Partitë politike e mirëpritën rekomandimin e KE-së për RMV-në, por opozita shqiptare ka kritika

Partitë politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut e kanë përshëndetur marrjen e rekomandimit nga Komisionit Evropian, por të njëjtat vlerësuan se mbetet edhe shumë punë për të bërë që RMV-ja ta marrë datën për nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian (BE), transmeton Portalb.mk.

ASH-ja: Vullneti i mirë i Komisionit Evropian nuk mund të rregullojë strategjinë vetëshkatërruese të qeverisë SDSM-BDI

Partia opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët (ASH) e ka mirëpritur rekomandimin, por ka theksuar se ai nuk përbën ndonjë përparim të madh që duhet të kremtohet nga koalicioni qeverisës SDSM-BDI, pasi që sipas tyre, kur të takohen në samitin evropian të qershorit 2019, liderët e BE-së do të vendosin nëse do të hapin negociata për anëtarësimin, në bazë të “përgjegjësisë për sulmin ndaj Parlamentit të 27 prillit 2017”, “reformave gjyqësore dhe dënimet përfundimtare në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë nivelin e lartë dhe abuzimet e zbuluara nga përgjimet e vitit 2015”, “reformimit të shërbimeve të inteligjencës dhe të sigurisë” dhe “reformave të administratës publike”.

Lideri i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela
Lideri i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela

“Me Nikolla Gruevskin i cili shetit i lirë në një shtet anëtar të BE dhe me Trajko Veljanovski dhe pesë deputetëttjerë që organizuan sulmin terrorist ende në detyrë, koalicioni SDSM-BDI e ka mohuar përgjegjësinë politike. Më keq se kaq, i gjithë procesi është bërë një farsë absolute me dënimin e të pafajshmit Abdulfetah Alimi. Raporti i progresit me të drejtë vë në dukje se korrupsioni është i përhapur në shumë fusha dhe mbetet një çështje shqetësuese. Pavarësia e gjyqësorit nuk respektohet dhe ndërhyrja politike në të mbetet problem i theksuar. Kur bëhet fjalë për dënimet përfundimtare për abuzimet e zbuluara nga përgjimet e vitit 2015, raporti i progresit i referohet dënimit të Nikolla Gruevskit i cili bën turizëm në Budapest dhe Sasho Mijallkovit i cili po shijon komoditetin e Hotel Marriot në Shkup. Me projektligjin për statusin e ardhshëm dhe kompetencat e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), ekziston një rrezik i qartë i amnistisë së përgjithshme që do të lejohej nga politizimi i pasardhësit të PSP, të cilit do t’i hiqenaktakuazat e ngritura pas 30 qershorit 2017 dhe nuk do t’i lejohet të përdorë materialet e përgjimive si dëshmi në procese. Siç është thënë nga Aleanca për Shqiptarët në shumë raste, reformimi i Administratës për Siguri dhe Kundërzbulim në një Agjenci të Sigurisë Kombëtare ka ngritur shqetësime të mëdha. Raporti i progresit thekson se koalicioni qeverisës ka përdorur masivisht emërimet afatshkurtra dhe shkelur në mënyrë konsistente parimin e rekrutimit të bazuar në meritë në administratën publike. Aleanca për Shqiptarët ka theksuar vazhdimisht se administrata është kapur nga koalicioni qeverisës dhe po përdoret si makinë votimi”, thuhet në kumtesën e Aleancës për Shqiptarët.

Lëvizja BESA: Duhet një proces gjithëpërfshirës i seleksionimit të kuadrove profesionale si në gjyqësor, administratën publike dhe në trupat rregullues

Edhe Lëvizja BESA e ka përshëndetur rekomandimin e KE-së, megjithëse thonë se raporti adresoi atë çfarë edhe ata e kanë alarmuar në vazhdimësi se, duhet një proces gjithëpërfshirës i seleksionimit të kuadrove profesionale si në gjyqësor, administratën publike dhe në trupat rregullues.

