Kush janë bashkëpunëtorët e kryeministrit Zaev, ka 63 këshilltarë mes tyre edhe mbështetës të Gruevskit

Numri i bashkëpunëtorëve të jashtëm të Zoran Zaev është rritur në 39 persona. Së bashku me këshilltarët e rregullt, ai ka gjithsej 63 këshilltarë. Këto janë sa dy të tretat e numrit të këshilltarëve të ish kryeministri Nikolla Gruevskit, për të cilin qeveria e LSDM-së vitin e kaluar e bëri publike se, për një vit, ka shpenzuar 1.7 milionë euro për 91 këshilltarë të jashtëm. Sipas ligjeve, kryetari i qeverisë ka këshilltarë shtetërorë (24) të punësuar rregullisht, ndërsa ka të drejtë të angazhojë një numër të pakufizuar këshilltarësh të jashtëm, shkruan Nova dhe IRL Maqedoni. Një këshilltar i tillë mund të marrë kompensim prej një kësti, të angazhohet në ndonjë projekt për një periudhë të caktuar kohore, por edhe të jetë në listën e honorarëve të rregullat mujore.

Ndër emrat e ri me honorar të rregullt janë edhe profesori universitar i Katedrës së gjuhës maqedonase Venko Andonovski dhe Aleksandar Ruzhin, i biri i ish-diplomatit dhe profesor aktual në FON Nano Ruzhin.

Zaev ka këshilltarë të jashtëm në pothuajse të gjitha fushat – ekonomia, diplomacia, shëndetësia, politika rajonale, çështjet sociale, marrëdhëniet me publikun etj. Midis tyre ka profesionistë të shquar vendas dhe ndërkombëtarë, por ka edhe angazhime kontroverse.

Lista e këshillëdhënësve të kryeministrit shpesh është kritikuar për kompetencat dhe lidhjet e dyshimta të këshilltarëve të caktuar me figura të biznesit dhe të nëntokës. Një pjesë e mirë e vërejtjeve kanë të bëjnë me keqpërdorimin e funksioneve të këshilltarëve në kabinete për qëllime partiake dhe personale.

Nga estrada lokale deri te këshilltar për Beneluksin

Nga fillimi i vitit, Aleksandar Ruzhin u bë këshilltar diplomatik i kryeministrit. Në përgjigjen e qeverisë thuhet ai se çdo muaj merr 50.000 denarë për të dhënë këshilla për “bashkëpunimin ekonomik, social dhe kulturor me vendet e Beneluksit (Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu) dhe Francën”.

Aleksandar Ruzhin është 36 vjeç. Është anëtar i Partisë liberale demokratike (LDP), ashtu si babai i tij Nano Ruzhin, i cili më parë ka shërbyer si ambasador në NATO. Është i lindur në Paris në vitin 1983. Asokohe babai i tij studionte në metropolin francez. Ka kompani private për shitjen e gomave dhe bandazheve  – Beneluks Tuning.

Ambiciet politike të Ruzhinit bëhen më të dukshme gjatë protestave anti-qeveritare duke filluar në vitin 2015. Ai shpesh fotografohej në mitingjet e opozitës së atëhershme me zyrtarë të lartë të LSDM-së. LDP është pjesë e lëvizjes opozitare, e cila shpesh shihet si satelit i LSDM-së. Ai dhe familja e tij mund të shihen në foto me liderin e LDSM Zoran Zaev dhe, më shpesh, me bashkëshorten e tij Zorica.

Aleksandar Ruzhin dhe Vice Zaev
Aleksandar Ruzhin dhe Vice Zaev

Në përgjithësi, historia profesionale në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare të Ruzhinit, me një fjalë është – e varfër. Deri para do kohe, ai ishte më i pranishëm në lajmet nga estrada, ndërsa më shumë popullaritet fitoi si i dashuri i pop yllit kroat, Antonia Shola. “Aleksandar Ruzhin, xhet-seteri nga Maqedonia është singël“, ​ky ishte konteksti, në të cilin informohej deri para pak kohe për djalin e diplomatit.
Shpesh në profilet e tij, në rrjetet sociale, ai ndan foto të makinave të shtrenjta dhe nga udhëtimet, si dhe nga daljet në mbrëmje. Para dy vitesh u sprovua edhe si bloger. Së bashku me të dashurën e tij nga ajo kohë, Elena filloi të prodhojë video për stil të jetesës dhe me mesazhe për dashuri dhe lumturi.

Në një nga intervistat e pakta politike që ai ka dhënë, e përshkruan veten si dikush që “qysh si student ka qenë i interesuar për evolucionin politik”. Në intervistën e njëjtë për portalin “Idol.mk” ai thotë se kishte sjellë investitorë të rëndësishëm nga Belgjika dhe Franca”, dhe ka shkruar punim për lobimet e tij për investime.

