Kosovë-Shqipëri, oferta të përbashkëta turistike

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit i Shqipërisë, Blendi Klosi, ka zhvilluar një takim zyrtar me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Endrit Shalën në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në takimin për të cilin të dy ministrat thanë se qëllim kishin diskutimet për krijimin e një oferte me destinacion të përbashkët turistik, ishin pjesëmarrës edhe kryetarët e disa bashkive bregdetare të Shqipërisë (Vlorë, Himarë, Durrës).

Ministri Shala tha se me homologun e tij u pajtuan për mundësinë e krijimit të ofertave të përbashkëta turistike.

“Diskutuam me Klosin edhe për mundësinë e krijimit të ofertave të përbashkëta gjatë prezantimit të ‘tour’-operatorëve tanë nga Kosova, por njëkohësisht edhe nga Shqipëria që turistëve ndërkombëtarë t’i qasemi me oferta të përbashkëta. Do të thotë, ata turistë të cilët janë të interesuar dhe pretendojnë ta vizitojnë Shqipërinë, në këtë rast detin shqiptar, njëkohësisht t’i ofrohet edhe paketa turistike që e kemi ne si Kosovë, do të thotë paketa turistike malore”, tha Shala.

Ministri Klosi, tha se dëshirojnë të ofrojnë turizmin më të bukur të Shqipërisë dhe të Kosovës duke theksuar se oferta e Shqipërisë dhe Kosovës nuk mund të pengohet nga barrierat administrative. Klosi tha se është e pafalshme që Kosova dhe Shqipëria të mos kenë politikë të përbashkët turistike.

“Folëm për përgatitjet që pushteti lokal ka realizuar në përgatitje të sezonit turistik dhe rëndësinë shumë të madhe që ne kemi që të dyja anët e bjeshkëve të jenë të hapura për të pasur një ofertë të përbashkët turistike. Ne e vlerësojmë shumë vizitën e qytetarëve të Kosovës në Shqipëri. Viti 2018 në Shqipëri ka shtuar një numër rekord vizitorësh me pasaporta joshqiptare që kanë hyrë në kufi. Numri ka shkuar në 6 milionë. Dhe është një rritje 20 për qind në krahasim me vitin 2017 ku kanë qenë vetëm 5 milionë”, tha Klosi.

Në pyetjen e AA-së rreth shifrave të vizitorëve nga Shqipëria në Kosovë dhe vizitorëve kosovarë në Shqipëri, Klosi tha se viti 2018 ka shënuar rritje të kosovarëve që kanë qëndruar më shumë se 24 orë (kohë që llogaritet turist një i huaj), në Shqipëri me 2 milionë e 88 mijë shtetas nga Kosova. Në vitin 2017, siç tregoi ministri shqiptar, kjo shifër ishte 1 milionë e 700 mijë.

Ndërsa ministri Shala tha se “gjatë një viti në Republikën e Kosovës janë diku mbi 4.9 milionë vizitorë, prej tyre 26 për qind nga Republika e Shqipërisë që i bie diku përmbi 800 mijë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button