Kurthi komunist për likuidimin e atdhetarit tetovar hafëz Sulejman ef. Shehapi

Në vitin 1949, nga UDB-a jugosllave arrestohet në Sarajevë intelektuali, atdhetari dhe hafëzi i njohur tetovar, Sulejman ef. Shehapi, prej nga deportohet për likuidim në burgun famëkeq të hetuesisë pranë kalasë së Shkupit, ndërsa trupi i pajetë i tij asnjëherë nuk i dorëzohet familjes. -Për shkak të ideve dhe predikimeve të tij intelektuale e kombëtare, komunistët shqiptarë i përgatisin në fillim të viteve të 40-ta një proces të montuar gjyqësor në Tetovë. -Si ndodhi kthesa në takimin e ef. Sulejmanit me kryeministrin shqiptar, Mustafa Kruja, dhe kthimi i tij në vendlindje nga arresti në Tiranë. -Hoxha i Tetovës, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore qëndron në Prizren, ku meremeton shtëpinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. -Si i ri, gjatë studimeve në Stamboll, angazhohet me punë si ndihmës i shefit të kabinetit për çështje të Ballkanit në administratën e Sarajit. – Para lufte, ka kryer edhe detyrën e gjykatësit të Sheriatit. -Ka qenë publicist dhe ka botuar më shumë artikuj në gazeta që kanë dalë në Shkup, Pllovdiv, Selanik, Sarajevë dhe Sanxhak, si dhe ka qenë kolumnist në revistën “Sadai Millet” (Zëri i Popullit).

***

Hafëz Sulejman ef. Shehapi lindi në Tetovë në vitin 1894, ndërsa rininë e kaloi në një kohë shumë dramatike të zhvillimeve politike e luftarake në vendet ballkanike. Mori diplomën universitare, arsimoi shumë breza nxënësish, ishte edhe gjykatës në Gjykatën e Sheriatit në Tetovë, por për pikëpamjet e tij atdhetare dhe kombëtare, si antikomunist, ishte i ndjekur nga rinia komuniste shqiptare, nën ndikimin e së cilës do të syrgjynosej për në Sicili të Italisë. Atë e shpëton kryeministri i Shqipërisë etnike në Tiranë, por pas luftës vazhdimisht ka qenë i ndjekur nga UDB-a, derisa në vitin 1949 nuk arrestohet nga agjenturat maqedonase në Sarajevë dhe likuidohet në Burgun famëkeq të hetuesisë pranë Kalasë së Shkupit, në vitin 1950. Rrjedh nga një familje esnafësh, ndërsa babai Shehabudini ka qenë i njohur si pushkatar (dyfekçi), i cili ka pasur disa dyqane në Tetovë, qytet që ka qenë i njohur për nga përpunimi i pushkëve. Nga punëtoria e tij është prodhuar një pushkë e rrallë, e gdhendur me ornamentikë artistike, e cila shumë vite më vonë është gjetur e ekspozuar në Muzeun e Top-Kapisë në Stamboll.

Hfz. Sulejmani ef. Shehabi

Sulejman ef. Shehapi ka qenë një personalitet i shquar, mendjemprehtë dhe me nivel të lartë intelektual. Pas marrjes së njohurive të para të “Hivzit” në Xhaminë e Pashës në Tetovë, vazhdon shkollimin në të ashtuquajturën “Maharuf mejtep”, ndërkohë kryen edhe shkollën e mesme “Qebir mejtep”, duke kaluar nëpër duart e mësuesve të shquar të asaj kohe, si Abdullah ef. Çajlani dhe Ahmet ef. Graçanliu, të cilët i kanë lënë gjurmë të thella në ngritjen e tij intelektuale. Sidomos ky i dyti, ef. Graçanliu, ndikon dukshëm me mësimet e tij në gjuhën arabe në Medresenë e Çarshisë së Epërme të Tetovës, që ky të ngrihet në një dijetar (alim) dhe të zotërojë shkrim-leximin arab, sikurse të kishte jetuar në shtetet arabe, duke u bërë “Fesih” i drejtshkrimit dhe leximit të bukur.
Ndërkohë, Ahmet ef Graçanliu, për shkak të disa mendimeve reformatore dhe progresive për kohën që jetoi, do të syrgjynoset në Stamboll, kështu që ndërpritet veprimtaria e tij në Tetovë. Sulejmani ef., duke qenë se kishte siguruar një kapital të diturisë deri atëherë, në moshën 20 vjeçe do të shkojë për studime në Stamboll. Duke qenë në Stamboll, një kohë punon si ndihmës i shefit të kabinetit në administratën e Sarajit në Jëlldëz (Yildiz) të Stambollit, për çështje të Ballkanit (Mabejin qatibii jardimxhisi). Pas studimeve katërvjeçare, duke parë shenjat e shembjes së pushtetit perandorak, për shkaqe politike, në vitin 1918 detyrohet të kthehet në vendlindje.
Me të kthyer në vendlindje, vazhdon mësimet e ndërprera pasuniversitare të Stambollit në Tetovë, te ligjëruesi i njohur universitar Hafëz Xhemil Efendiu nga Tetova, i cili kishte dhënë mësim në universitetin e Stambollit. Në vitin 1925, Sulejman Efendiu angazhohet si imam në Xhaminë e Çarshisë së Epërme (Qypri xhami), ndërsa në vitin 1931 ka marrë diplomën e teologut universitar (Ixhazet name). Ai ka shërbyer edhe si teolog në Shtëpinë e Halim Beut në Tetovë, si një dijetar me kulturë të gjerë universitare e fetare, ku merr detyrën e hoxhës së familjes dhe Sarajit të tij.

