Brukseli e konsideron shtyrjen e publikimit të pakos për zgjerim

Kabineti i Komisionarit për Zgjerim në Bashkimin Evropian, Johannes Hahn po e konsideron seriozisht mundësinë e shtyrjes së publikimit të pakos së zgjerimit të BE-së, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë, burime brenda Komisionit Evropian, transmeton REL.

Kjo pasiguri brenda institucioneve të BE-së, vjen si rezultat i presionit nga disa vende anëtare, të cilat nuk janë të gatshme të diskutojnë çështjen e zgjerimit në takimin e muajit qershor.

Publikimi i pakos së zgjerimit është planifikuar të ndodhë më 29 maj dhe një diskutim në nivel të ministrave të mbahet në qershor.

Megjithatë, disa vende anëtare nuk janë gati të debatojnë, meqë duhet të vendosin për rekomandimin e Komisionit Europian për fillimin e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Kjo çështje, në disa shtete anëtare të BE-së, kërkon përputhje me procedurat e brendshme, përfshirë miratimin nga ana e parlamenteve kombëtare.

Meqenëse është një periudhë shumë e shkurtër midis 29 majit dhe 18 qershorit, kur do të mbahet takimi ministror, shtetet anëtare nuk janë në gjendje të deklarohen mundësinë e hapjes së negociatave të pranimit.

Zyrtarë të kabinetit të komisionarit për Zgjerim, thonë se ka mundësi të shtyrjes së publikimit të pakos, ndonëse “datë provuese” do të mbetet 29 maji.

Situata pritet të qartësohet të hënën, kur do të takohen shefat e kabinetit në Komisionin Evropian, i cili përfundimisht do të vendosë nëse do të mbajë edhe më tutje dokumentin apo do të japë dritën e gjelbër për publikim të mërkurën.

Pakoja e zgjerimit pritet të publikohet vetëm tre ditë pas zgjedhjeve evropiane, të cilat konsiderohen të kenë qenë arsye për shtyrjen e publikimit të dokumentit, detajet e të cilit zakonisht bëhen të ditura në prill.

Rezultatet e zgjedhjeve evropiane gjithashtu do të kontribuojnë në publikimin e pakos së zgjerimit, i cili konsiderohet dokumenti më i rëndësishëm vjetor për të gjitha vendet që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button