Ëndrrat e kryeopozitarit dhe të pijanecit

Në hapësirën e lodhur e të dërmuar politike shqiptare , Kryeopozitari i humbur e pa busollë e kërkon shtegun e humbur të  politikës dhe bërtet midis turmës: Rama ik! Pas tij ngrihen lart dy gishta tëshumë njerëzve të  turmës  në formë të germës V. Turma hedh gurë e dru në drejtim të ndërtesave ku vendoset e ardhmja e fëmijëve tonë.

Pastaj e pyesin Kryeopozitarin:

“Ku e ke platformën? Ku i ke ofertat”?

Ai përgjigjet:

“Rama ik”!

“S’të kuptojmë”, i thonë.

Ai e ngre zërin. Thotë:

“Flas në emër të popullit. Rama ik”!

“Po, a i ke pyetur të gjithë popullin? A e ke pyetur  atë masë e cila ka votuar e do të votojë edhe tash për këtë pozitë politike”?

“Duam demokraci… Dhe, do ta bëjmë demokracinë”! përgjigjet Kryeopozitari.

“Pse nuk del në zgjedhje, ta shohësh a të do populli”?

“S’ka zgjedhje pa ikur Rama”! thotë.

“Po, mirë”, i thonë, “të supozojmë se Rama do të largohet nga qeveria. Të supozojmë se do të vish ti në vend të Ramës e Rama do të jetë opozitë. Atëherë Rama mund të të dalë në rrugë e do të kërkojë po këtë që e kërkon ti e do të thotë: Basha ik! A do të luani rrotullojsash, herë Rama ik e herë Basha ik? Nëse Rama largohet nga pozita e kryeministrit, atë s’e largojnë socialistët nga pozita e kryetarit të partisë. Ku është logjika këtu”

“Do të jetë gjithmonë: Rama ik”!

“A s’po e shihni se të gjithë miqtë perëndimorë dhe të gjithë partnerët e popullit shqiptar nuk pajtohen me këtë rrëmujë që po e bëni? Nuk ju mbështesin as miqtë nga BE-ja e as miqtë nga SHBA-të”.

“Pastaj pozita të fton në bisedime. Pse nuk bisedoni bashkë që t’i zgjidhni mosmarrëveshjet”?

“S’ka bisedime me Ramën”.

“Po a e dini se kështu po e nxitni popullin drejt një konflikti qytetar”?

“E dimë”.

“Po pse veproni kështu”?

“Ju thashë, zgjidhja është: Rama ik! Vendi ynë do të shkojë në Evropë me neve. Jo me Ramën. Pa marrë parasysh pasojat”.

“Domethënë me ty dhe me krerët e aleancës që ke bërë ti”.

“Po”.

“Në BE mund të shkojë populli , jo ti vetëm, pa popull”!

“Ne jemi populli.Me krerët e LSI-së”

“A nuk e sheh se derisa ti i bën këto rrëmuja rinia ka ikur jashtë dhe vendi ka mbetur pa të ardhme”?

“Unë them: Rama ik”!

Pranë një kafeneje me xhama të thyer, një pijanec i përsërit fjalët e Kryeopozitarit:

“Rama ik”! Pastaj atë e nguc lemza ngase ka pirë shumë. Kur i pushon lemza, ai e ngre shishen lart në ajër me dorën e djathtë e shton: “Jo, jo, Rama mos ik. Rri se sa të jesh të opozita do të na organizojë ahengje të kë tilla e do të bëj qejf pa para edhe unë”.

Pastaj e pyesin Kryeopozitarin?

“A ke menduar ndonjëherë për shqiptarët jashtë atdheut? A e di ti se Shqipëria ka detyrim kushtetues të kujdeset për ta”?

“Unë them: Rama ik”! thotë Kryeopozitari.

“Po për diasporën, a të shkon mendja shoku Kryeopozitar? Pastaj për arbëreshët? Për shqiptarët e vendosur në Anadoll  e gjetiu pas pastrimeve etnike të fundit të shekullit nëntëmbëdhjetë e fillimit të shekullit njëzet, gjatë themelimit të shteteve etnike në Ballkan?

“Ju thashë, përgjigjja ime është: Rama ik”!

“A e sheh se ekonomia shqiptare po dëmtohet rëndë nga këto qejfe masive që po i bëni ju”?

“Qëllimi ynë është: Rama ik”!

Dhe atëherë fillon ahengu opozitar. Pijaneci pret te xhamat e një marketi. Mendon se rrëmuja do ta hedhë një koktej molotovi nëpër xhamat e marketit e do të hapet shtegu drejt rafteve me shlivovicë, uiski, votka, konjak e verë.

“Nëse, arrij te raftet e marr disa shishe”, mendon pijaneci, “do t’ia jap një Kryeopozitarit, ta lidh kështu miqësinë me të. Se të dytë ëndërrojmë. Kryeopozitari kolltukun, unë raftet përplot shishe”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button