Pak kohë më vonë, Myftiu kryesor shqiptar, Behxhet ef. Shapati, do t’ia dorëzojë Sulejman ef. Shehapit dekretin e myftiut të Tetovës, për aftësitë e tij oratore e komunikuese. Në kohën e Mbretërisë serbe, për një mandat ka kryer edhe detyrën e gjykatësit të Sheriatit. Në këtë periudhë, pos detyrës së imamit dhe vaizit, si publicist, ka botuar më shumë artikuj në revistat dhe gazetat me karakter debatues, që kanë dalë në Shkup, Pllovdiv, Selanik, Sarajevë dhe Sanxhak, si dhe ka qenë kolumnist në revistën “Zëri i Popullit” (Sadai millet).
Sulejman ef. Shehapi ka qenë i njohur me nofkën “Fehmi”, kështu që shumë artikuj të botuar në gazeta nga ana e tij kanë qenë të njohur me autorësinë Sulejman Fehmi.

Sulejman ef. Shehapi ka qenë i mbërthyer fuqishëm me atdhedashurinë, luftën për pengimin e shpërnguljeve dhe mbrojtjen e vlerave fetare dhe kombëtare, të cilat i ka shfaqur publikisht, sidomos ka ardhur në shprehje patriotizmi i tij në kohën e Shqipërisë etnike, kur shpeshtohet aktiviteti i tij politik, si myfti, si drejtor i Medresesë së Çarshisë së Epërme të Tetovës dhe si antikomunist, i cili shumë më herët e kishte kuptuar djallëzinë e komunizmit, ndaj dhe kishte kundërshtuar pa kompromis këtë ideologji të dëmshme për shqiptarët.
Një rast i inskenuar do të lejë gjurmë në karrierën e tij. Në vitet e dyzeta fillojnë të përgatiten disa kurthe dhe skenarë për eliminimin e personaliteteve të shquara nga skena shoqërore. Në kohën e funksionimit të pushtetit shqiptar në këto troje, pas shërbimit të shkurtër si myfti, Ef. Sulejmani sërish merr postin e gjykatësit në Gjykatën e Sheriatit në Tetovë, por vetëm pas disa gjykimeve ka vërejtur rrezikun që vinte nga disa të rinj komunistë shqiptarë. Këta komunistë shqiptarë shihnin një pengesë te gjykatësi mendjemprehtë për zhvillimin e ideve të tyre në mesin e popullatës, ndaj dhe i përgatisin një proces të montuar. Komunistët hartojnë një peticion kundër gjykatësit Sulejman ef. Shehapi, i cili ishte edhe drejtues i Medresesë së Tetovës, duke grumbulluar 2 mijë nënshkrime nga qytetarët. Ata e kishin lajthitur popullatën, duke thënë se grumbullojnë nënshkrime për të kërkuar nga Myftinia qendrore në Tiranë avancimin e Sulejman Efendiut, por në fakt kishin shkruar një tekst denoncues, me kërkesë që ky të syrgjynoset për në Sicili të Italisë, me pretekst se Hoxha i Tetovës po e çon shoqërinë në dekadencë. Këta persona shqiptarë, të cilët përgatitën tekstin denoncues për një atdhetar me nivel të lartë intelektual, pas përfundimit të luftës u bënë funksionarë të pushtetit komunist në vend.

Tirana zyrtare ishte lajthitur me këtë kurth të përgatitur, kështu që nuk vonon dhe arrin për Myderisin tetovar një ftesë për paraburgim. Vijnë disa karabinierë për ta arrestuar Ef. Sulejmanin në shtëpi dhe me përcjelljen e tyre dërgohet deri në Tiranë.

