Emërimi i Eroll Musliut: Përplasje mes BDI-së, Stevo Pendarovskit dhe Zoran Zaevit

Vetëm 10 ditë pas marrjes së funksionit të presidentit, Stevo Pendarovski është përplasur me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), pas emërimit të Eroll Musliut, drejtor të Agjencisë së Inteligjencës. Sipas kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev duhet të shihen detajet e reagimet dhe të sqarohen shkaqet e emërimit dhe shkarkimit të mundshëm, transmeton Portalb.mk.

“Të gjitha reagimet duhet të merren seriozisht, kjo është pyetje për presidentin tonë. Bashkëpunimi është me karakter të shumëfishtë. Shumë parti politike qëndruan pas presidentit. Unë apeloj që të bisedojnë me partnerët, për shkak se krijojmë politika të përbashkëta, dhe duhet të bisedohet për të gjitha çështjet. Jo e rastësishme është reagimi, duhet të bisedohet, dhe në sajë të atij reagimi, duhet të shihen detajet, dhe të njëjtat duhet të pastrohen shkaqet dhe nevojat si për emërimin, por edhe me shkarkimin”, tha Zaevi në konferencë për media ku u nënshkrua memorandumi ndërmjet Qeverisës së RMV-së dhe një kompanie gjermane.

Reagimi i BDI-së ka qenë i menjëhershëm, pasi që dje u publikuan emrat e bashkëpunëtorëve dhe këshilltarëve të presidentit, të cilin e promovuan në fushatë zgjedhore si kandidat konsensual për president.

“Vendimi i djeshëm i presidentit Pendarovski për emërimin e drejtorit të Angjencisë së Inteligjencës na ka shqetësuar të gjithëve dhe hedh hije në ditën e djeshme kur Kuvendi e miratoi reformën në shërbimet e sigurisë. Informatat tona thonë se vendimi është marrë pa pasur informata të mjaftueshme dhe nuk ka qëllim të keq, megjithatë qëndrimi i BDI-së është se derisa nuk zbardhet rasti i Kumanovës, asnjë person i cili ka qenë pjesë e shërbimeve në atë kohë të mos vendoset në krye të institucioneve sensitive. Për atë presim që në periudhën e ardhshme presidenti të mbledhë informata më të mëdha dhe të reflektojë në lidhje me vendimin e tij”, tha z/kryeministri dhe zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Vendimin për drejtorin e Agjencisë, dje ka hezituar ta komentojë deputeti i BDI-së Artan Grubi, megjithatë ai ka deklaruar se lideri i tyre Ali Ahmeti ka qenë në kontakt me Pendarovski.

“Ahmeti ka pasur takim me Pendarovski dy ditë më parë dhe i kanë diskutuar të gjitha çështjet përfshirë edhe ato kadrovike dhe besoj që ka qenë shumë takim i frytshëm dhe në atë takim është biseduar edhe për këtë çështje”, ka deklaruar Grubi, pa precizuar nëse tani janë për apo kundër Eroll Musliut.

Nga Presidenca nuk ka asnjë deklaratë në lidhje me të njëjtën, ndërkaq nëpërmjet rrjetit social në Fejsbuk ka komentuar deputeti dhe nënkryetari i LSDM-së, Muhamed Zekiri.

“Bujari i shqetësuar a Artani dje ka thënë se kanë qenë të koordinuar me presidentin Pendarovski. BDI-ja mendon se vetëm poltronë mund të vendos në funksione. Jo bre njerëz duhet të kuptoni se ka njerëz me kredibilitet dhe profesionistë të cilët dikush di t’i vlerësojë. Çdo respekt për ekipin e presidentit Stevo Pendarovski”, shkruan Zekiri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button