Nëse nuk do të isha unë

Nëse nuk do të isha unë
tjetër kush do të banonte
në apartamentin
ku sot banoj unë,
në të njëjtin qytet, adresë.

Dhe ditët po këto do të ishin
me të gjitha stinët brenda,
të gjitha ngjarjet,
gëzimet, kënaqësitë,
vuajtjet, mërzitë,
mallet, brengat,
dyshimet, fatet,
fatkeqësitë, marrëzitë,
si furgonë të stërmbushur mallrash.

Dhe netët po këto do të ishin
në gjum të thellë zhytur,
me macet
që mjaullijnë në park,
qentë endacakë
që lehin pa ndonjë shkak,
tok me të pastrehët
në stole rrugësh
dhe shtretërit e lodhur
nga pagjumësitë e gjata
që dritë e mëngjesit
i miklon
si dorë e dhembshur nëne.

Nëse nuk do të isha unë
tjetër kush i njëjtë si unë
mund të dilte në ballkon
për të pirë kafe e duhan
dhe duke e soditur rrugën
si udhëtarin e lodhur,
befas mendja
mund t’i shkonte
atje prapa maleve,
në shtëpinë e fëmijërisë së tij,
të cilën mund ta kishte
braktisur
dhe tek kujtimet
që dot nuk ia zuri
asnjë valixhe
e tek ca ëndrra
si rroba të grisura
nga një gjemb i çoroditur
ferre
në mes të rrugës
dhe tek fjala,
fjala e dhënë
se në gjirin e vet
do ta mbajë,
fortë do ta shtrëngojë
pak vend do të bëj për të.
Herahershëm
në monopate pikëpyetjesh
duke u endur
si hijet e pasdites në verë.

Dhe më kot do të pyeste,
ku humbi vallë
ai vështrim i hareshëm
ai gaz mënjolle,
kur si një zog
në një degë të bleruar prilli
në fytyrë do t’i varej
trishtimi.

Nëse nuk do të isha unë
tjetër kush i njëjtë si unë
mund t’i vuante,
shtirjet, padrejtësitë,
hakmarrjet, babëzitë,
humbjet, dështimet,
tradhëtitë,
duke ua hapur
rrugën shpesh
si atyre
që dot nuk merremi vesh.

Dhe kur veten të lodhur
ta ndjente
për të qetësuar kokën
të dëshironte të ikte
diku,
larg.
Shumë larg.

Mund të kishte pasur të afërm
që do t’i kishte harruar
dhe ta kishin harruar
tashmë,
ndërsa edhe kur t’i takonte
nuk do të kishte
çfarë t’u thoshte
dhe të largët
që tani do të ishin
të afërmit e tij.

Nëse nuk do të isha unë
tjetër kush i njëjtë si unë
mund të ishte i pranishëm
në takime, ceremoni,
gëzime e hidhërime
të përbashkëta familjare,
të pashmangshme
si faturat në çdo fundmuaj.
Ndërsa, heraherës
i indinjuar
në vetvete të shfrynte
për kohën e shpenzuar
si paratë e fundit
në supermarket,
e që nuk qëlloi
në një vend tjetër
ku mund të jetonte më mirë
me familjen e tij,
sepse mund të kishte fëmijë
dhe të brengosej për to
dhe të ardhmen e tyre
të lozte me to,
përpara gjumit
t’u lexonte përralla,
dhe për çdo pyetje
më të madhe se shtati
dhe vitet e tyre
përgjigje të mund të kishte.
Pa e ditur ndonjëherë
nëse është ai që i mban
për dore fëmijët
apo janë ato
që për dore e mbajnë atë.

Kur të rriteshin t’u rrëfente
për jetën
dhe të shkuarën e tij,
dashuritë e tij,
ëndrrat e tij,
pengjet e tij,
dhe padashur
ca lot t’i pikonin
si shiu i mbetur në degët e pemëve
që e lëkundin zogjtë
kur të jetë qetësuar moti.

Mund të kishte një bibliotekë
me libra.
Të lexonte çdoherë
që t’i jepej mundësia.
Ta donte vetminë
ose mund të kishte një zanat
krejt tjetër.
S’është e thënë të shkruante poezi.

Poezi nga Daim Miftari

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button