Ndryshimi i fuqive në Parlamentin Evropian pas zgjedhjeve, a priten pasoja negative për Maqedoninë e Veriut?

Parlamenti Evropian e ka ruajtur orientimin që e ka pasur deri më tani, nuk pritet që të ketë ndryshim të politikës evropiane, ndaj Maqedonisë së Veriut edhe pse në disa shtete të rëndësishme të Evropës, nacionalistët kanë fituar përballë partive pro-evropiane. Kështu e komentojnë rezultatin e zgjedhjeve evropiane, organizatat civile dhe këshilltarët e kryeministrit Zoran Zaev dhe presidentit Stevo Pendarovski, shkruan Portalb.mk.

Shefi i delegacionit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për negociata me Bashkimin Evropian, Bojan Mariçiq dhe këshilltari i presidentit, Denko Maleski, janë optimist se politika evropiane nuk do të ndryshojë ndaj Maqedonisë së Veriut, edhe pse partitë populiste janë rritur, ndërkaq ato pro-evropiane janë zvogëluar.

Bojan Mariçiq
Bojan Mariçiq

“Nëse e marrim parasysh tërë fotografinë, atëherë mund të shohim se ka rritje të madhe edhe te të gjelbrit dhe te liberalët të cilët janë opsione pro-evropiane dhe në mënyrë të përgjithshme tërë fotografia e Parlamentit Evropian është pozitive, pasi që partitë pro-evropiane kanë shumicë të qartë. Nëse shohim në shtete individuale diku ka rezultat më të dobët të partive pro-evropiane, diku të atyre populiste, megjithatë fotografia e plotë jep shpresë se nuk do të ketë pasoja të këqija për Ballkanin Perëndimor dhe për rrugën tonë evropiane. Në bazë të këtyre rezultateve nuk do të duhej të ndalohet politika e zgjerimit, nuk kemi paralajmërim të tillë. Do të shohim se si do të dimensionohet Komisioni Evropian, cila do të jetë politika e tyre, megjithatë në bazë të këtyre rezultateve nuk do të ndalohet politika e zgjerimit”, thotë Mariçiq.

Denko Maleski
Denko Maleski

Edhe këshilltari i presidentit, Maleski, deklaroi se orientimi pro-evropian është ruajtur dhe se Maqedonia e Veriut nuk duhet të frikësohet pasi që nuk pritet të ketë përmbysje të kursit të përgjithshëm të Bashkimit Evropian.

“Edhe pse nuk është për nënvlerësim kjo ngritje e të djathtës në vende të rëndësishme në BE, është e rëndësishme në fund se si do të jetë përbërja në Parlamentin Evropian. Në atë Parlament i cili do ta zgjedh Komisionin, dominojnë orientimet e deritanishme politike, në vendin e parë partitë popullore, ndërkaq në vendin e dytë partitë socialdemokrate, tani atyre do t’u duhet mbështetje nga partitë më të vogla, por ajo do të ndodh sipas të gjitha gjasave me të gjelbrit, të cilët janë rritur. Sipas kësaj, orientimi pro-evropian është ruajtur dhe në atë kuptim nuk duhet që të frikësohemi se do të ketë ndonjë përmbysje të kursit të përgjithshëm të Bashkimit Evropian, ai orientim pro-evropian do të reflektojë në zgjedhjen e Komisionit Evropian dhe në kryetarin e ardhshëm dhe këtu nuk duhet që të pritet përmbysje e madhe, për fatin tonë të mirë. Politika e zgjerimit do të vazhdojë, pa Britaninë e Madhe e cila ishte përkrahëse e fuqishme”, thotë Maleski.

Bardhyl Jashari
Bardhyl Jashari

Në po të njëjtën linjë janë edhe organizatat joqeveritare, të cilat vlerësojnë se pavarësisht komplekseve që do të dalin nga ky rezultat zgjedhor, proceset e nisura me Maqedoninë e Veriut do të vazhdojnë, gjegjësisht në qershor do të marrë datë për fillimin e bisedimeve.

“Rezultatet e zgjedhjeve paralajmërojnë një Parlament të fragmentuar që do të thotë vendim-marrje më komplekse dhe nevojë për të krijuar koalicione për avancimi e politikave dhe strategjive të caktuara dhe kjo vlen gjithashtu për zgjerimin e BE. Nga ana tjetër gjatë fushatës zgjedhore, partitë politike në BE ishin te fokusuara në tema të tjera e jo në zgjerimin e BE, kjo temë përmendeshe fare pak dhe ishte në margjinat e debateve politike. Megjithatë, shpresoj se proceset e nisura për vendin tonë nuk do të ndalen dhe që në qershor Këshilli i BE do të rekomandojë dhënien e datës për fillimin e negociatave. Por pa marr parasysh vendimin, është e rëndësishme që reformat të vazhdojnë, të mos ngadalësohen por përkundrazi të përshpejtohen”, thotë drejtori i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari.

Drejtoresha e Institutit për Politika Evropiane, Malinka Ristovska Jordanova
Drejtoresha e Institutit për Politika Evropiane, Malinka Ristovska Jordanova

Malinka Ristovska nga Instituti për Politika Evropiane, thotë në kontekst të marrjen e datës për bisedime, gjendja për Maqedoninë e Veriut, vazhdon të jetë e rëndë

“Spektri politik në Evropë ndjeshëm është ndryshuar, por për fat të mirë – jo në favor të të djathtës ekstreme. Në pikëpamjen e mundësisë për vendim për datë për bisedime me Maqedoninë në qershor, gjendja është njëjtë e rëndë, më së shumti për shkak rezultateve në Francë. Atje partia e Le Pen ka rezultate më të mira se të Makronit, por nuk ka fituar me dallim të madh, ashtu siç pritej. Prej atje, nuk pritet ndryshim të madh në qëndrimin e Francës ndaj fillimit të bisedimeve me Maqedoninë – që nënkupton kujdes maksimal prej tyre, por megjithatë rezultatet zgjedhore nuk janë të tilla që të përjashtohet mundësia për datë për bisedime”, thotë Ristevska.

Ndryshe, zgjedhjet në Parlamentin Evropian i kanë hapur rrugën ndryshimeve politike në Bashkimin Evropian, pasi partitë kryesore të qendrës dhe partitë e qendrës së majtë, kanë humbur shumicën, derisa ambientalistët, partitë e ekstremit të djathtë dhe grupe pro-biznesore kanë rritur prezencën.

I ashtuquajturi “koalicion i madh” në mes të Partisë Popullore Evropiane dhe Aleancës së Socialistëve dhe Demokratëve nuk e ka më shumicën. Ambientalistët kanë rezultate të mira, meqë partitë e Gjelbra kanë fituar numër rekord të ulëseve në disa shtete, duke përfshirë 20 për qind të votave në Gjermani, çka njëherësh shënon dyfishin e përkrahjes ndaj kësaj partie, në krahasim me zgjedhjet evropiane të mbajtura më 2014.

Për më shumë shiheni fotografinë e mëposhtme:

Kështu ka ndryshuar shpërndarja e ulëseve në Parlamentin Evropian pas zgjedhjeve të vitit 2019
Kështu ka ndryshuar shpërndarja e ulëseve në Parlamentin Evropian pas zgjedhjeve të vitit 2019

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button