Ritet fetare dhe feja janë personale, nuk kushtëzojnë aktivitetet zyrtare

Burimi: KriThink

Shpesh tendenca e disa lajmeve joprofesionale vërehet që në titull. Këtë herë, analizës i është nënshtruar pikërisht një tekst i këtillë. Me prapavijë janë lidhur dy çështje që nuk shkojnë njëra me tjetrën, vetëm për t’u diskredituar një figurë politike.

Lajmi i plotë

Linku deri te artikulli origjinal: Edhe pse është Ramazan, Talat Xhaferi për nder të Sveti Kirilit edhe Metodit udhëton në Vatikan

Data e publikimit: 23.05.2019

Data e recensionit: 26.05.2019

Recensues: Fatlume Dervishi

 “Ramazani”, si alibi për detyrimet zyrtare

Në titull shkruhet “Edhe pse është Ramazan, Talat Xhaferi për nder të Sveti Kirilit edhe Metodit udhëton në Vatikan”. Nuk është e qartë se pse për autorin është kontestues udhëtimi zyrtar i kryetarit të Kuvendit në kohën që kjo përkon me periudhën e muajit të Ramazanit. E para, Ramazani, ligjërisht nuk është pengesë për realizimin e vizitave zyrtare të funksionarëve dhe e dyta, “sveti Kirilit dhe Metodit” është përdorur qëllimisht në maqedonisht duke u shmangur përkthimin në shqip “Shën Kirili dhe Metodi”.

Tekst pa sqarime

Në tekst nuk sqarohet se cili ka qenë synimi i autorit i pasqyruar në titull. E gjithë përmbajtja e tekstit është një njoftim mbi agjendën e Xhaferit dhe anëtarëve të tjerë të delegacionit të tij në Vatikan. Brenda tekstit nuk ka asgjë kontestuese, për dallim nga paralajmërimet në titull

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, më 24 maj do eparaprijë delegacionin shtetëror për shënimin e manifestimit tradicional “Maqedonia për nder të Sh. Kirilit” në Selinë e Shenjtë në Romë.
Delegacioni shtetëror do të marrë pjesë në audiencë te Ati i Shenjtë i Kishës Katolike Romake në Vatikan, me ç’rast Kryetari Xhaferi do të realizojë takim me Papa Françeskun dhe me sekretarin shtetëror të Selisë së Shenjtë, kardinalin Pjetro Parolin.

Tendenca, karakteristikë joprofesionale

Gazetari nuk guxon të bëjë vlerësime të tilla të bazuara mbi ndasitë etnike dhe fetare. Kryetari i Kuvendit përfaqëson një institucionin të një shteti demokatik, multikulturor, multietnik dhe multifetar. Xhaferi, në këtë ngjarje, është përfaqësues i të gjithë qytetarëve pavarësisht përkatësisë së tyre fetare ose etnike. Prandaj, periudha e muajit të Ramazanit nuk është pengesë që ai të përfaqësojë qytetarët e tij në ngjarje të këtilla.

Kodi etik i gazetarëve:

Gazetari do t’u përmbahet standardeve të pranuara shoqërore që kanë të bëjnë me mirësjelljen dhe respektimin e dallimeve etnike, kulturore dhe fetare në Maqedoni.

Teknikat e manipulimit

Me këtë lajm është bërë “analogji e rrejshme”, Ramazani është lidhur me udhëtimet zyrtare. Këto janë dy gjëra që nuk kanë lidhje njëra me tjetrën. Autori “fton emocionet” e lexuesve të cilët, në shikim të parë, pritet ta vlerësojnë aktivitetin si negativ, pikërisht për shkak se në këtë kontekst e ka vendosur autori.

Për lexuesit

Një tekst i këtillë ofron informacione protokolare për vizitën e një delegacioni shtetëror në një vend tjetër për të shënuar një festë shtetërore dhe kjo, në njëfarë mase, është me interes për publikun. Megjithatë, funksionarët kanë edhe aspektin individual të jetës së tyre dhe gazetari duhet ta respektojë atë. Përkatësia fetare e një funksionari ose respektimi i riteve fetare nuk paraqet interes publik dhe gazetari duhet ta respektojë si çështje personale të tij. Nxitja e vlerësimeve në bazë të këtyre perceptimeve është tendencioze.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button