Shkup, ka filluar seminari i posaçëm “Hapat e ardhshëm drejt NATO-s”

Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka filluar seminari i posaçëm dyditor kushtuar Republikës së Maqedonisë së Veriut, me temë “Hapat e ardhshëm drejt NATO-s”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në seminarin që organizohet nga qendra për studime të sigurisë “George C. Marshall”, përpos kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, fjalime hyrëse kishin edhe ambasadori i Gjermanisë në Shkup, Thomas N. Gerberich dhe u.d. ambasadorja e SHBA-ve në Shkup, Micaela Schweitzer-Bluhm.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve, kryeparlamentari Xhaferi tha se ky eveniment “është indikator i qartë se ndajmë qëllime dhe vlera të njëjta”, duke shtuar se kjo është arritje e procesit të anëtarësimit të vendit në NATO.

“Dua të theksoj se me anëtarësimin tonë në NATO, nuk përfundojnë ‘detyrat tona shtëpiake’. Përkundrazi, anëtarësimi i plotfuqishëm në NATO imponon gjithashtu shumë punë në shtëpi, në rajon dhe në strukturat e Aleancës së NATO-s”, tha Xhaferi.

Ambasadori i Gjermanisë në Shkup, Thomas N. Gerberich, tha se Maqedonia e Veriut me të vërtetë është shndërruar në një storje suksesi në Ballkanin Perëndimor.

“Në dy vitet e fundit, qeveria e udhëhequr nga kryeministri Zaev ka arritur rezultate madhështore. Maqedonia e Veriut aktualisht është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që nuk ka probleme me fqinjët”, tha ambasadori gjerman.

U.d. ambasadorja e SHBA-ve në Shkup, Micaela Schweitzer-Bluhm, në fjalimin e saj tha se Maqedonia e Veriut po kalon në një periudhë kyçe, me anëtarësimin në NATO.

“Kur t’i bashkangjiteni NATO-s, nuk do të jemi thjesht partnerë, por do të jemi aleatë. Do të kemi marrëdhënie më të thella dhe përkushtim më të thellë ndaj njëri-tjetrit”, tha ambasadorja amerikane.

Gjatë seminarit dyditor, është paraparë që përfaqësues të lartë të NATO-s të përfshihen në debate interaktive me përfaqësues të institucioneve në tema siç janë mënyra e funksionimit të NATO-s, struktura organizative, mënyra e financimit, koordinimi kombëtar dhe ndërkombëtar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button