I vetëdijshëm se është fjala për një skenar dhe kurth kundër tij, si dhe kundër çështjes kombëtare, Sulejman Efendiu kërkon nga dashamirët e tij që kishin ardhur ta vizitojnë në Karabinierinë e Tiranës, që ta shfrytëzojnë autoritetin e tyre dhe të sigurojnë një takim të shkurtër me kryeministrin e atëhershëm shqiptar, Mustafa Kruja.
Kryeministri Kruja pranon sugjerimin e autoriteteve të Tiranës, që ta pranojë për një bisedë të shkurtër Hoxhën e Tetovës, duke mos premtuar se mund të ndikojë në amnistinë e tij, sepse aktakuza kundër tij kishte qenë mjaft e rëndë.

Takimi realizohet në kabinetin e kryeministrit, ku ky i drejtohet me fjalët: “Hoxha Efendi, me vjen keq që kemi një akuzë ndaj jush dhe në këtë drejtim mund të bëj shumë pak për ju, por jam i gatshëm që të dëgjoj për pak kohë fjalën tuaj”.

Sulejman ef. Shehapi, i cili ka qenë i mbërthyer me një nivel të lartë të arsimimit të gjithanshëm, me një qëndrim dinjitoz, që ka qenë karakteristikë e tij në rastet e rënda, bën një hyrje të shkurtër, duke pasqyruar rrethanat aktuale, për të dalë deri te prapavija e kësaj akuze. Me një fjalim elokuent, të rrjedhshëm, konstruktiv dhe diplomatik, ka elaboruar rrethanat në Tetovë dhe në trojet e tjera shqiptare në Ballkan, duke nxjerr në pah rrezikun që i kërcënohet shoqërisë shqiptare nga ideologjia komuniste që po përhapet dhe se kjo akuzë është ngritur nga bërthamat komuniste të udhëhequra nga forcat proserbe të Svetozar Vukmanoviq-Tempos, i cili kishte pretendime dominimi edhe në Shqipëri. Duke folur për mbrojtjen e atdheut dhe vlerave kombëtare, që janë progres për një popull e jo dekadencë, një prezantim i këtillë i frymëzuar politikisht, e ka mahnitur kryeministrin shqiptar, i cili plot dy orë e ka dëgjuar me vëmendje e pa asnjë ndërhyrje, ndonëse takimi kishte protokoll vetëm për disa minuta.

Kryeministri i heq syzet dhe len lapsin mbi tavolinë, duke u njoftuar në detaje me situatën politike në Tetovë dhe në trojet e tjera shqiptare, duke kuptuar realitetin, vizionin dhe misionin e vërtetë të Hoxhë Efendiut, i drejtohet me këto fjalë: “Myfti Efendi, i nderuar dhe i respektuar, myderisi im, kam kuptuar që njerëzit udhëheqës të atjeshëm, me nxitjen e tyre të kanë bërë një padrejtësi, me të cilën për pak edhe unë do t’u besoja. Së pari të sollën në Tiranë, e pastaj kishin planifikuar që të syrgjynosin për në Sicili. Po ju siguroj se shumë shpejt do të ktheheni në vendlindje. Më vjen keq për kohën që e keni humbur, kohën gjatë arrestit dhe paraburgimit. Derisa të kryhen të gjitha formalitetit, ju jeni mysafir në apartamentin e hotelit “Dajti” në Tiranë dhe keni në shërbim veturën zyrtare”.

Derisa e vërteta kishte dalë në shesh, deri në atë ditë të takimit me kryeministrin shqiptar, kishin kaluar tre muaj në paraburgim. Pas kësaj peripecie që e kishin kurdisur komunistët shqiptarë, Sulejman ef. Shehapi kthehet në Tetovë. Ata që e kishin kurdisur këtë skenar ishin befasuar dhe ishin shprehur se Hoxha e kishte “mashtruar” edhe kryeministrin shqiptar.

Derisa mungonte në Tetovë, komunistët shqiptarë kishin arritur ta mbyllin Gjykatën e Sheriatit (Mahqemeji sherije), ku ishte i angazhuar Hoxhë Efendiu. Me të kthyer në Tetovë, vazhdon punën dhe veprimtarinë e vet në Medrese, e cila shndërrohet në një vatër e arsimit, ndërsa nxënësit kanë qenë shembull për tërë Tetovën, si për nga veshja, ashtu edhe për nga edukata.

Ndërkohë, pas disfatës së batalionit shqiptar “Luboten” në Pogradec, në prill të vitit 1943, në Tetove ishte bërë varrimi i luftëtarëve që ishin vrarë në luftë me partizanët komunistë. Në atë tubim varrimi, në një fjalim të shkurtër, Hoxha i Tetovës, Sulejman Efendiu, këta luftëtarë i kishte quajtur dëshmorë dhe i kishte krahasuar me shahitët e Bedrit, që kanë luftuar në kohën e Muhamedit a.s. kundër pabesimtarëve, që do të thotë se ata i kishte vendosur në piedestalin më të lartë, sepse kishin luftuar për ideale të larta.

