Çfarë ndodhi në protestën e sotme të opozitës, mesazhet mes fotove, mungoi gazi lotsjellës

Pak më shumë se dy orë zgjati protesta e sotme e opozitës.

Ajo nisi me një marrshim drejt kryeministrisë rreth orës 19:00, ndërsa në ndryshim nga 5 protesta e mëparshme kjo ishte më paqësore, transmeton Gazeta Express.

U përdorën vetëm disa kapsolle dhe tymuese, u hodh pak bojë mbi kryeministrinë, ndërsa policia vetëm në një rast përdori ujë, u evitua hedhja e gazit lotsjellës.

Përgjithësisht u dëgjuan në korr thirrjet “Rama ik”, ndërsa si përherë ishte Basha ai që e mbylli protestën në selinë e Partisë Demokratike.

Teksa protesta u zhvendos para parlamentit, protestuesit hodhën gurë dhe shashka drejt policisë.

Ndërsa nga ana e policisë pati reagim me ujë, për herë të parë në 6 protesta e opozitës sot nuk u përdor gaz lotsjellës.

Situata u tensionua edhe më tej me një grup protestuesish, të cilët shkulën pllaka dhe gurë nga rruga duke ia hedhur ato forcave të policisë. Për të qetësuar turmën ndërhyri sekretari i përgjithshëm i PD Gazmend Bardhi dhe të rinjtë e FRPD.

“Këtë betejë e nisëm për Shqipërinë si gjithë Europa, Europa e dëgjoi zërin tonë dhe tani është koha për zgjidhje politike, largimin e Edi Ramës, qeveri tranzitore, zgjedhje të lira dhe të ndershme, për t’i dhënë fund parlamentit të krimit, e vetmja rrugë për të hapur dyert e Europës.

Shkaktari do të largohet, vetëm kjo do t’i hapë rrugë zgjidhjes politike. Tani këtë e di dhe Europa, e di bota. Rama ik, hapi rrugë zgjidhjes politike. Beteja jonë po shkon drejt fundit që paracakton historia për kombet që e nuk e pranojnë të keqen, po shkon drejt konkluzionit , drejt çlirimit të Shqipërisë nga krimi, po shkon drejt stacionit tonë për Shqipërinë si gjithë Europa.

Teksa zëri ynë u dëgjua dhe bota hapi sytë, kërkesa ime është të qëndrojmë në këmbë dhe gati për ta çuar misionin tonë deri në fund”, tha Basha në mbyllje të protestës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button