Thaçi i përgjigjet Mustafës, e fton të bëhen bashkë në misionin e bashkimit kombëtar

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i është përgjigjur kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, në këshillat e këtij të fundit për Presidentin, të bëra të shtunën.

Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “ Lugina e Preshevës duhet të bashkohet me Kosovën, njësoj sikurse Kosova që duhet të bashkohet natyrshëm me Shqipërinë, nën ombrellën e përbashkët të BE-së ose edhe vetëm nën ombrellën shqiptare, nëse BE-ja vazhdon t’i mbyllë dyert e saj për ne”, transmeton Telegrafi.

“Në përpjekje për arritjen e këtij qëllimi, unë kërkoj miq dhe aleatë. Unë dua që ju z. Mustafa, të jeni në krah me mua.  Të tjerët që hezitojnë sot duhet ta mendojnë mirë këtë çështje, por mos të vonohen shumë. Nuk është mision i pamundur, përkundrazi. Bashkimi kombëtar është në mendjen dhe shpirtin e çdo shqiptari. Le ta bëjmë realitet bashkë”, ka shkruar Thaçi.

Postimi i plotë i Thaçit:

“Kryetari i LDK-së, z. Isa Mustafa, nëpërmjet një postimi më paska dhënë disa këshilla. Duke e falënderuar atë për këtë përpjekje, ritheksoj se asnjë e keqe nuk i vjen vendit nga debati dhe paraqitja e pikëpamjeve të ndryshme për realizimin e qëllimit të përbashkët. Korrigjimi i padrejtësive ndaj Luginës së Preshevës dhe shqiptarëve është përkushtimi im i pandalshëm. Lugina e Preshevës duhet të bashkohet me Kosovën, njësoj sikurse Kosova që duhet të bashkohet natyrshëm me Shqipërinë, nën ombrellën e përbashkët të BE-së ose edhe vetëm nën ombrellën shqiptare, nëse BE-ja vazhdon t’i mbyllë dyert e saj për ne. Ju z. Mustafa dhe shumë të tjerë mund të më këshilloni. Kjo më bën më të fortë në punën time drejt qëllimit final. Ndoshta ju mendoni se unë jam i vetëm sot në këtë mision, i cili për ju dhe disa të tjerë duket i pamundur. Por, mos të harrojmë se vetëm 20 vjet më parë edhe liria dhe pavarësia jonë janë dukur të pamundura. Në përpjekje për arritjen e këtij qëllimi, unë kërkoj miq dhe aleatë. Unë dua që ju z. Mustafa, të jeni në krah me mua. Të tjerët që hezitojnë sot duhet ta mendojnë mirë këtë çështje, por mos të vonohen shumë. Nuk është mision i pamundur, përkundrazi. Bashkimi kombëtar është në mendjen dhe shpirtin e çdo shqiptari. Le ta bëjmë realitet bashkë! HTH”, ka shkruar Thaçi.

Ndryshe, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë dje se Thaçi është duke vepruar në mënyrë të gabuar lidhur me korrigjimin e kufijve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button