Zaev: Edhe ne së shpejti do të shpallim tenderin për autostradën “Arben Xhaferi” (VIDEO)

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev gjatë fjalimit të tij në përurimin e autostradës “Arben Xhaferi” tha se kjo autostradë moderne do të përshpejtojë dinamikën e marrëdhënieve mes qytetarëve, mes bashkësive të beznesit të më shumë vendeve të rajonit tonë, dhe siç shtoi më tej Zaev, së shpejti do të shpallet edhe tenderi për  ndërtimin e autostradës nga Maqedonia, transmeton Portalb.mk

“Kjo autostradë moderne nga sot bëhet pjesës e sistemit të autostradave që e bën rajonin tonë më të lidhur, më të afërt. Autostradë që do ta përshpejtojë dinamikën e marrëdhënieve mes qytetarëve, mes bashkësive të beznesit të më shumë vendeve të rajonit tonë. Dua t’ua uroj të gjithë liderëve kosovarë, kompanive private dhe publike, investitorëve dhe të gjithë përkrahësve për këtë projekt të rëndësishëm infrastrukturor. Autostrada “Arbër Xhaferi” paraqet motivim edhe për ne që të përshpejtojmë procedurën. Edhe ne së shpejti do të shpallim tender për 14 kilometra rrugë nga Bllaca deri në Shkup, me çka rruga Shkup-Prishtinë do të përshkohet për 45 minuta”, tha Zaev gjatë fjalimit të tij në përurimin e autostradës.

Ndryshe, me autostradën “Arbër Xhaferi” do të lidhet autostrada Shkup – Bllacë, për të cilën nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore (NPRrSh) ende nuk është hapur tenderi për punët ndërtmore, ndërkaq ai mbikëqyrës i cili është mbyllur më 22 prill 2019, ende është në fazën e evaluimit. Pa përzgjedhjen e kompanisë që do ta realizojë mbikëqyrjen e punimeve ndërtimore, nuk do të hapet tenderi për punët ndërtimore.

“Tenderi ende është në fazë të evaluimit të ofertave. Për momentin nuk mund të japim më shumë informacione”, njoftuan për Portalb.mk, nga sektori për Furnizime Publike i NPRrSh-së.

Paraprakisht drejtori i NPRrSh-së, Zoran Kitanov deklaroi se: “Pasi të përzgjidhet operatori mbikëqyrës, do të hapet tenderi për punimet ndërtimore”, tha Kitanov.

Rëndësia e ndërtimit të autostradës Shkup – Bllacë, është sepse ajo do të mundësojë lidhjen me autostradën “Arbër Xhaferi”, e cili lidhet me autostradën “Ibrahim Rrugova”, që bashkërisht mundësojnë lidhje rrugore të RMV-së me Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Përndryshe, për autostradën Shkup – Bllacë u tha se në muajin shkurt duhet të hapet tenderi për fazën e parë. Faza e parë do të fillojë nga kufiri Bllacë – Hani i Elezit dhe do të jetë e gjatë 2 kilometra. Punimet në terren për këtë fazë do të zgjatin 18 muaj.

Faza e dytë – Do të fillojë nga Bllaca deri në Shkup, do të jetë e gjatë 10.5 kilometra, ndërkaq projektimi pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2019. Tenderi do të hapet në fillim të vitit 2020. Do të ketë 4 tunele në gjatësi prej 4 kilometra, 8 ura dhe objekte të tjera. Do të jetë në dy drejtime, me nga dy korsi me gjatësi prej 3 metra, dhe një korsi për ndalesë me gjerësi prej 2.5 metra. Punimet për këtë fazë do të zgjatin 36 muaj.

Gjatësia e tërë autostradës do të jetë 12.5 kilometra, do të kushtojë 110 milionë euro, do të ketë 4 tunele, 8 ura, ndërkaq pritet të përfundojë për 54 muaj – 4.5 vjet. U paralajmërua edhe vendosja pikëpagesave rrugore.

Paralajmërimi për ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë në dy faza dhe në kohëzgjatje prej 54 muaj ka ngjallur reagime të shumta në opinion. Qytetarët në mënyrë ironike komentuan se me kazmë do ta ndërtonin më shpejtë, e kurse sipërmarrësit thonë se kjo do ta ulte fitimin dhe do të rriste shpenzimet e ndërmarrjeve që gravitojnë në zonën ekonomike të Vizbegut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button