Klubi Feminist: Ka diskriminim gjinor në arsim në Maqedoninë e Veriut (VIDEO)

72% e të anketuarve nga Klubi Feminist i UEJL-së mendojnë se ka diskriminim gjinor në arsim, kurse 57% prej tyre kanë thënë se vetë ata kanë qenë ose janë pre e diskriminimit të tillë. Të dhënat e tyre i prezantuan në debatin “Diskriminimi gjinor në arsimin e mesëm dhe të lartë” i cili u mbajt në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, transmeton Portalb.mk.

Të anketuarit thonë se forma më e shpeshtë ku haset diskriminim është mes profesorëve dhe studentëve, kurse 73% potencojnë se viktimë zakonisht janë gratë.

Anëtarët e Klubit Feminist thonë se është shqetësues fakti se studentët kanë përmendur edhe emrat e profesorëve që diskriminojnë, madje disa prej të anketuarve kanë thënë edhe se të njëjtët kanë kërkuar favore seksuale nga studentet femra. Nga Klubi Feminist potencojnë se ata nuk posedojnë fakte për denoncimet dhe nuk e dinë nëse ato janë të vërteta, por gjithsesi rastet do ti denoncojnë në autoritetet përkatëse.

“Anketa ka qenë online dhe e hapur për të gjithë. Ne këto denoncime do t’i përcjellim në rektorate, do kisha lutur studentët që kanë denoncuar, që nëse kanë fakte të njëjtat t’i paraqesin në polici, që denoncimet e tilla të mos shkojnë në vesh të shurdhër”, tha Rita Behadini nga Klubi Feminist.

Në këtë tryezë të rrumbullakët folëse ishte edhe profesoresha universitare Besa Arifi e cila është shprehur se ekzistojnë organe kompetente edhe brenda universitetit për raste të tilla.

“Ne brenda universitetit kemi organe kompetente për raste të tilla, por raste të tilla nuk janë paraqitur deri sot. Inkurajoj studentët që të njëjtat t’i paraqesin dhe të jeni të sigurtë se rastet do analizohen dhe hulumtohen me shumë seriozitet”, tha Besa Arifi.

Kjo tryezë e rrumbullakët është pjesë e projektit “Diskriminimi gjinor në arsimin e mesëm dhe të lartë”, ku përveç tryezës ka aktivitete tjera si: konkursi online i fotografisë më të mirë që përmban mesazh në lidhje me këtë temë, hulumtimi mbi seksizmin në shkolla të mesme dhe universitete si dhe ekspozita e fotografive, ku edhe do të zgjidhen tri fotografitë më të mira të cilat do të shpërblehen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button