FYROM, një histori dështimi

Shtetet multietnike, të cilat ishin pjellë e ish-Jugosllavisë, vuajnë nga e njëjta sindromë, pamundësia e shtetndërtimit mbi premisat e reja. Sado të përpiqemi ta fshehim këtë të vërtetë, simptomat janë sa të verifikueshme, po aq të pashërueshme.  Kjo ndodh në Bosnjë-Hercegovinë, FYROM e në ndonjë shtet tjetër. Shkaku kryesor mbetet strategjia e gabuar e krijimit të shteteve shumetnike mbi premisat e një sëmundjeje të vjetër, e cila rezultoi rrënuese (rasti i Jugosllavisë).

Në këto kushte, imponimi i idesë për riciklimin e parimeve të bashkim-vëllazërimit vetvetiu prodhon kriza që mund të shkaktojnë edhe tragjedi, siç ka ndodhur në të kaluarën jo shumë të largët. Pra, mjafton ta shohim “malin përtej drurëve” për të ofruar sintezën e problemeve që shfaqen të shtetet e brishta. Bie fjala, rrënjët e problemeve me të cilat ballafaqohet aktualisht fqinji ynë (FYROM), kryesisht ato të karakterit ndëretnik dhe ndërfqinjësor, duhen kërkuar te projektet e gabuara, pasojat e të cilave janë alarmante. Ky shtet nuk u krijua mbi premisat e një projekti të qëndrueshëm ku të gjitha etnitë të kishin të drejta të barabarta civile, juridike dhe politike. Për pasojë, çdo projekt, i cili përjashton veçantitë kulturore, etnike apo historike të një populli tjetër, shndërrohet dramë më vete, aq sa e nesërmja mund të na rrëfejë një histori vetëndëshkimi, për rrjedhojë, dështimi.

2- Tashmë, si kurrë më parë, përplasjet etnike shfaqen jo vetëm në institucionet e sistemit, kanë zbritur rrufeshëm në terren. Gjuha e urrejtjes dhe e fyerjeve është e pandalshme, ato gëlojnë në ambientet publike, në shkolla, spitale, në manifestimet kulturore dhe sportive, në rrugë e lagje, në libra shkollorë dhe paketohen në të ashtuquajturën palo-Enciklopedi, tashmë së fundi edhe në koncerte në praninë e Kryeministrit dhe Presidentit maqedonas.

Nga sa thamë më sipër, plus nëse nënvizojmë edhe kompleksin maqedonas në raport më të vërtetat historike (mungesën e identitetit të tyre), vijmë në konstatimin se as dje, as sot dhe me gjasë as nesër, FYROM nuk mund të jetë shtet funksional. Siç po rrjedhin ngjarjet, dështimi është evident, ngaqë ata (maqedonasit), zëshëm thonë se nuk duan shtet të përbashkët me shqiptarët dhe, nga ana tjetër, nuk kanë përgjigje se si duan ta ndërtojnë shtetin e tyre. Ndërkaq, nga ana tjetër, politikisht shqiptarët vazhdojnë të rendin pas përpjekjeve për një shtet të përbashkët, por që nuk kanë arritur as minimumin e kërkesave të tyre.

3- Dilemat e sipërpërmendura janë prezente sot e gjithë ditën, aq sa ballafaqohemi në çdo moment me veprime tragjikomike. Kështu do t’i konsideroja edhe ngjarjet më të fundit që po ndodhin atje. Ndërsa pala maqedonase mëton të konkretizojë akte arbitrare që bien ndesh me parimet demokratike, Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Ohrit, nga ana e saj, partia shqiptare në pushtetin pa pushtet (BDI), e dorëzuar pa asnjë kusht qysh në krijimin e qeverisë, preferon gjestet si forma përfitimi dhe reagimi.

Me të drejtë shtrohet pyetja: Ekziston realisht krizë qeveritare, apo jo? Nëse marrim në konsideratë krizën ekonomike, institucionale, etnike, morale e kështu me radhë, përgjigjja është komplekse. Sakaq, “kriza” që na ofrohet si krisje mes koalicionit qeveritar është krejtësisht e rrejshme, madje është një skenar në formë i besueshëm, por në esencë teatral dhe amatoresk. Mjafton të rikujtojmë një mori ngjarjesh dhe prapaskenash që e kanë shoqëruar deri tani “krushqinë” mes Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit. Ndërsa i pari ka arritur pa i hyrë gjemb në këmbë të realizojë projektet e tij, antihistorike dhe antishqiptare, kreu i BDI-së, për të ruajtur pozicionet qeverisëse, njëkohësisht edhe rejtingun partiak, është përpjekur t’ia dalë përmes gjesteve gudulisëse. Pothuajse e njëjta metodologji po ndiqet edhe tani me projektligjin përmes të cilit qeveria u siguron dhe u garanton përkujdesje maksimale deri në detaje ish-pjesëtarëve të forcave maqedonase të sigurisë, të ashtuquajtur “branitelat” e vitit 2001.

