Rusia ia vazhdoi paraburgimin ish-marinsit amerikan

Një gjykatë në Moskë ka zgjatur masën e paraburgimit ndaj ish-marinsit amerikan, Paul Whelan, i cili e ka cilësuar këtë rast të motivuar politikisht dhe hakmarrje ndaj sanksioneve të Shteteve të Bashkuara.

Gjykata e disktriktit, Lefortovo, ka kundërshtuar kërkesën e avokatit të Whelanit, për t’i ndryshuar masën në arrest shtëpiak duke i zgjatur kështu paraburgimin deri më 29 gusht.

Whelan, që ka shtetësi amerikane, kanadeze dhe britanike, është arrestuar më 28 dhjetor në Moskë me akuzat për spiunim.

Ndonëse ka mohuar akuzat, ai mund të përballet me 20 vjet burgim, nëse shpallet fajtor.

Gjatë seancës, Whelan ka thënë se hetuesi i rastit të tij, kapiteni, Aleksei Khizhnyak, e ka bërë atë subjekt të kërcënimeve dhe përuljes.

“I bëj thirrje Shërbimit rus të Sigurisë, FSB, që hetuesin, Aleksei Khizhnyak ta largojë nga rasti. Ai është duke ofenduar dinjitetin tim dhe është duke kërcënuar jetën time”, është cituar të ketë thënë Whelan në gjykatën e Moskës.

Familja e ish-marinsit ka thënë se ai është i pafajshëm dhe se ka shkuar në Moskë për të marrë pjesë në një dasmë.

Zyrtarët rusë ende nuk kanë publikuar detajet e hetimeve për pretendimet kundër tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button