Kolonizimi i shekullit XXI

Në sistemin e Maqedonisë fuqia e ekzekutivit impaktohet nga qeveria, fuqia e legjislativit impaktohet së bashku nga qeveria dhe parlamenti, ndërkaq gjyqësori është i pavarur nga ekzekutivi dhe legjislativi. Mirëpo, këto relacione qëndrojnë vetëm “de jure”, sepse “de facto” funksionaliteti i këtyre është në kontradiktë. Përderisa ligjvënësi duhet që të zgjedh qeverinë, këtu realisht ndodh e kundërta dhe konkludojmë që kemi një sistem jodemokratik.

Në sekuencë, sistemi jodemokratik i funksionimit të institucioneve dhe politikave shtetërore shfaqet në çdo segment. Sistemi demokratik dhe ekonomia e tregut ekzistojnë vetëm de jure, sepse në një shtet demokratik, sistemi politik udhëhiqet nga populli, ku populli me votën e lirë vendos për udhëheqjen e vendit.

Praktika nuk e dëshmon konceptin e shtetit multinacional, sepse qeveria është e përqendruar vetëm në favorizimin e një nacionaliteti (maqedonasve). Ndërkaq, shqiptarët që përbëjnë minimum 1/3 e këtij shteti, nuk përfillet aspak dhe pozicioni I tyre në krahasim me atë që e meritojnë është simbolik. Në një shtet ku “margjinalizohen”, 1/3 e popullatës, vetëm se i takojnë një kombi tjetër, konstatojmë që nuk kemi demokraci, me të cilën politikanët tanë aq shumë na trimërojnë, por si duket politikanët tanë shqiptarë më kot na trimërojnë se jetojmë në shekullin XXI, kur shqiptarët sot në Maqedoni trajtohen si koloni e shek.XIX.

 

Përderisa vetëm një parti ka pushtet absolut mbi legjislativin, me “makinerinë votuese”, ekzekutivin, gjyqësorin dhe se fundmi me presidencën, dhe kur kemi një opozitë jo konstruktive, nuk duhet të ngjallim optimizëm “fiktiv” se në një perspektivë do kemi progres nëpër institucionet, do kemi klimë të favorshme për investime. Investimeve të huaja, e cila është njëri ndër parametrat fondamentale për ekspansion ekonomik, mirëqenie sociale, larg një relacioni konfidencial mes dy nacionaliteteve që përbëjnë shumicën dërmuese të shtetit, dhe shume larg pranimit të realitetit nga ana e maqedonasve që Maqedonia është ekuilibër mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

Definitivisht, duhet të akceptohet “teoria” që “shqiptarët në Maqedoni janë një e keqe pa të cilën nuk bëhet”, dhe pozicionimi proporcional nëpër institucionet shtetërore, alokimi eficient i resurseve edhe për viset shqiptare, influenca në vendim-marrje,  në intencë të kemi gjithë atë që e meritojmë. Vetëm më këtë “teori” na paraprinë perspektivat euro-atlantike, bashkëpunimi reciprok, shkëmbimi përvojash, dhe në konsekuencë edhe një jetesë më e mirë. Nëse fundi i konfliktit ushtarak në 2001, erdhi më nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, atëherë le të dalin publikisht këta “iniciatorë” dhe le të realizojnë një analizë “cost-benefit” dhe të dijë populli se çfarë ka fituar dhe çka ka humbur. Mirëpo, mungon guximi, sepse në instancë të fundit për fat të keq mungojnë backgroundet e suksesit, fakteve, realizimit premtimeve, sepse pas 2001 asgjë s’ka qenë më e rëndësishme dhe primare se sa lufta për pushtet.

Jam shumë i vetëdijshëm se zëri im nuk do ketë fuqi, që të bëjë “revulucion” në metodën e qeverisjes, gjegjësisht të bëjnë ndryshime radikale, sepse nuk ka fuqi as “zëri” I mandatarëve që në fushatat e tyre kishin potencial që të mbushnin edhe stadiumin e Marakanes.

Shkruan: Florim ESATI    

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button