Nga nëntori i vitit 1944, kur qyteti i Tetovës ishte pushtuar nga komunistët, Sulejman Efendiu ishte larguar nga Tetova dhe ishte vendosur në Prizren, ku i hapet një faqe e re e jetës. Aty e riaktivizon punën e Medresesë në Xhaminë Bajrakli, ku është godina në të cilën është mbajtur Lidhja e Prizrenit. Me riaktivizimin e Medresesë nga Sulejman Efendiu, ai menjëherë bën riparimin e ndërtesës së Lidhjes së Prizrenit, që ishte intervenimi i parë në këtë objekt të historisë sonë kombëtare. Ai lartëson edhe punën e Haxhi Zekës, mendimin e tij dhe veprimtarinë atdhetare, duke mbajtur shtatoren e tij në medrese. Pas dy vjetësh dhe nxjerrjes së gjeneratës së parë nga kjo medrese, ku kanë qenë edhe veprimtarët Hafëz Jakupi nga Prizreni, me të cilin bashkëpunon në konsolidimin e Ballit Kombëtar, si dhe Hafëz Sylejmani nga Rahoveci, Hafëz Safeti nga Prizreni e të tjerë, pas një presioni që vjen nga komunistët maqedonas drejtuar komunistëve kosovarë, Sulejman Efendiu detyrohet të largohet nga Prizreni, edhe pse funksionarët kosovarë të kohës, me Xhavit Nimanin, nuk ndërmarrin asgjë që ky t’u dorëzohet maqedonasve, por i kanë thënë se nuk janë në gjendje që ta mbrojnë sigurinë e tij.

Ai vjen në Shkup ilegalisht me dy bashkëveprimtarë në vitin 1947 dhe strehohet në Hanin e Ali Beut, ku bën një konsultim me Fetah Efendiun dhe bashkëveprimtarin Xhemal Efendiun, ku vendoset që Sulejman Efendiu mos të dorëzohet në Tetovë, por të udhëtojë për në Sarajevë. Atje mbetet deri në fund të vitit 1949, ku ka pasur bashkëmendimtar të shumtë dhe ka qenë i njohur si alim dhe atij i japin në shfrytëzim shtëpinë e Haxhi Mujagiqit në Bash Çarshi. Aty punon në arsimimin e gjeneratave të reja, ligjëron gjuhën arabe dhe osmanishten, si dhe bashkëpunon me Fejzullah Efendiun, Haxhi Bajriqin, Qamil Efendiun, Sillajxhiqin, Smajl ef. Fajzliqin dhe Omer Efendiun, me të cilët kishte hyrë në punë për përkthimin e librave. Me njërin prej tyre kishte përkthyer kryeveprën e mistikut dhe filozofit të madh “Mevlana” në gjuhën boshnjake. Aty shumë shpejt kishte krijuar një autoritet dhe nuk e kishin lënë asnjëherë pa truproje për sigurinë e tij, sepse komunistët maqedonas vazhdimisht e kërkonin.
Një ditë nga viti 1949, duke shëtitur vetë nëpër Sarajevë, agjentura maqedonase do ta gjejë dhe arrestojë me dhunë, duke e futur në makinë dhe duke e sjell në Shkup. Njerëzit e UDB-së e kishin futur në Burgun famëkeq të hetuesisë afër Kalasë së Shkupit. Aty qëndron gjashtë muaj nën hetime dhe tortura të mëdha psikike e fizike, ku Sulejman Efendiu detyrohet të bëjë një grevë urie, por edhe kjo nuk ndihmon që atë ta nxjerrin në gjykim.

Në fillim të vitit 1950, kur i biri i tij Hafëz Taxhudin Efendiu ishte ushtar në APJ, vjen lajmi për vdekjen e Sulejman ef. Shehapit. I biri i tij lirohet nga ushtria që të shkojë ta marrë trupin e pa jetë të babait, por UDB-a i thotë se nuk ka nevojë për këtë, duke njoftuar se atë e kishin varrosur, por nuk kishin thënë se ku gjendet varri i tij. Ef. Taxhudini i merr vetëm teshat e babait të vet, ndërsa familja e tij kurrë nuk mëson për varrin e të dashurit të saj. Duke vdekur në rrethana të paqarta, nën dorën e hekurt të UDB-së, Sulejman ef. Shehapi meriton epitetin e dëshmorit të kombit, sepse gjatë gjithë jetës së tij arsimoi breza të shumta dhe si antikomunist luftoi për çështjen atdhetare. Një pjesë e biografisë, me dorëshkrimin e tij prej 40 faqesh, ruhet nga nipi Behixhudin Shehapi.

Autor: Ismail Arsllani

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button