4- Po të ndjekim në mënyrë kronologjike veprimet e qeverisë nga njëra anë dhe gjestikulimet e partisë së Ahmetit nga ana tjetër, do të arrijmë në konkluzionin se gjithçka që na ofrohet si krizë nuk është gjë tjetër veçse furtunë në një gotë uji. VMRO-DPMNE, përmes ligjit për “branitelat”, kërkon me çdo kusht të realizojë projektin e saj në mënyrë arrogante dhe të njëanshme. Ndërkaq, BDI, në mungesë të ofertës konkrete politike për të shpëtuar të paktën nderin dhe dinjitetin e kryengritësve shqiptare që flijuan jetën, kërkon të zhvillojë beteja kërcënuese me mullinjtë e erës. Sado që ata përpiqen të injektojnë te opinioni publik se janë të gatshëm të divorcohen nga bashkëqeverisja, në të vërtetë BDI-ja e ka pranuar në kohë rolin inferior dhe qasjen infatile ndaj problemeve madhore që kanë kosto të madhe për shqiptarët.

Ky rol është faktuar qysh pas konfliktit të vitit 2001, atëherë kur përfaqësuesit rishtarë politikë, në emër të integrimit utopik për analogji (vllaznim-bashkimit), braktisën vazhdimësinë e ofertës politike – konkretizimin e interesit kombëtar të shqiptarëve të artikuluar nga Partia Demokratike Shqiptare dhe preferuan filozofinë e nënshtrimit ndaj partive politike maqedonase.

Në këtë kontekst, deklaratat e përfaqësuesve të BDI-së se mund të braktisin qeverinë, nuk janë aspak të besueshme. Sipas të gjitha gjasave, Ahmeti nuk ikën në mënyrë demonstrative nga pushteti sikur nami të bëhet. Natyrisht, hyrja në qeveri pa ofertë politike, prioritete, ide, vizion, platformë, program, pa përgatitje profesionale, pa dije elementare për politikën dhe administrimin e pushtetit, i jep luksin kundërshtarit të diktojë rregullat e lojës sipas shijeve të tij, sikurse i krijon mundësinë për inkursione shantazhi, nënshtrimi dhe disiplinimi… Në këto rrethana, gjithkush që mendon se kemi të bëjmë më një krizë të njëmendtë qeveritare, gabon, ose nuk thellohet në analizë.

Nëse në ditët që vijnë veprimet teatrale do të marrin trajtat e një loje pingpongu, d.m.th. lidh e prit dhe anasjelltas, e keqja më e madhe do të ishte vlimi i së ashtuquajturës krizë qeveritare si pretekst për zgjedhje të parakohshme. E përkthyer në terma pragmatistë, si alternativë për të shtuar jetëgjatësinë e “martesës” mes Kryeministrit maqedonas dhe kryetarit të “integristëve”, shqiptarë.

5- Sido që të rrjedhin ngjarjet e mëtejme, kursi i marrëzisë së etnocentrizmit maqedonas në thelb nuk do të ndryshojë, sikundër nuk do të ndryshojë as qasja e BDI-së, e cila shërben si dekor në qeverisje. Mirëpo, një gjë duhet theksuar, ky kurs do t’i shkaktojë telashe akoma më të mëdha shtetit në përgjithësi dhe shqiptarëve të veçanti. Këto telashe, vetvetiu do të prodhojë paqëndrueshmëri dhe rrezik akoma më të madh për të ardhmen dhe perspektivën e FYROM. Arsyet janë të shumta, disa prej tyre tashmë janë të lexueshme: së pari është shkërmoqur kohezioni i brendshëm dhe ai i jashtëm. Së dyti, është thelluar në mënyrë të frikshme antagonizmi ndëretnik. Së treti, ekziston një kriza marramendëse ekonomike dhe sociale. Së katërti, është përdhosur demokracia si procedurë dhe është zëvendësuar me mendësinë e partisë-shtet. Së pesti, është ngulfatur debati publik, liria e shprehjes dhe e mendimit, aq sa mjetet e komunikimit masiv shërbejnë si pararojë e politikës vetëshkatërruese të Nikolla Gruevskit dhe ç’është më e rëndësishmja, Marrëveshja e Ohrit tashmë e ka humbur misionin e saj.

Tani e tutje, në zhargonin e politikanëve provincialë, dokumenti në fjalë mund të përmendet thjesht si faktor, i cili ndikoi në ndërprerjen e konfliktit. Gjithçka tjetër që do të flitet rreth këtij dokumenti është propagandë e shpifur. Nga sa thamë më sipër, përfundimisht FYROM është një histori dështimi. E thënë ndryshe, ky biçim shteti vuan nga sëmundje të pashërueshme, paçka se merr frymë falë “dashamirësisë” së faktorit ndërkombëtar.

Burimi: Panorama

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button