IRL ka kontaktuar me Aleksandar Ruzhinin. E pyetën se si kishte rrjedhë oferta me kryeministrin, cilat janë njohuritë e tij me kushtet në vendet e Beneluksit dhe Francë, çfarë ka bërë në mandatin e tij dhe me iniciativë të cilit është bërë këshilltar i kryeministrit. Vetë i kërkoi pyetjet me shkrim.

“Jam në udhëtim zyrtar me një delegacion, m’i shkruani pyetjet”, ishte përgjigja e tij e parë dhe e vetme.

Pyetëm edhe në qeverisë, e prej atje u përgjigjën shkurtimisht duke mos zbuluar detaje për rezultatet e angazhimit të Ruzhinit.

“Bashkëpunëtori i jashtëm Aleksandar Ruzhin, sipas lëndës së kontratës është bashkëpunëtor i jashtëm për bashkëpunim ekonomik, social dhe kulturor në mes të RMV-së me vendet e Beneluksit dhe Francës, për çka i posedon njohuritë dhe kontaktet përkatëse”, thonë nga qeveria.

Kryeministri ka shtatë bashkëpunëtorë të jashtëm,të cilët punojnë në projekte apo e këshillojnë për çështje të politikës së jashtme dhe rajonale. Midis tyre janë emra të shquar si Presidenti i këshillit Euro-Atlantik, Ismet Ramadani. Ramadani ishte i hapur për të biseduar dhe për të ndarë me publikun për atë se çfarë punon.

“Bëjmë analiza dhe raporte mujore lidhur me anëtarësimin tonë në NATO, të cilat ia paraqesim kryeministrit. Veç kësaj kemi konsultime para takimeve zyrtare në vend ose jashtë, kur vijnë delegacione ose kur përfaqësuesit tanë shtetërorë kanë takime me homologët e tyre në fushën e mbrojtjes ose të NATO-s “, tha Ismet Ramadani, kryetar i shoqatës jo qeveritare Këshilli Euro-Atlantik i Maqedonisë, i cili e këshillon kryeministrin për realizim të përcaktimeve strategjike të RMV për anëtarësimin në NATO”.

Shkrimtari i preferuar i të gjitha qeverive – këshilltar i një projekti të fshehtë në Beograd

Venko Andonovski është shkrimtar i njohur maqedonas. Për vite ai shkruan kolumna për zhvillimet shoqërore në gazetën ditore “Nova Makedonija”.

Vitet e fundit në publik ai u kritikua se e ka mbështetur Gruevskin me heshtjen e aferave të mëdha që preknin thellë të drejtat themelore të qytetarëve, si liria e fjalës. Andonovski ishte një nga artistët të cilët publikisht e falënderonin dhe lavdëronin ministren e kulturës Elizabeta Kançeska Milevska, për çka ishte subjekt i kritikave dhe talljeve nga esnafi i kulturës. Ai është këshilltar për projekt sekret të kulturës në Beograd i cili mund edhe të dështojë.

“Falënderim jashtëzakonisht të madh për ministrin. Kemi si rrallë herë ministre në Qeveri e cila angazhohet aq shumë për kulturën e vendit të vet”, tha Andonovski për Kançeska Milevskën, ministrja e cila ka pasur një rol të rëndësishëm në mundësimin e depërtimit të nacionalizmit në kulturë dhe në projektin ideologjik-korruptiv “Shkupi 2014”.
Në kolumnat e tij Andonovski përpiqej të ruajë iluzionin e kritikës, por në rrjetet sociale dhe anembanë akuzohej se po i kritikon të dobëtit, e jo të fuqishmit. Ai shpesh shkruan për mentalitetin e popullit maqedonas, e si shembuj shpesh e ka marrë kulturën e shitëseve në markete, kasapët, personat me tatuazhe dhe të ngjashëm.

Venko Andonovski duke u drejtuar në promovimin e librit "Filantropia e doktor Vanço Çifliganec." Në publik janë kreu u KOM, kryeministri Zoran Zaev,zëvendëskryeministri Koço Angjushev dhe personalitet tjera në shtator 2018
Venko Andonovski duke u drejtuar në promovimin e librit “Filantropia e doktor Vanço Çifliganec.” Në publik janë kreu u KOM, kryeministri Zoran Zaev,zëvendëskryeministri Koço Angjushev dhe personalitet tjera në shtator 2018

Andonovski është autor i tre pjesëve të biografisë së biznesmenit kontrovers Vanço Çifliganec, i cili akuzohej për korrupsion dhe tregti me ndikimin, nga partia e atëhershme opozitare, tani në pushtet – LSDM. Në dy promovimet e para të arritjeve jetësore të manjatit në ndërtimtari Andonovski lexonte fragmente para zyrtarëve të lartë të qeverisë së VMRO-DPMNE-së. Në promovimin e librit të tretë te Çifliganec erdhi kryeministri Zoran Zaev së bashku me zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Koço Angjushev. Biri i biznesmenit Dushko është në një lidhje më të gjatë dashurie me bijën e vëllait të Kryeministrit, Evën.

