Ballkani Perëndimor në BE, nevojiten reforma thelbësore të arrihet demokracia e vërtetë për të mirën e qytetarëve

Vendet e Ballkanit Perëndimor në letër plotësojnë kriteret e kërkuara për aderim në Bashkimin Evropian, por në realitet përballen me sfida të mëdha në zbatimin e reformave. Plotësimi i kritereve thelbësore për zhvillimin e demokracisë është i ngadaltë dhe nuk jep efektet e dëshiruara për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Është parimore të rritet besimi në institucione dhe në sistemin gjyqësor, të luftohet fuqishëm krimi dhe korrupsioni ndërsa politikanët të përkushtohen vërtet në çuarjen e vendeve përpara jo vetëm në planin teorik por edhe praktik. Vetëm me institucione të fuqishme dhe të besueshme Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina do të kyçen në Bashkimin Evropian, dhe më e rëndësishmja, do të përligjin vlerat evropiane dhe përmirësojnë kualitetin e jetës së banorëve të tyre.

Në Parlamentin e Podgoricës së Malit të Zi sot u mbajt debat publik në temën “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian: Konsolidimi demokratik duke plotësuar kriteret politike”. Në të diskutim kishin pjesëtarë nga organizatat joqeveritare nga rajoni, mes tyre dhe Fondacioni “Metamorfozis” si dhe politikanë nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe rajoni, njofton Portalb.mk.

Fillimisht në panel u prezantuan të dhënat e hulumtimit dhe analizës së përbashkët të disa organizatave nga rajoni: CDT, CRTA, Fondacioni “Metamorfozis” dhe “Zasto Ne” për atë se sa vendet e Ballkanit Perëndimor i kanë plotësuar kriteret politike për anëtarësim në Bashkimin Evropian në sferat e: zgjedhjeve, drejtësisë, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, mediave dhe administratës publike.

Pamje nga ngjarja e sotme
Pamje nga ngjarja e sotme

Të dhënat kryesore janë se në këto katër shtetet, procesi i kyçjes në Bashkimin Evropian është në faza të ndryshme por problemet janë të ngjashme:
– nuk kanë krijuar mekanizma efikas për kontroll demokratik të institucioneve andaj dhe nuk kanë kredibilitet dhe integritet,
– lufta kundër korrupsionit është selektive dhe e ngathët
– ka mosbesim të madh në gjyqësor shkaku i politizimit të gjykatës dhe ndikimeve nga jashtë në sistemin juridik të vendit
-administrata është e politizuar dhe e stërmbushur ndërsa shërbimet nuk janë efikase
– mediat nuk janë të lira dhe funksionojnë në kushte të vështira
-reformat në pjesën e Kodit Zgjedhor janë të pakta dhe nuk kontribuojnë në rritjen e demokracisë

Organizatat civile apeluan deri te zyrtarët të kryejnë reforma thelbësore

Në përgjithësi, të dhënat e hulumtimit që e kanë bërë këto organizata pasqyrohen në vlerësimet e dhëna në raportet e Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit. 

Milica Kovaçeviç nga organizata CDT – Mali i Zi
Milica Kovaçeviç nga organizata CDT – Mali i Zi

Milica Kovaçeviç nga organizata CDT – Mali i Zi duke folur në detaje për situatën në këtë shtet tha se problemet më të mëdha janë: qytetarët nuk kanë besim në institucione, parlamenti është bojkotuar nga opozita ndërsa kjo ka ardhur si pasojë e problemeve të mëdha në sistemin zgjedhor të vendit, administrata është e politizuar, gjykatat nuk janë efikase, ka pakënaqësi nga puna e Antikorrupsionit madje dhe ka regres në punën e tyre, kurse dhe mediat janë në situatë të vështirë.

Drejtori i Fondacionit “Metamorfozis”, Bardhyl Jashari tha se Maqedonia e Veriut vite me radhë është duke miratuar ligje për të harmonizuar legjislaturën me Bashkimin Evropian, por problemi më i madh mbetet në mos-implementimin e tyre.

“Qëllimi i implementimit të tyre duhet të jetë që ata të përmirësojnë jetët tonë dhe jo vetëm të shkruajmë në letër që kemi ligje evropiane dhe këtu të mbarojë puna.” tha mes tjerash ai.

Drejtori i Fondacionit “Metamorfozis”, Bardhyl Jashari
Drejtori i Fondacionit “Metamorfozis”, Bardhyl Jashari

Jashari përmendi në detaje problemet me gjyqësorin në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se janë miratuar ligjet më kryesore por ka mbetur një ndër më të rëndësishmit, Ligji për Prokurorinë i cili është në një pako me Prokurorinë Speciale Publike. Ai përmendi edhe problemet me sistemin zgjedhor në vend, duke vënë në pah mos-reformimin e Kodit Zgjedhor, mos pastrimin e Listës Zgjedhore si dhe problemin me votimin e diasporës.

