Rekomandimi

Maqedonia e Veriut mori rekomandim të pastë për të hapur negociatat për aderim në Bashkimin Evropian. Bëhet fjalë për raportin e progresit më pozitiv që kemi pranuar deri më tani. Në të gjitha pikat e raportit në mënyrë të qartë është përshkruar progresi i vërejtur gjatë vitit të fundit. Rekomandimi për të hapur negociatat e aderimit është jo vetëm i pastër por i kristaltë. Komisioni Evropian ka dhënë dritë jeshile pa asnjë rezervë për hapjen e atyre negociatave duke vlerësuar në këtë mënyrë mundin e këtyre dy viteve, lidhjen e marrëveshjeve historike dhe përpjekjet për të përmbushur kërkesat e reformave urgjente të vendosura në raportet e Pribesë dhe në raportet paraprake të KE.

Në kuadër të kritereve politike është e pamundur të mos vërehen notat dhe vlerësimet shumë pozitive të cilat qëndrojnë të sqaruara në këtë raport. Kështu, raporti përcakton që qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë për të rivendosur sistemin e kontrollit dhe balansit mes institucioneve dhe ka vazhduar të bëjë ndryshime qenësore në një atmosferë politike inkluzive dhe të hapur dhe në këtë mënyre ka arritur rezultate të dukshme në të gjitha sferat e identifikuara në Konkluzat paraprake të Komisionit edhe atë në: gjyqësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në shërbimet inteligjente dhe në administratën shtetërore.

Raporti vëren që qeveria ka pasur qasje të hapur dhe inkluzive për të siguruar kompromisin e nevojshëm për të gjitha ndërmarrjet e lartpërmendura duke përfshirë të gjitha palët si opozitën dhe sektorin joqeveritar. Raporti i progresit e quan Marrëveshjen e Prespës marrëveshje historike dhe thekson rëndësinë e të gjitha veprimeve që janë bërë për zbatimin e saj.

Ajo që mund të përmblidhet duke lexuar me vëmendje të gjitha faqet e këtij raporti janë pikat në vazhdim:

