Deskoska: Nuk ka më keqpërdorim të sistemit AKMIS në gjykata

Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska sot ka deklaruar se kontrolli që është bërë në gjashtë gjykata në vend ka treguar se nuk ka keqpërdorim të sistemit elektronik për shpërndarjen e lëndëve (AKMIS), njofton Portalb.mk.

“Nëse në vitin e kaluar kemi pasur raport që ka pasur një numër të parregullsive për atë se çfarë nënkupton keqpërdorim të AKMIS-it, këtë vit, komisionet tona kanë arritur të evidentojnë në gjashtë gjykata rezultate të cilat kanë qenë plotësisht kundër të asaj që e kemi pasur më herët, pra po respektohen rregullat e AKMI-sit, shpërndarja e lëndëve, që do të thotë se atë që e kemi vendosur në kornizë ligjore si bazë për shkarkim të gjykatësve dhe kryetarëve të gjykatave që nëse ndodh diçka jashtë AKMI-sit jep efektet e saja”, theksoi Deksoska.

Ajo tha se paraprakisht ka pasur raste kur kryetar i ndonjë gjykate të caktuar, në vend nëpërmjet AKMIS-it që i shpërndan lëndët me rastësi, ka shpërndarë lëndë në mënyrë manuale, gjegjësisht ua ka dhënë në duar, ndërkaq gjykatësit i kanë marrë.

“Tani as gjykatësi nuk mund të marrë, as kryetari nuk mund të japë lëndë në duar – jashtë sistemit automatik”, tha Deskoska.

Në lidhje me mosndërmarrjen e aktiviteteve për raportin e vitit të kaluar, Deskoska tha se po ndërmerren aktivitete, dëgjohen dëshmitarë, por edhe se do të kryhet ekspertizë nga ana e Prokurorisë Publike.

“Kjo çështje është për në Prokurorinë Publike, pasi që e di që disa informata janë kërkuar nga Bashkimi Evropian për këtë rast. Janë marrë aktivitete janë dëgjuar dëshmitarë dhe është kryer ekspertizë nga ana e Prokurorisë Publike, të gjithë e dini se procedurat hetimore nuk janë të shkurtra duhet të mblidhen dëshmi materiale, por edhe këtu ka zhvillim serioz që mund të rezultojë hapje të rastit në kohë të shkurtër”, shtoi Deskoska.

Ndryshe, Prokuroria Themelore Publike ende nuk ka konstatuar nëse është keqpërdorur sistemi për shpërndarjen e lëndëve gjyqësore AKMIS. Ndonëse ka një vit e gjysmë që Ministria e Drejtësisë e ka dorëzuar raportin nga kontrolli i sistemit AKMIS, Prokuroria ende vazhdon procedurën e mbledhjes së dëshmive.

Nga viti 2010 AKMIS, është operativ në të gjitha 34 gjyqet e Maqedonisë së Veriut, duke e zëvendësuar procesuimin manual të lëndëve. Nevoja për kontroll të sistemit AKMIS erdhi pasi që në raportin e Pribesë u tha se “ka perceptime se lëndët gjyqësore nuk janë duke u ndarë nëpërmjet Sistemit AKMIS”.

Në fund të vitit 2017-të Ministria e Drejtësisë e publikoi raportin që doli nga kontrolli i sistemit AKMIS. Pas kontrollit të bërë në Gjykatën e Apelit, është vërejtur se numri i madh i lëndëve gjyqësore nuk janë ndarë te gjykatësit e procedurës së caktuar për procedurë paraprake dhe se lëndët janë ruajtur në regjistër. Në Gjykatën Supreme është vërtetuar se lëndët janë ndarë në mënyrë manuale dhe se nuk ka qenë i formuar as grup punues për ndarjen e lëndëve. Në Gjykatën Themelore Shkupi 1 plani vjetor për menaxhim me lëndët gjyqësore është sjellë më vitin 2013 dhe për të njëjtin nuk është formuar trup punues, gjë e cila nënkupton se dhe këtu lëndët janë ndarë në mënyrë manuale. Edhe orari i punës në këtë gjykatë nuk ka qenë stabil, vetëm gjatë shtatorit të 2017-s i njëjti është ndryshuar tre herë.

Për manipulimin e sistemit u shkruajt edhe në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), të cilët i theksuan me emër dhe mbiemër kryetarët e Gjykatës Themelore të Shkupit dhe asaj Supreme, si të përfshirë në skandalin me AKMIS.

“Ka pasur rregulla të rrepta që e rregullojnë shpërndarjen e lëndëve, të realizuara nëpërmjet një sistemi elektronik të menaxhimit të çështjeve, në shtator, Prokuroria Publike e Shkupit ka marrë në pyetje disa persona, pasi një auditim i vitit 2017 ka zbuluar se sistemi i caktimit të gjyqtarëve për të trajtuar raste specifike ishte manipuluar. Mediat kanë njoftuar se prokurorët kishin thirrur ish “gjykatësin kryesues” të Gjykatës Penale të Shkupit, Vlladimir Pançevski dhe të Gjykatës Supreme të Drejtësisë Jovo Vangellovski”, thuhet në raportin e DASH për vitin 2018-të.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button