Lideri i njërit fraksion të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami

“Lëvizja Besa përshëndet raportin e Komisionit Evropian rreth rekomandimit për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkim Evropian të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Shpresojmë që ky rekomandim, kësaj radhe të hasë në mirëkuptim më të gjerë nga gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, me ç’rast do jepet një sinjal shumë i fuqishëm për zhvillimin e Ballkanit perëndimor si dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Poashtu, në raportin e Komisionit Evropian janë notuar edhe disa probleme me të cilat ballafaqohet Maqedonia e Veriut sidomos në sistemin gjyqësor, gjë që nga ana e Qeverisë duhet të merret me seriozitet shumë të madh dhe të fillohet me një qasje inkluzive për zgjidhjen e problemeve që kanë të bëjnë me de-politizimin e gjyqësorit, rritjen e profesionalizmit dhe sundimin e të drejtës. Atë që ka deklaruar Lëvizja Besa në vazhdimësi se në Maqedoninë e Veriut duhet një proces gjithëpërfshirës i seleksionimit të kuadrove profesionale si në gjyqësor, administratën publike dhe në trupat rregullues, është notuar edhe në raportin e Komisionit Evropian, prandaj apelojmë deri te Qeveria, si përgjegjësi kryesor për të ecur këtë proces, që të ketë qasje inkluzive dhe të përfshijë opozitën, sidomos atë shqiptare në procesin e reformave për të krijuar një sistem të besueshëm, transparent dhe kredibël i cili do ishte opsioni i vetëm i sigurt për anëtarësimin e shpejtë të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian”, thuhet në kumtesën e Lëvizjes BESA.

RDK-ja: Maqedonia e Veriut meriton të jetë pjesë e BE-së 

Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) ka vlerësuar se marrja e rekomandimit, tregon haptazi se eurokomesari Johanes Han kërkon hapjen e negociatave dhe marrjen e datës, e cila është dëshmi e punës së palodhshme të shumicës parlamentare, me çka thonë se pritet edhe shumë punë.

Vesel Memedi
Vesel Memedi

“Rilindja Demokratike Kombëtare vlerëson se raporti i fundit i progresit të Maqedonisë së Veriut që u publikua sot nga ana e Bashkimit Evropian, ku z. Hahn haptazi kërkon hapjen e negociatave dhe marrjen e datës  është dëshmi më e mirë e punës së palodhshme dhe vullnetit të pastër të kësaj qeverie dhe shumicë parlamentare për tu bërë pjesë e familjes së BE. Rilindja Demokratike Kombëtare vlerëson se rekomandimi i pakushtëzuar dhe i pastër, është dëshmi më e mirë për vlerësimin e punës së deritanishme të kësaj qeverie dhe shumice parlamentare, nga ana e institucioneve të Bashkimit Evropian. Raporti i BE-së për progresin e Maqedonisë së Veriut, hap dyert e BE për caktimin e datës për bashkëngjitjen e Maqedonisë së Veriut në këtë familje të madhe, dhe në këtë mënyrë do të mund të realizohet qëllimi më sublim që mban kohezionin e brendshëm të vendit. Rilindja Demokratike Kombëtare vlerëson se nuk ka dyshim se na pret edhe shumë punë, por vlerëson se ky hap do të jetë një shtytje e madhe jo vetëm për reformat, por edhe për mishërim të plotë me ndryshimet dhe kërkesat që sjellin këto reforma, që kanë qenë si parakushte për rumbullakësimin e kësaj rruge të gjatë shumë vjeçare të pritjes para dyerve të BE. Ngelim me shpresë se edhe vendet tjera të  Ballkanit Perëndimorë do të na bashkangjiten në rrugën drejt BE-së, me qëllim që ky gadishull të shndërrohet në një vend stabil dhe paqësor”, thuhet në kumtesën e Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK).

LEXO: Zhbogar uroi për vendimin e KE-së, me rekomandimin: Gjyqësori, administrata dhe transmetuesi publik duhet të reformohen
LEXO: Lajme të mira, KE-ja rekomandoi nisjen e negociatave me RMV-në dhe Shqipërinë (FOTO-VIDEO)
LEXO: Këto janë pikat kryesore pozitive të raportit të KE-së për Maqedoninë e Veriut

Ndryshe, pasi Komisioni Evropian rekomandoi nisje urgjente të negociatave ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, ambasadori i BE-së në RMV, Samuel Zhbogar ka numëruar reformat e realizuara dhe të parealizuara të cilat janë kërkuar nga Komisioni Evropian dhe grupi i ekprertëve të udhëhequr nga Rejhar Pribe.

Zhbogar ka theksuar se mbetet edhe shumë punë të bëhet në realizimin e reformave në gjyqësor, në sundimin e shtetit të së drejtës, në reformimin e administratës publike dhe në sigurimin e qëndrueshmërisë financiare të transmetuesit publik, ndërkaq si pozitive e ka vlerësuar miratimin e kornizave ligjore në fushën e sigurisë, të antikorrupsionit, të mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të diskriminimit.

Ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar, sot ua ka dorëzuar raportin e progresit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, presidentit të shtetit Stevo Pendarovski, kryeministrit Zoran Zaev, kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi, dhe përfaqëusesit të pushtetit gjyqësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button