Garë vrapimi me mijëra fëmijë në Kosovë për Ditën Olimpike

Komiteti Olimpik i Kosovës në një konferencë për media ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për vrapimin e “fëmijëve të pavarësisë” (që kanë lindur në vitin 2008), për nder të Ditës Olimpike, raporton Anadolu Agency (AA).

Këtë vit, fëmijët, që pritet të dalin më shumë se 10 mijë gjithsej, do të vrapojnë në 25 komuna të Kosovës për të përçuar mesazhin e dashurisë për sportin.

Siç njoftoi kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, gjashtë edicione janë organizuar vetëm në Prishtinë, ndërsa vitin e kaluar (2018), janë zgjeruar edhe në gjashtë qendra tjera. Por, këtë vit bëhet fjalë për një numër shumë më të madh komunash.

“Do të përpiqemi që fiks në ora 9:30, në 25 komuna, fëmijët e lindur në vitin 2008, pra që kemi të bëjmë me fëmijët e lindur në vitin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, do të vrapojnë (në kohë të njëjtë), për të dërguar mesazhin e vullnetit të tyre, pasionit të tyre që të merren me sport”, tha Hasani, i cili tregoi se ky projekt është projekt jetësor, pra do të vazhdojë deri “edhe atëherë kur të ketë mbetur njeriu i fundit nga kjo gjeneratë e lindur në vitin e pavarësisë”.

I pyetur nga AA rreth kostos së këtij aktiviteti, presidenti i KOK-ut, Hasani, tha se nga përvojat e kaluara kushton rreth 50 mijë euro, ndërsa mbulohet nga sponsorët dhe një pjesë nga komunat.

Sekretari i Përgjithshëm i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj, njoftoi se tashmë janë bërë pothuajse të gjitha përgatitjet në komunat pjesëmarrëse të garës ndërsa tha se presin konfirmimin edhe të shumë pjesëmarrësve nga fusha të ndryshme të veprimit.

“Kemi ftuar të gjithë liderët e institucioneve të Kosovës që të bashkëngjiten dhe shpërndahen në komunat që janë pjesë e organizimit të këtij aktiviteti. Me qëllim që secili prej tyre të mundohet të përcjellë mesazhin nga ajo komunë që do të merr pjesë. Po, ashtu kemi thirrur edhe ish-sportistë eminentë, sportistë eminentë, nga arti, kultura e muzika”, theksoi Haxhijaj.

Konfirmimin për të marrë pjesë në këtë garë që do të mbahet të hënën e 27 majit e kanë bërë deri më tash: Prishtina, Gjilani, Ferizaj, Mitrovica, Gjakova, Vushtrria, Podujeva, Skenderaj, Suhareka, Drenasi, Dragashi, Obiliqi, Kaçaniku, Deçani, Malisheva, Fushë Kosova, Rahoveci, Shtimja, Klina, Vitia, Istogu, Kamenica, Juniku dhe Hani i Elezit.

Këtë vit garës nuk i janë bashkangjitur dy komuna, Prizreni dhe Peja ndërsa organizatorët thanë se për këtë ngjarje janë ftuar të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë komunat veriore, me shumicë nga komuniteti serb.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button