Kandidatët për Agjencinë për Siguri Nacionale do të duhet “vullnetarisht” të kalojnë detektorin e gënjeshtrave

Testimi vullnetar në poligraf është kusht obligativ për punësim në Agjencinë e re për Siguri Nacionale (ASN), thuhet në ligjin, të cilin Kuvendi e miratoi dje, njofton Meta, transmeton Portalb.mk.

Testimi me poligraf (detektor i gënjeshtrave) është përcaktuar në kushtet për themelim të marrëdhënies së punës në ASN. Marrëdhënia e punës kushtëzohet nga një opinion pozitiv mbi testimin poligrafik për verifikimin e integritetit profesional, gjegjësisht me konfirmim se kandidati e ka folë të vërtetën.

“Testimi i poligrafisë realizohet në baza vullnetare, në bazë të pëlqimit paraprak me shkrim të kandidatit për testim me poligraf. Personi me pëlqimin me shkrim deklaron se pranon të bëhet testim me poligraf, për t’u punësuar në Agjencinë, si dhe testime me poligraf për të verifikuar integritetin profesional gjatë kohës derisa është i punësuar në Agjenci”, thuhet në paragrafin 4 të nenit 67 të ligjit.

Por pak më poshtë, në paragrafin 5 thuhet:

“Kandidat i cili refuzon testimin me poligraf nga paragrafin (1) pika 7 e këtij neni do të konsiderohet se nuk i plotëson kushtet për të themeluar marrëdhënie pune në Agjenci”.

Mënyrën e realizimit të testimit me poligraf e përcakton drejtori me akt nënligjor. Refuzimi i testimit me poligraf, sipas nenit 176 të Ligjit, është bazë edhe për ndërprerje të kontratës për punësim.

Ligji për trupin e ri, i cili nga 1 shtatori do të zëvendësojë Drejtorinë e tanishme për siguri dhe kundërzbulim në MPB ka shkaktuar reagime të shumta dhe debat të gjerë për ndryshime. Në formën e tij përfundimtare, u miratuan 54 amendamente, 25 amendamente u refuzuan, ndërsa 12 u tërhoqën.

Amendamentet e pranuara, ndër tjerash, parashikojnë edhe dispozita për trajnimin e punonjësve, të cilët do të jenë të detyruar të qëndrojnë në punë të paktën pesë vjet, ose të paguajnë kosto dy herë më të lartë për trajnimet, si dhe masa për mbrojtje të të dhënave personale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button