Eraldin Fazliu: Në Kosovë dezinformatat që vijnë nga politikanët janë më të shpeshta

Eraldin Fazliu, kryeredaktori i Prishtina Insight, në një intervsitë me Portalb.mk thotë se dezinformatat që vijnë nga politikanët kosovar janë më të shpeshta. Ai thekson se një prej probleme të mëdha në Kosovë është dezinformimi me elemente vizuale. Përdoren fotografi dhe pamje të marra nga ndonjë vend tjetër, pamje të vjetërsuara ose gabuara dhe joadekuate. Me këtë tentohet të krijohet panik dhe lajmet e tilla kanë potencial për të shqetësuar njerëzit madje edhe të rrezikojë sigurinë individuale si dhe publike.

Intervistoi: Elida Zylbeari

Cilat janë sfidat më të mëdha e procesit të dezinformimit në Kosovë?

Fazliu: Në Kosovë, shpesh ndodh që dezinfomatat dhe keqinformimi ndodhin për shkak të informimit të dobët të vet gazetarët duke u krijuar kështu edhe gabime të paqëllimshme të cilët më pas shpërndahen si një valë më e madhe e të pavërtetave.
Gjithashtu, një prej probleme të mëdha në Kosovë është dezinformimi me elemente vizuale. Përdoren fotografi dhe pamje të marra nga ndonjë vend tjetër, pamje të vjetërsuara ose gabuara dhe joadekuate. Me këtë tentohet të krijohet panik dhe lajmet e tilla kanë potencial për të shqetësuar njerëzit madje edhe të rrezikojë sigurinë individuale si dhe publike.
Kemi ligj për qasje deri te dokumenteve zyrtare por kemi raste kur na jepen dokumente gjysmake, apo dhe nuk na jepen sepse konsiderohen si konfidenciale apo sekret shtetëror. Gjejnë arsyetime gjithnjë që të mos japin dokumentet që na duhet.
Por “Krypometri” në Kosovë demaskon të pavërtetat dhe dezinformatat duke u nisur nga funksionarët, politikanët e deri te kolegët gazetarë.

Cilat janë dezinformatat dhe manipulimet më të shpeshta në Kosovë? 

Fazliu: Është vështirë të kategorizohen në më të shpeshta se vërtetë ka të ndryshme. Dezinformatat që vijnë nga politikanët janë më të shpeshta. Kishim rastin më eklatant kur presidenti i shtetit publikisht i thotë gazetarit se gënjen për një çështje me interes publik, dhe atë me dhjetëra herë, por që në fakt gazetari nuk ka gënjyer dhe kishte komplet të drejtë.

Nga vijnë dezinformatat?

Fazliu: Raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë posaçërisht sferë ku ka më shumë dezinfomata. Kjo është si pasojë edhe e barrierës gjuhësore por edhe shkaku i çështjes së pazgjidhur mes dy shteteve dhe potencialit për tensione etnike mes dy vendeve. Mediat e Serbisë përcjellin  të pavërteta për Kosovën qoftë nga vet ata qoftë të marra nga funksionarë serb, dhe kjo nganjëherë bartet pa u konfirmuar dhe duke u keq-përkthyer dhe keqinterpretuar edhe te mediat tona.

A janë aktive shoqatat mediale në luftën kundër dezinformatave? 

Fazliu: Kemi Këshillin e Mediave të Shkruara (KMSHK) që është trup vetërregullues ku janë të anëtarësuara mediat më serioze në vend. Ata diskutojnë publikisht dhe në mënyrë interne marrin vendime dhe kundërmasa për ndonjë medium apo për të sanuar dëmin që ka shkaktuar informimi i keq. Organizojnë seminare dhe trajnime.
Por problemi është se në këtë shoqatë nuk janë anëtare të gjitha mediat online sepse ka shume portale që nuk e dimë kush janë por dhe dezinformojnë. Ka dhe organizata që me anë të projekteve mundohen të bëjnë aktivitete kundër keqinformimit, të shkruajnë dhe të organizojnë ngjarje publike.

A planifikon Qeveria kosovare të ndërmerr aktivitete kundër dezinformatave dhe sa është aktive?

Fazliu: Nuk ka ndonjë aktivitet të posaçëm. Madje çfarë e bën situatën më keq është se shumë prej resorëve të Qeverisë paguajnë reklama në media online të panjohura dhe as të regjistruara. Për marketing politik dhe aktiviteteve të tyre politike, ministritë e caktuara paguajnë mediat jo-kredibile. Madje pas këtyre mediave janë njerëz të vet ministrisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button