  • Komisioni Evropian vlerëson lartë arritjen e Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes me Bullgarinë. Në disa raste raporti I progresit u referohet pikërisht këtyre marrëveshjeve duke përmendur arritjet e gjertanishme në zbatim dhe duke pritur që ky zbatim të vazhdojë pa pengesa edhe më tej. Këtu pastrohet çdo dilemë që secili subjekt politik mund ta ketë lidhur me këto marrëveshje. Nuk mund të injorohet inkurajimi që Komisioni Evropian e jep lidhur me kahjen që Maqedonia e ka vendosur në orientimin e saj pro-perëndimor përmes arritjes së këtyre marrëveshjeve.
  • Komisioni Evropian ka vlerësuar shumë pozitivisht të gjitha zhvillimet në kuadër të realizimit të reformave në gjyqësi, administrate publike dhe shërbime inteligjente. Në të gjitha këto sfera paraprakisht të përcaktuara veçanërisht në Raportet e Pribesë, Maqedonia e veriut ka marrë vlerësim shumë pozitiv. Qartazi është shënuar përparimi në këto sfera, si dhe është theksuar vlerësimi poashtu shumë pozitiv që kemi mare nga Komisioni i Venecias pikërisht për ligjet që kanë të bëjnë me reformat.
    Kjo duhet pasur parasysh kur dikush thotë se e gjithë energjia e qeverisë në këto dy vite që kaluan ishte koncentruar vetëm tek marrëveshjet fqinjësore të cilat I përmenda tek pika paraprake. Raporti i progresit jep vlerësim të qartë që Maqedonia e Veriut është në rrugën e duhur edhe sa i përket reformave. Sigurisht, Raporti përcakton për shembull që korrupsioni, përgjegjësia e nëpunësve të administrates shtetërore si dhe çështje të tjera mbeten ende çështje ku duhet punuar, por ajo që duhet theksuar është vlerësimi pozitiv për të gjitha institucionet e krijuara ose të reformuara e që merren me këto veprime. Nuk mund të vërehet asnjë note negative por një vlerësim tej mase pozitiv për të gjitha punët dhe përpjekjet që institucionet shtetërore I bëjnë në drejtim të zbatimit të këtyre reformave.
  • Komisioni Evropian ka përshëndetur konceptin e qasjes multietnike dhe inkluzive gjatë udhëheqjes së shtetit. Në disa raste raporti i progresit e përmend pikërisht këtë. Kjo është edhe një dëshmi më tepër për atë se ndasitë të cilat na sollën atje ku ishim vitet e kaluara kanë filluar të relativizohen, dhe qasja inkluzive multietnike është ajo që jo vetëm sjell paqe dhe përparim në vend, por njëherit edhe merr vlerësimin e merituar, sepse kjo është fundja një vlerë evropiane të cilën denjësisht duhet ta përfaqësojnë të gjitha shtetet që aspirojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Komisioni Evropian posaçërisht ka vlerësuar sjelljen e Ligjit për mbrojtje nga diskriminimi si dhe sjelljen e ndryshimeve të Kodit Penal sa i përket sanksionimit më adekuat të kriminalitetit të urrejtjes. Të gjitha këto shkojnë në vazhën e punëve të rëndësishme që bëhen për të siguruar një mjedis inkluziv për të gjithë ata që jetojnë në këtë shtet.
  • Ajo që mua personalisht më bën përshtypje të madhe është qasja e Komisionit Evropian për dy çështje të rëndësishme sa i përket sundimit të ligjit: Ligji për Amnisti për ngjarjet e 27 Prillit dhe arratisja e Gruevskit nga drejtësia. Raporti i progresit jep vlerësim shumë të lartë për punën e Prokurorisë Speciale lidhur me rastet e korrupsionit dhe përmend të gjitha vendimet e rëndësishme gjyqësore lidhur me këto raste. Vlerësohet shumë pozitivisht fakti që është vendosur përgjegjësi penale për të involvuarit në to. Poashtu vlerësohet shumë fakti që është përgatitur ligj i ri për Prokurorinë Publike në të cilin PSP do të jetë pjesë e sistemit të rregullt të prokurorive. Ikja e Gruevskit nuk përmendet askund në Raport, përmendet vetëm fakti që ish-kryeministri është dënuar me aktgjykim final për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Nga ana tjetër, Raporti i progresit e shënon qartë vendosjen e përgjegjësisë për rastin e 27 Prillit.
    Potencon se për këtë rast 16 persona janë dënuar me dënime nga 7 deri ne 18 vjet. Poashtu potencon që lidhur me këtë rast është sjellë ligj për amnisti “në frymën e pajtimit” si që qëndron shprehja në raport, dhe thekson që ky ligj nuk I përfshin organizuesit e ngjarjes të cilët janë në procedure gjyqësore të veçantë për këtë rast. Këto dy pika kyçe na tregojnë prioritetet që Komisioni Evropian vetë dhe heshturazi i ka vendosur. Nuk mund të mos vërehet që Komisioni e arsyeton kompromisin që është bërë përmes Ligjit për amnisti duke pasur parasysh që pikërisht ai kompromis I mundësoi ndryshimet kushtetuese gjatë zbatimit të Marrëveshjes së Prespës të cilën pikërisht Komisioni e quan historike.

Me një raport të këtillë progresi, me të gjitha sakrificat dhe kompromiset që Maqedonia e Veriut i bëri në këto dy vitet e fundit, nuk ka sit ë mos krijohen pritshmëri të arsyeshme që ky shtet të marrë datë për hapjen e negociatave këtë verë. Mosdhënia eventuale e datës do ta vendoste vetë Bashkimin Evropian në një situate të çuditshme hipokrizie ndërsa në Ballkan do të krijonte kushte për trazira të reja dhe kahje tërësisht të padëshirushme të vendeve të këtushme.
Fundja, nëse shteti ka bërë sakrifica të mëdha, ka ndryshuar një pushtet autoritar me një pushtet të hapur dhe inkluziv, ka ndryshuar emrin duke zgjedhur kështu një kontest tridekadësh ndërfqinjësor, ka bërë përpjekje të mëdha të bëjë reformat e përcaktuara nga BE dhe për këtë ka marrë vlerësime të pastra dhe të kristalta pozitive pikërisht nga BE, është logjik e pastër që shteti të marrë date për hapjen e negociatave, sepse këtë e ka merituar me gjithë këto që u përmendën.

E megjithatë, me gjithë rekomandimin e pastër e të kristaltë, ardhmëria mbetet ende e turbullt. Ku është drejtësia këtu?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button