Më e rëndësishmja, tha ai, është të riafirmohet roli i institucioneve, qytetarët të ndjejnë ndryshimet dhe kështu të rritet besimi në to.

“Lufta kundër korrupsionit të jetë reale dhe të ketë prioritet të lartë, ndërsa sistemi i gjykatave të mos jetë vetëm efikas por dhe i drejtë, që nuk është selektiv dhe që nuk diskriminon. Vetëm atëherë do të rikthejnë besimin e tyre te qytetarët. “ tha Jashari duke shtuar se “presim edhe nga Bashkimi Evropian të na jep mbështetje duke na dhënë datë, ashtu do të rikthehet optimizmi në vend dhe në njëfarë mënyre do të riafirmohet traseja evropiane e Maqedonisë, duke larguar kështu dhe ndikimet e huaja armiqësore ndaj shtetit tonë”.

Pavle Dimitrijeviç nga OJQ CRTA- Serbi
Pavle Dimitrijeviç nga OJQ CRTA- Serbi

Në fjalimin e tij, Pavle Dimitrijeviç nga OJQ CRTA- Serbi, mes tjerash zbuloi një të dhënë alarmante: 80% e banorëve të Serbisë nuk i besojnë gjykatave. Kjo sipas tij, është shumë indikator i keq për këtë vend dhe vjen jo vetëm si rezultat i punës jotransparente të gjykatave por edhe nga ndërhyrja në punën e tyre nga politika dhe faktorë të ndryshëm. Ai tha se në Serbi, nuk ka dialog politik dhe aktorët politik janë shumë të ndarë duke bërë kështu proceset integruese shumë më të vështira.

Sa i përket Bosnjë dhe Hercegovinës, sipas Darko Brkan nga OJQ “Zosto Ne” situata është përkeqësuar dhe nuk ka përparim në shumë sfera.

Nuk dua të jem pesimist, por mendoj se kur të gjithë shtetet tjera do ti mbarojnë bisedimet me BE-në ne ndoshta atëherë do të marrim statusin e kandidatit. Kemi së paku 14 kushte të reja nga Bashkimi Evropian që duhet të plotësohen, por më e keqja është se ne nuk kemi as qeveri të formuar që nga tetori i vitit të kaluar” tha Brkan.

Brkan dhe Popesku
Brkan dhe Popesku

Oana Popesku nga OJQ Global Focus e Rumanisë duke shpjeguar përvojën e shtetit të saj tha se ajo që është më me rendësi është të pranohen në thelb vlerat evropiane jo për hir të integrimit por për të mirën e vetë shteteve aspirante për të qenë pjesë e familjes evropiane.

Politikanët: Ne do të punojmë për reforma, por kërkojmë edhe nga BE të njohë përparimin

Në panelin me politikanët, u dërgua mesazhi se Bashkimi Evropian duhet të jetë më i fokusuar në Ballkanin Perëndimor dhe të zhvillohen biseda më reale, në kuptimin që të dihet çfarë kërkon BE-ja nga Ballkani dhe e kundërta çfarë munden dhe çfarë japin këto vende në këtë proces të negociatave.

Paneli me politikanët
Paneli me politikanët

“Kërkojmë që raportet e Komisionit Evropian të jenë më pak burokratik dhe më të hapur ndaj kritikave. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të lexohen drejtë dhe pa manipulime nga partitë në pushtet, do të duhet çfarë është vërë dhe çfarë nuk është bërë” tha mes tjerash, Slaven Radunoviç, kryetar i Komisionit për Integrim Evropian në Parlamentin e Malit të Zi.

Artan Grubi, kryetar i Komisionit kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, duke folur për situatën në këtë vend tha se tani që Maqedonia e ka raportin me rekomandim pa kushtëzime nga Bashkimi Evropian, duhet kjo e fundit të i jep edhe datën për çelje të negociatave.

Ai tha se ende ka punë për tu bërë në këtë vend, posaçërisht me gjyqësorin dhe administratën.

“Sfidë mbetet reformimi i administratës ndërsa më të korruptuar në Maqedoninë e Veriut janë gjykatësit dhe prokurorët andaj duhet proces i Vetingut, që të dihet se kush ndan drejtësinë dhe kush punon si zyrtar në institucionet e vendit.” tha Grubi.

Nenad Çanak, kryetar i Komisionit për Integrim Evropian në Parlamentin e Serbisë mes tjerash tha se Evropa duhet ta sheh Ballkanin si një sistem dhe përgjegjësia të kërkohet në mënyrë kolektive për ndodhitë në këtë rajon.

“Nëse diçka ndodh në Kosovë, kjo padyshim ka pasoja edhe në Serbi dhe në rajon, andaj BE-ja duhet ta sheh këtë vend si një tërësi” tha mes tjerash ai.

Hulumtimin dhe analizën e plotë nga këto katër organizata mund ta gjeni në këtë LINK.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button