Andonovski është i angazhuar në fillim të vitit, ndërsa kontrata e tij është deri në fund të vitit. Në dokumentin e qeverisë thuhet “Projektimi i strukturës dhe funksionimit, përgatitja dhe shqyrtimi i mundësive konkrete në terren për hapjen e një Qendre shtetërore të Maqedonisë për kulturë në Serbi. Merr një paushall prej 40,000 denarë në muaj. Ai thotë se angazhimi i tij me iniciativën e tij. Ideja paska qenë e vjetër, por qeveria e re ka treguar interes.

“Tani kam propozuar dy projekte, njërin ia pata propozua edhe qeverisë së mëparshme, e cila nuk kishte interes dhe për befasinë time të këndshme, kjo qeveri tregoi interes për ta”, thotë Andonovski.

I pyetur për detajet e projektit, ai tha se nuk mund t’i zbulonte sepse nuk dihet nëse do të kenë sukses.

“Bëhet fjalë për dy projekte kulturore ndërkombëtare, për të cilat kam zhvilluar elaborate të hollësishme. S’mund t’i zbuloj sepse janë në fazën e elaborimit. Mund të ndodhë edhe që asgjë të mos realizohet”, thotë Andonovski dhe këshillon që të priten rezultatet e para. Megjithëse nuk donte të zbulonte detaje, ai tha se këto ide janë ëndrrat e tij rinore.

“I mbaj ato qysh nga rinia, e tani vjen një kohë që më duket e përshtatshme për realizim”, thotë Andonovski, duke shtuar se të gjithë artistët do të përfitonin nga projektet misterioze.

Andonovski ishte pjesë e artistëve dhe profesorëve të cilët kundërshtuan Marrëveshjen me Greqinë dhe e kritikuan ashpër qeverinë.

“Ende e mbaj qëndrimin që Maqedonia pagoi një çmim tepër të lartë për pranim në NATO dhe BE duke ndryshuar emrin. Por, gjithashtu, nuk mendoj se për shembull, futbollistët tanë më të mirë duhet të ndalojnë të luajnë futboll për ekipin kombëtar, sepse vendi ka marrë një shtojcë në emër. Unë muajin e kaluar pagova tatimin e pronës në emrin REPUBLIKA E MAQEDONISË SË VERIUT. Nëse s’e paguaj, do të shkoj në burg. Pra, më pëlqeu apo jo mua, unë jam qytetar i Republikës aktuale të Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Andonovski.

Të qenit këshilltar

Kryeministri mund vetë t’i zgjedh bashkëpunëtorët. Gjatë 15 viteve të fundit, është e dukshme rënia e cilësisë në përzgjedhjen e njerëzve, të cilët duhet t’u japin mend kryeministrave dhe presidentëve, të cilët, nga ana tjetër, vendosin për fatet e të gjithë qytetarëve.

Denko Maleski
Denko Maleski

Profesori Denko Malevski dhe ministri i parë i jashtëm i Maqedonisë këto ditë është aktuali si këshilltar për politikë të jashtme të presidentit Stevo Pendarovski. Malevski konsiderohet intelektual i shquar dhe njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare. Ai ishte një nga profesorët më të popullarizuar të Fakultetit Juridik në UKM.

“Këto pozita sipas një rregulli të pashkruar u jepen njerëzve me bagazhe profesionale dhe autoritet në fushën në të cilën duhet të këshillojnë. Në Maqedoni, duket se këto pozita ekzistojnë për të akomoduar partizanët e dëgjueshëm”, thotë Malevski.

Kur kancelarja gjermane Angela Merkel vendosi të dërgojë për Zaevin një këshilltar, në llogari të tyre, i cili do të punojë dhe do ta këshillojë qeverinë Zaev për politikat ekonomike dhe reformat në përdorimin e fondeve evropiane, ata e dërguan Valter Defa.

“Valter Defa është person i cilin luan në piano, i pëlqen greqishtja vjetër dhe luan golf. Ka drejtuar dy drejtori në Komisionin Evropian, drejtorinë më të madhe, atë për taksa dhe dogana, e pastaj nga viti 2012 deri në vitin 2016, edhe Drejtorinë për politikë rajonale dhe urban, “do të shkruajnë mediat për këshilltarin e jashtëm gjerman, falas, të Zaevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button