Prej 1 deri 13 qershor do të zhvillohet matura shtetërore, janë paraqitur 15 553 kandidatë

Testi për gjuhë të huaj, (anglisht, frëngjisht, gjermanisht apo rusisht) më 1 qershor nga ora 10, është i pari nga tre provimet eksterne të maturës shtetërore për vitin shkollor 2018/2019. Për maturë këtë vit janë paraqitur gjithsej 15 553 nxënës, nga të cilët 7 692 janë nga gjimnazet, 7 604 nga arsimi i mesëm profesional dhe 257 nga arsimi i mesëm i artit.

-Është e dukshme se pothuaj kemi barazim të numrit të kandidatëve nga gjimnazet dhe nga shkollat e mesme profesionale, që është edhe tendencë – zmadhohet numri i kandidatëve për provimet nga arsimi i mesëm profesional, deklaroi për AIM Lidija Gjoshevska, drejtoreshë e Qendrës shtetërore për provime (QShP).

Për provimin e gjuhëve të huaja të shtunën janë paraqitur: 14 413 për gjuhë angleze, 59 për frëngjisht, 201 kandidatë për gjuhë gjermane dhe 15 për rusisht.

Një jave pas provimit të parë ekstern, të shtunën më 8 qershor, do të jetë provimi ekstern për gjuhë amtare (maqedonisht, shqip ose turqisht) dhe letërsi, për të cilin janë paraqitur gjithsej 15 279 maturantë. Sipas të dhënave nga QShP, për gjuhën maqedonishte provim do të japin 10 386 maturantë, për gjuhë shqipe 4 566 dhe turqisht 327.

Më 11 qershor do të mbahet provimi i tretë ekstern. Risi për këtë vit është që ndërmjet lëndëve për herë të parë mund të zgjedhet edhe sociologjia, lëndë për të cilën janë paraqitur 569 kandidatë. Sikurse në maturat e kaluara shtetërore, më së shumti të paraqitur ka për biznes (4 206), për histori 2 407, biologji provim do të japin 3 631, filozofi 2 691, kimi 227, fizikë 128 dhe estetikë 166 maturantë.

Më 13 qershor do të mbahet testi i matematikës me 2 049 kandidatë të paraqitur.

Për zbatimin e maturës shtetërore janë angazhuar 2 388 mësimdhënës – testues dhe 200 vëzhgues nga Ministria për arsim dhe shkencë, Qendra Shtetërore për provime dhe Byroja për zhvillim të arsimit.

Në pajtim me afatin ligjore, sipas të cilit rezultatet e para duhet të publikohen më së voni deri një muaj pas mbajtjes së provimit të fundit, ato priten deri më 13 korrik të vitit 2019.

Kandidatët që nuk do ta kalojnë maturën shtetërore ose nuk do ta kalojnë tërësisht, do të mund sërish të japin provimin në sesionin e gushtit, më 12, 13, 14 dhe 15 gusht kur provimet janë me orarin e njëjtë sikur edhe në qershor.

Projekti i maturës shtetërore në vend organizohet nga viti 2007. Kalimi me sukses i maturës shtetërore është kusht për regjistrim në fakultet. Maturantët që nuk planifikojnë të vazhdojnë në arsim të lartë, i nënshtrohen maturës shkollore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button