Veseli i ka cilësuar të pahijshme paralajmërimet për dorëheqje të kryetarëve në veri të Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka kërkuar ndërhyrjen e Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, pas paralajmërimeve për dorëheqje të kryetarëve të sapozgjedhur në katër komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, transmeton REL. 

Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, zgjedhjet në të katër komunat i kanë fituar kandidatët e partisë, Lista Serbe.

Në një postim në rrjetin social, Facebook, Veseli ka kërkuar nga BE-ja, që të bëjë presion në mënyrë që Serbia të zbatojë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.

“Paralajmërimi i dorëheqjes nga kryetarët e sapozgjedhur të komunave të veriut të Kosovës, është një akt i pahijshëm dhe i dëmshëm që cenon bashkëjetesën dhe stabilitetin e Kosovës”, ka shkruar Veseli.

Zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe në Kosovë, janë mbajtur javën e kaluar, pasi që kryetarët e këtyre komunave veriore, më 26 nëntor të vitit të kaluar, kanë dhënë dorëheqje, në shenjë pakënaqësie ndaj taksës doganore 100 për qind që Kosova u ka vënë mallrave të importuara nga Serbia.

Kjo taksë është përdorur si arsyetim nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për mosvazhdim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button