UNMIK-u s’e pranon se zyrtarët e saj bllokuan rrugën në veri, thotë se u rrahën nga policia

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë s’ka pranuar të japë detaje përse u arrestuan dy zyrtarë të vet të martën, gjatë aksionit policor në veri për kapjen e policëve që dyshohet se kanë ndihmuar në kontrabandë, njofton Koha.net.

Të martën ishin arrestuar dy zyrtarë të UNMIK-ut, zyrtari për çështje civile, Mikhail Krasnoshekov me shtetësi ruse dhe një zyrtar tjetër me bazë në Zubin Potok. Sipas Policisë, të dy ishin arrestuar nën dyshimin për pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm dhe pengesën për kryerjen e detyrave zyrtare.

Në një njoftim nga zyra për media e UNMIK-ut, megjithatë thuhet se të dy zyrtarët ishin duke vepruar sipas detyrës së tyre, monitorimin dhe raportimin për situatën që zhvillohej.

“Teksa po kryenin detyrat e tyre të monitorimit dhe raportimit për situatën sipas mandatit të misionit, dy pjesëtarët e UNMIK-ut u ndalën në një operacion të gjerë të policisë në veri të Kosovës, që u zhvillua në mëngjesin e hershëm të 28-majit, me të cilin zyrtarët e Kosovës njoftuan se po synonin rrjetet e dyshimta të organizuara kriminale dhe zyrtarët që dyshoheshin për abuzim të pozitës”, thuhet në një njoftim të UNMIK-ut. “Përderisa po sqarohen detajet, stafi i involvuar ishte duke vepruar në kapacitetin zyrtar kur u arrestua dhe ndalua. Pos kësaj, ka dyshime serioze se policia ka përdorur forcë kundër stafit qartësisht të identifikuar si pjesë e Kombeve të Bashkuara, që tejkalon standardet e arsyeshme. UNMIK-u akoma s’ka pasur komunikim adekuat me autoritetet për arsyen e ndalimit të tyre”.

Se a kanë qenë pjesë e barrikadimit kundër Policisë së Kosovës, UNMIK-u ka thënë se “Stafi po kryente përgjegjësinë e vet të monitorimit dhe raportimit për situatën”.

Lidhur me kërkesën e Prokurorisë, të cilën në UNMIK e përcolli ministria e Jashtme, që të hiqet imuniteti i zyrtarit rus, UNMIK-u ka thënë se nuk mund të komentojë çështjet që kanë të bëjnë me proceset gjyqësore.

UNMIK-u megjithatë ka thënë se mbështet luftën kundër korrupsionit dhe krimit në Kosovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button