RMV, fëmijët që nuk shkojnë në kopsht, më vonë kanë problem në shkollë

Raporti i fundit i UNICEF tregoi se rreth 61 për qind e fëmijëve të moshës 3 deri 6 vjeç në shtet nuk vijojnë arsim parashkollor, e kjo sipas ekspertëve ka ndikim të madh në cilësinë e gjeneratave të ardhshme, shkruan REL, njofton Portalb.mk.

Fakti që pothuaj 41.000 fëmijë, të moshës parashkollore në vend, nuk vijojnë arsim parashkollor duhet të na shqetësojë dhe t’i detyrojë kompetentët seriozisht të angazhohen për të siguruar kushte për rritje dhe zhvillim më të mirë të secilit fëmijë, thonë njohësit e rrethanave, pasi raporti i fundit i UNICEF-it tregoi se gati 61 për qind e fëmijëve në Maqedoninë e Veriut nuk ndjekin mësim parashkollor.

Vllado Dimovski, i cili ka përvojë si mësimdhënës shumëvjeçar, thotë se mungesa e objekteve, sidomos në zonat rurale është arsyeja për të cilën një përqindje aq e madhe e fëmijëve nuk shkojnë në kopshte.

“Në anën tjetër, mentaliteti në zonat rurale është i tillë që gjyshet dhe gjyshërit i ruajnë fëmijët derisa të fillojnë të shkojnë në shkollë. Disa familje s’kanë mjete për t’i regjistruar fëmijët në kopshte dhe krejt kjo ndikon në rritjen e përqindjes së fëmijëve të paregjistruar. Nga ana tjetër, kjo do të ketë pasoja të mëdha sepse edukimin dhe arsimimin e parë fëmijët e pranojnë pikërisht në këto institucione”, thotë Dimovski.

Njohësit e rrethanave theksojnë se arsimi parashkollor është baza e arsimit të fëmijëve dhe se qeveria duhet të përqendrohet në reforma për të përmirësuar qasjen dhe cilësinë e arsimit parashkollor.

“Tre janë aspektet që e bëjnë arsimin parashkollor të rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të fëmijëve, e këto janë zhvillimi socio-emocional, intelektual dhe zhvillimi i shprehive të tyre shëndetësore-higjienike. Asnjë prind, gjyshe ose gjysh s’mund t’i përgatisë nxënësit në mënyrë adekuate për të filluar shkollën si kopshti i fëmijëve”, thotë Ubavka Butlevska, pedagoge në shkollën fillore “Mançu Matak” komuna Krivogashtani.

Raporti i fundit i UNICEF-it konstaton se vitet e fundit Maqedonia e Veriut ka bërë përparim në sigurimin e qasjes më të mirë të fëmijëve në institucionet parashkollore, por që mbulimi është ende i ulët dhe nevojiten investime të vazhdueshme për secilin fëmijë. Sipas ekspertëve, fëmijët që kanë vijuar të paktën një vit në arsimin parashkollor kanë më shumë gjasa për të zhvilluar aftësi të të menduarit kritik, të cilat iu nevojiten për të arritur sukses në shkollë, më pak gjasa për të përsëritur vitin ose për t’u larguar nga shkolla.

“Fëmijët e moshës gjashtë vjeçare, të cilët kanë shkuar në kopshte, dinë rreth 60 për qind shkrim-lexim, që do të thotë se ky fëmijë mund të përfshihet pa pengesa në procesin mësimor. Ata që s’kanë vijuar kopshte, mezi i njohin numrat dhe shkronjat dhe mezi mund t’i shkruajnë ato”, thotë Dimovski.

Raporti global i UNICEF-it vë në pah se fëmijët që e ndjekin arsimin parashkollor kanë dy herë më shumë gjasa për t’i përvetësuar shkathtësitë për lexim dhe llogaritje fillestare në krahasim me fëmijët që i kanë lëshuar fazat e hershme të arsimit. Në vendet ku më shumë fëmijë i vijojnë programet në moshën parashkollore, numër shumë më i madh i fëmijë e kryejnë deri në fund shkollimin fillor dhe pas përfundimit kanë aftësi themelore për lexim dhe matematikë. Edhe studime tjera e konfirmojnë këtë, si testet ndërkombëtare, duke përfshirë Programin për vlerësim ndërkombëtar të arritjeve të nxënësve (PISA), i cili tregon se fëmijët, në vendin tonë, të cilët e kanë vijuar arsimin parashkollor kanë rezultate më të mira se ata që nuk e kanë vijuar.

“Një tjetër gjë që ne e vërejmë te ato fëmijë është se komunikojnë më mirë dhe janë më mirë të socializuar. Dallimi qëndron aty se ata tashmë i kanë përvetësuar rregullat e sjelljes dhe dinë të respektojnë rregullat e lojës. Këta fëmijë janë me pritshmëri më të larta akademike. Ata në kopsht fillojnë ta duan mësimin, krijojnë qëndrim pozitiv ndaj mësimit, e kjo është ajo që na nevojitet, gatishmëria dhe dëshira për njohuri të reja”, thekson Butlevska.

Para pak kohë përfaqësuesi i UNICEF-it në vend, Benjamin Perks, deklaroi se periudha e arsimit parashkollor të fëmijëve, nga 3 deri në 6 vjeç, është periudha më e rëndësishme për mësim dhe zhvillim të trurit.

UNICEF-i u bën thirrje qeverive që ta ndërlidhin rritjen e mbulimit me përmirësimin e cilësisë së arsimit parashkollor. Për të arritur këtë, qeveritë duhet të sigurojnë të paktën 25 për qind të buxhetit të rregullt për edukimin parashkollor, për shpenzime që s’kanë të bëjnë me pagat, si trajnimi i edukatorëve dhe mësimdhënësve, hartimi i kurrikulës, për materiale për mësimdhënie dhe nxënie dhe mekanizma për të siguruar cilësi të mësimdhënies.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button