Meta: Gati të shtyj zgjedhjet vendore

Në Shqipëri, presidenti Ilir Meta u shpreh sot i gatshëm që të rishikojë dekretin me anë të të cilit ai ka caktuar datën 30 Qershor si ditën për mbajtjen e zgjedhjeve vendore dhe “të dekretoj një datë tjetër për zhvillimin e tyre, në përputhje me vullnetin e shprehur të palëve politike”, transmeton VOA.

Qëndrimin e tij Meta e shprehu përmes një deklarate të gjatë lidhur me situatën e vështirë politike që po i paraprinë garës zgjedhore, ku forcat kryesore të opozitës, kanë vendosur të mos marrin pjesë e madje duke kërcënuar se nuk do të lejojnë mbajtjen e tyre. “Garantimi i rendit kushtetues, sigurisë publike, stabilitetit të vendit dhe i zgjedhjeve demokratike, të lira dhe të ndershme janë parime kushtetuese që mbizotërojnë mbi çdo aspekt tjetër formal, përfshirë këtu rishikimin e datës së zgjedhjeve”, shprehet presidenti Meta në deklaratën e tij.

Qëndrimi i Kreut të Shtetit pason deklaratën e një dite më parë për zhvillimet në Shqipëri të dy deputetëve gjermanë Johann David Wadephul, zëvendëskryetar i grupit kryesore parlamentar CDU/CSU në Bundestag dhe Christian Schmidt, CSU, relatori për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të parlamentit gjerman. Ëadephul dhe Schmidt u shprehën të gatshëm të ndërmjetësojnë mes kryeministrit Edi Rama dhe drejtuesit të opozitës Lulzim Basha për zgjidhjen e krizës duke saktësar se diçka e tillë mund të funksiononte vetëm nëse “të dyja palët hyjnë në bisedime pa vendosur parakushte. Gjithashtu nuk duhet të përjashtohet asnjë temë”. Duke theksuar se “zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik”, ata u shprehën se “duhen vënë në tryezë të gjitha opsionet që u garantojnë qytetareve dhe qytetarëve mundësi të vërteta për të zgjedhur në zgjedhjet lokale. Këtu hyjnë edhe masa të jashtëzakonshme, si për shembull, shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale”.

Deklarata e tyre u përshëndet nga kryetari demokrat Lulzim Basha, i cili tha se “konfirmoj gatishmërinë tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe mirëpres angazhimin e Gjermanisë mike për zgjidhjen e kësaj krize dhe hapjen e rrugës europiane të Shqipërisë”. Nga ana e tij dhe kryeministri Edi Rama u shpreh “shumë falenderues miqve të Shqipërisë dhe partnerëve politikë të LB&PD në CDU/CSU, për vëmendjen e tyre ndaj situatës politike! Krejt dakord me gjithçka kanë shprehur publikisht dhe për nevojën e dialogut pa kushte. Koha nuk pret sepse 30 qershori s’është në dorën tonë!”, shkroi Rama duke hedhur kështu poshtë hipotezën e shtyrjes së datës së zgjedhjeve.

Sot presidenti Meta, theksoi se i bashkohej thirrjes së deputetëve gjermanë “drejtuar të gjitha palëve politike në Shqipëri, për të marrë përgjegjësitë vendimmarrëse për të gjitha çështjet që lidhen me stabilitetin demokratik në vend, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe pa përjashtuar asnjë temë”. Duke ju referuar deklaratës së tyre sipas së cilës “zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik”, kreu i Shtetit thekson se “neni 3 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ndër të tjera, përcakton qartë detyrimin kushtetues për mbrojtjen e pluralizmit politik nga të gjithë. Kjo nënkupton jo vetëm ekzistencën e partive të ndryshme politike, por edhe mundësinë e tyre reale për të konkurruar, në kushte të barabarta dhe pa pengesa, në zgjedhje të lira dhe të ndershme, si mundësia e vetme për të respektuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve shqiptarë për të zgjedhur”. Për këtë arsye ai shprehet se “kam përgjegjësi kushtetuese, që brenda caqeve që Kushtetuta më lejon, të siguroj respektimin, në formë e në përmbajtje, të Kushtetutës. Për mua bashkëjetesa demokratike dhe uniteti i popullit janë parime kushtetuese që duhen mbrojtur, përpara çdo rregullimi tjetër dytësor apo formal”.

Kreu i Shtetit i bëri sërish “thirrje palëve, të ndalojnë retorikat si reflektim i sinqertë ndaj apelit të Parlamentit Gjerman. Të ndalojnë hartimet publike justifikuese dhe të angazhohen me sinqeritet dhe përgjegjshmëri për gjetjen e një zgjidhjeje sa më shpejtë dhe të qëndrueshme”. Sipas Meta, i cili përsëriti gatishmërinë e tij për të hequr dorë nga dhe nga mandati si president i Republikës, nëse kjo do t’i shërbente zgjidhjes “askush nuk duhet të ketë frikë nga vota e lirë e qytetarëve shqiptarë që qëndron në themel të bashkëjetesës demokratike, pa garantimin e së cilës nuk mund t’i çelim as negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button