Kriza që do ta ndryshojë botën

Ne kemi pasur përherë krizë të leximit, po sot duket se situata është më alarmante, përkundër të dhënës se, në dallim nga e shkuara, kushtet e shkollimit dhe të jetës janë përmirësuar dukshëm, kurse libri është më i arritshëm se kurrë. Askush nuk e mohon se mjetet bashkëkohore të komunikimit kanë bërë që të rinjtë e sotëm të kenë më shumë informacion se prindërit e tyre, ndoshta dhe për librin, po është e dukshme gjithashtu se, pjesa më e madhe e tyre, janë më të varfër shpirtërisht, sepse lexojnë më pak libra se brezat pararendës, sepse informacioni që kanë është i përciptë, i sipërfaqshëm, i paverifikuar dhe i rrëmujshëm. Me një fjalë, është informacion i tipit shkel-e-shko që nuk garanton dijen e nevojshme bazike, atë bagazhin e dijes së fjetur, që përbën mbështetjen më të mirë të profesionistit të  një fushe.

Me problemin në fjalë aktualisht përballen edhe Shqipëria e Kosova, ku ka pasur kulturë më të madhe leximi se sa ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Krizë e ka dhe bota, që gjithashtu nuk është si në kohën kur edhe në metro e autobusë shihje udhëtarë duke lexuar libra xhepi, të cilët rinia e sotme i ka zëvendësuar me telefonat inteligjentë dhe surfimet 24 orëshë nëpër universin e informacionit të gjithëllojshëm.

Shi për këtë kriza e leximit është bërë tema më serioze e institucioneve arsimore e kulturore, që kanë nisur prej vitesh të hulumtojnë shkaqet e rënies së pandalshme të interesimit të të rinjëve për librin, veçmas për librin letrar. Natyrisht, për shkaqe që mund të merren lehtësisht me mend, ne jemi shumë pas të tjerëve në këtë aspekt. Jemi në fazën e konstatimit të gjërave dhe pritjes së asaj që do të ndarmarrë bota e qytetëruar, e cila tani më e ka diagnozën dhe është në kërkim të gjetjes së ilaçit për sëmundjen e shekullit, mënyrat e ndaljes apo ngadalësimit të këtij trendi dhe, gjithsesi, qasjet e reja të mësimit/ studimit të letërsisë nëpër shkolla dhe auditore universitare.

Sado me vonesë, alarmi i përhapjes së analfabetizmit bashkëkohor dhe dëmeve që do të gjenerojë ai në të ardhmen, ka arritur edhe në veshin e shqiptarëve, që kanë nisur të flasin e shkruajnë për shkaqet që e sollën atë. Ndër to përmenden: rënia e nivelit të arsimit në të gjitha ciklet e shkollimit, mungesa e traditës së leximit dhe shijes estetike, mungesa e bibliotekave të hapura nëpër vendbanimet shqiptare, mungesa e bibliotekave shtëpiake, varfëria e bibliotekave shkollore, lektyrat jointeresante dhe të papërshtatshme për moshën e nxënësve, çmimet e larta të librit, orientimi kah literatura profesionale, zvogëlimi i aftësisë së nxënësve për t’u koncentruar për kohë më të gjatë në lexim, rritja e fëmijëve me përralla e lojëra elektronike, qëndrimi i gjatë para ekraneve televizive – filmat, serialet, show programet…, qasja pa kufi e nxënësve në rrjetet sociale – facebook, twiter, istagram… prej të cilëve nuk përfitojnë pothuajse asgjë të vlefshme për jetën e egër që i pret.

Në këso rrethanash, të rinjtë nuk e kuptojnë se s’ekziston asnjë medium tjetër që mund të ushqejë e kultivojë shpirtin më mirë se libri, të cilin gjithnjë e më shumë e konsiderojnë demode.

Ndaj, gjersa të gjendet një model tjetër shkolle, edukimi e arsimimi, të përshtatshëm me jetën e shekujve që vijnë, bota do të vazhdojë të popullohet me njerëz të traumatizuar, të  depersonalizuar, asocialë e devijantë, me njerëz të rritur e të formuar në botën virtuale, e cila nuk ka të bëjë fare me ferrin e jetës së vërtetë.

Së këndejmi, pavarësisht bindjeve që mund të ketë brezi i formuar si produkt libri, tani më edhe për ne është utopike ideja e ndreqjes së botës së re me almiset e botës në perëndim. Kjo përfundimisht është tjetër kohë dhe kërkon të tjerë njerëz.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button