin planet për pushtimin e Korçës dhe të Pogradecit nga Greqia dhe Serbia.

Romani Dashuria e gjeneralit është shumëdimenzional dhe i rrallë në llojin e vet në letërsinë evropiane. I mbarsur me dashuri e mirëkuptim ndërnjerëzor e ndëretnik, ai vetvetishëm shndërrohet në mësim për shumë autorë ballkanikë, që në vend të tolerancës e mirëkuptimit ndërfqinjësor shpesh janë gjendur në krahë të luftërave hegjemoniste dhe kanë nxitur krime mbi të tjerët…

Përmes diskursit të romanizuar eseistik autori inkuadron në vepër përvojën e hidhur historike  shqiptare e ballkanike të më shumë shekujve. Romani mund të konsiderohet homazh për gjeneralët francezë që ndihmuan ekzistencën e shtetit shqiptar, po dhe një lloj polemike që dekonspiron shqiptarofobinë e zgjatur greko-sllave.

Sasia e informacionit të letrarizuar historik që sjell romani i autorit erudit është e jashtëzakonshme, kurse vlerat e tij të pallogaritshme, duke qenë se këto informacione nuk ia përcjell vetëm lexuesit të natyrshëm, po dhe lexuesit joshqiptar. Në këtë roman Luan Starova nuk ka lënë pa përmendur asnjë ngjarje të rëndësishme të historisë sonë, asnjë personalitet të involvuar në to, asnjë padrejtësi të bërë në kuriz tonin, asnjë detaj që flet për shkaqet e raporteve përherë të tensionuara me fqinjët, për shkak të projekteve të tyre antishqiptare.

Në frymën e idhullit të tij Faik Konicës, Luani i karikaturon edhe bashkëkombasit e adaptuar me shpirtin e robit dhe veset që i bënin të denjë për të qenë robër të fqinjëve. Ai thekson në veçanti mosdurueshmëritë dhe hasmëritë tinzake ndërvëllazërore dhe përpjekjen e ushtarëkëve francezë me në krye gjeneralin Moris Saraj, të cilët u përpoqën t’i bëjnë shqiptarët më tolerantë e më kooperativë ndërmjet tyre. Në një moment të caktuar, duke dashur që ta mbyllin përfundimisht këtë plagë të pistë, ata i tubuan diku gjithë krerët e vendit dhe në mënyrë të hapur ua nxorrën në shesh shpifjet e bëra përmes letrash denoncuese e marifetllëqesh të tjera.

Kjo mungesë vetëdije dhe dëshire për të jetuar të lirë në vendin e tyre e vë në dyshim Moris Sarain. Dyshimi vazhdoi ta brrejë edhe pas largimit nga fronti ballkanik, për shkak të përkrahjes së kauzës shqiptare. Kështu, ai edhe përkundër njohjes së mirë të rrethanave dhe mentalitetit tonë kolektiv, mbeti me bindjen e dyzuar: janë apo nuk janë shqiptaret vëllezër të një gjaku, sepse brenda tyre kishte mbetur mentaliteti otoman dhe fryma e jeniçerizmit…

Të gjitha këto që u thanë në vija të trasha janë të ndërlidhura për bukuri në një tërësi të vetme, të shkrira në faqet e këtij romani të rrallë historik me pamjen e një enciklopedie unikate, për të cilën tani më flet me respekt kritika profesioniste evropiane.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button