I KTHYERI DHE “HOXHA”

1 Maji. Ditë pranvere me shi. E bukur kur udhëton lartësirave  plot gjelbërim. Arrijmë në Strugën që i është falur bukuria e ujit, si esenca e jetës: Liqeni dhe Drini. Dhe takojmë një shok të shkollës së mesme dhe të universitetit, një llabunishtas, me të cilin ulemi në një lokal dhe kujtojmë ditët e Sarajevës të periudhës së paraluftës 1989-1992, çastet e kaluara në Bashçarshi, në rrugën Saraçi, kafenë boshnjake e shumë e shumë gjëra të tjera. Jakupi, një i ri jashtëzakonisht i motivuar në atë kohë, që e njihte anglishten, që “lexonte sa s’bën” dhe mundohej të merrej edhe me tregti nga pak. Tregon se tani, pos punës në Myftini, merret edhe me futboll, si komisioner i FFM-së, se djalin e ka futbollist junior në “Renova”.

Dhe meqë s’ishim parë nga 1992-a, e pyetëm për harkun kohor si e ka kaluar. Rrëfen se kishte punuar 7 vite në Zvicër si hoxhë dhe ishte kthyer. Si? E pyesim në mënyrë provokative, për të nxjerrë fijen sociologjike, të kthimit nga një vend ku një brez i tërë ëndërron vajtjen. Po – thotë. “U ktheva, dhe s’jam bërë pishman. I kënaqur jamë shumë. Më mjafton që fëmijët i solla këtu dhe më e rëndësishmja, e arrita në të gjallë, për një vjet, nënën. E shijova të qenët pranë saj, e pashë sërish dritën e syve të ballit.

Kjo më bën që edhe një ditë e jetuar pas saj të më jetë e mjaftueshme. S’ka gjë të madhe se kjo për mua. S’paguhet me asgjë” – u shpreh ai. Kjo e fundit më la mbresa të veçanta mua dhe katër miqtë me të cilët udhëtonim për në Shqipëri. Dashuria dhe respekti për nënën, për prindërit, që janë në krizë evidente. Kush pyet sot për prindër nëse gjen burimet financiare, “ku sytë këmbët.” Gjeneratë e materializmit e hedonizmit është kjo. Paranë, luksin: idol. Vlerat qëndrojnë diku në prapaskenë, po myken. Sa veta komunikojnë në bazë ditore me prindërit sot, sado larg qofshin, në kohën e veglave të sofistikuara të komunikimit? Skype, Viber, Watsapp? Sa pyesin për hallin e prindërve? Sidoqoftë, “i kthyeri” nga Helvetia, imami na ngjalli nostalgji, na e zbukuroi ditën, na ofroi një provë se njerëzillëku është gjallë. Në kohën kur imazhi i hoxhës ka rënë jashtëzakonisht në sytë e popullit, Jakupi na rimësoi një vlerë, të cilës i ka dalë zot praktikisht.

Dhe vazhdojmë rrugën, arrijmë në Prrenjas. Ndalojmë për drekë dhe shoqërohemi me një plak në të shtatëdhjetat, llafazan, i uritur për t’u shprehur. Pleqtë nga mesi ynë menjëherë ia gjejnë frekuencat. E pyesin edhe për fijet e kashtës. Veshi më ndalet të rrëfimi i tij për qytezën. S’di a pse ishte një Maji, përmendi një nga “mamutët e komunizmit”: “Ka qenë një hiç. Pastaj Enveri e bëri. Ka vdekur, pa marrë parasysh të tërë trashëgiminë e shëmtuar, s’i duhet harruar kjo vepër.

E ngriti Prrenjasin dhe çdokush duhet t’ia dijë këtë. Gjashtë dekada më herët me gjeologët rusë e çekë, që më pas ndikuan të kishte një zhvillim industrial të hekur-nikelit. Dhjetë pallatet dykatëshe me njëmijë banorë, nga ku 150 punëtorë filluan punën në minierë.” Flet për xhaminë, tokën që i është falur nga bashkia, për banesën që në fillim të pluralizmit e kishte blerë vetëm për të 300 dollarë të pabesueshëm. Na tregoi se ishte besimtar, ama s’i la pa përmendur edhe disa të mira të Enver Hoxhës, këtij faraoni modern që kishte djegur shumë shpirtëra njerëzorë. Ky njeri që përkundër mbiemrit spiritual, Hoxha, përkundër të qenët bir i një imami, kishte afirmuar ateizmin, pashpirtësinë. Enverist- mendova. Jo s’ka të bëjë fare – vazhdova të mendoj pak më thellë. “Është ndjenjë e natyrshmërisë për t’ia dhënë hakun çdokujt.”

Edhe një diktator si Enveri shpërblehet për të mirat në këtë botë – përkundër sërës së pafund të mëkateve – në skajet e mbamendjes njerëzore, përmes gojës së një qytetari, plaku që flet edhe me trishtim edhe me nostalgji për të kaluarën. Refuzimi tërësor është filozofi e njerëzve të paarsyeshëm. Dhe m’u kujtua një recension i veprës së Blendi Fevziut, Enver Hoxha, nga  gazetari i njohur britanik, Jonathan Steele, njohës shumë i mirë i historisë dhe politikës së Shqipërisë dhe Kosovës, botuar në gazetën “The Guardian”: “Ai (Fevziu) nuk shkruan asgjë për përparimin socioekonomik të Shqipërisë në 15 vitet e para të regjimit komunist dhe transformimin e shtetit nga një vend feudal, diktaturë të bazuar në fise, në një shtet modern, me tharjen e kënetave bregdetare, çrrënjosjen e malaries, fushatat e suksesshme kundër analfabetizmit, zgjerimin e shërbimeve shëndetësore, si dhe zhvillimin e industrive të nxjerrjes së burimeve, edhe pse me një fuqi punëtore gjysmë-ushtarake.”

Edhe verseti kur’anor: “Mos lejoni që urrejtja ndaj një grupi njerëzish t’ju shtyjë të bëni padrejtësi ndaj tyre.” (5:8)  Më pas më ra ndër mend ciceroni i piramidave, që një dijetari, para mumies së faraonit i kishte numëruar dhjetë gjërat që ia kishte mësuar faraoni: (vii) “Kam mësuar nga ti që robërit me duart e tyre i krijojnë xhelatët dhe shtypësit e vet. Ti nuk do të mund të kalëroje mbi shpinën e popullit sikur ata mos të të vendosnin në atë staturë dhe të mos pajtoheshin të jenë shërbëtorë dhe robërit e tu.” Pra përskaj vullnetit absolut është edhe ai parcial, ku vetë e bëjmë fatin tonë. Diktatorët nuk vijna nga qielli, vetë “i krijojmë”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button