Hidrocentralet e reja rrezik për lumenjtë e Sharrit, Kozhufit dhe Jakupicës

Leje të reja për ndërtim të hidrocentraleve të vogla janë planifikuar në zonat e mbrojtura malore, pavarësisht përpjekjeve të shtetit për të mbrojtur natyrën dhe mjedisin jetësor. Aktivistët e shoqatave ekologjike alarmojnë se zgjedhja e lokacioneve është në kundërshtim me një sërë dispozitash ligjore vendore dhe ndërkombëtare, transmeton REL, përcjell Portalb.mk. 

Shtatë hidrocentrale të vogla do të ndërtohen në lumenjtë e maleve Sharr, Kozhuf dhe Jakupicë, male të cilat janë propozuar për t’u shpallur parqe kombëtare. Qeveria ditët e kaluara i ndau koncesionet pavarësisht sugjerimeve të shoqërisë civile se me një veprim të tillë do të rrezikohen nga shkatërrimi ekosisteme të tëra me vlera të veçanta ekologjike dhe biologjike.

Qeveria ka ndarë gjithsej 18 koncesione nga tenderi, i shpallur më 3 janar të këtij viti, me të cilin ishin planifikuar 22 hidrocentrale të vogla. Janë refuzuar vetëm tre oferta, ndërsa sugjerimet e organizatave të shoqërisë civile ishin se 11 nga lokacionet e propozuara për koncesione janë në zona të mbrojtura dhe se thirrja është në kundërshtim me ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe me rekomandimet e Parlamentit Evropian dhe Konventës së Bernës.

Qeveria vendosi tre hidrocentrale të vogla të ndërtohen në malin Sharr, dy në Kozhuf dhe dy në Jakupicë. Janë refuzuar ofertat për ndërtim të projekteve të tilla në Parqet Kombëtare Mavrovë dhe Pelister dhe një në Jabllanicë.

“Shtatë nga tetë lokacionet gjenden në zona të cilat janë propozuar për parqe kombëtare, ndonëse ende s’janë në përputhje me legjislacionin kombëtar, megjithatë këto zona janë zona Emerald, të cilat janë dorëzuar zyrtarisht në Konventën e Bernës si zona të mbrojtura dhe sipas Konventës, të cilën ne si shtet e kemi nënshkruar, kemi detyrim për t’i mbrojtur ato”, thotë Ana Çolloviq Leshoska nga Qendra për hulumtim dhe informim “Eko-svest” (“Eko-vetëdija”).

Aktivistët ekologë reagojnë se përveç shkeljes së ligjeve kombëtare dhe evropiane, ndërtimi i këtyre projekteve infrastrukturore do të shkaktojë çrregullim të përhershëm të ekosistemeve në zonat e mbrojtura.

Praktika e papërshtatshme, thonë ata, mund të shihet në shembullin e hidrocentralit të vogël në lumin e Krapit në Jakupicë, i cili gjithashtu është zonë Emerald, ku gjatë vizitës në terren janë konstatuar “një seri shkeljesh ligjore, mungesë e praktikave të mira ndërtimore dhe shkatërrim i përhershëm i ekosistemeve dhe lumit “.

Ndërtimi i një hidrocentrali të vogël në lumin e Krapit në Jakupicë, që është zonë Emerald. “Eko-svest.”
Nga “Eko-svest” thonë se, për zhvillimin e ri i situatës me ndërtimin e mëtutjeshëm të hidrocentraleve në zonat e mbrojtura, do ta informojnë Komunitetin energjetik dhe Sekretariatin e Konventës së Bernës.

Organizata thekson se koncesionet e reja janë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për natyrën, por që gjithashtu nuk merren parasysh parimet për menaxhim me pasuritë natyrore, në përputhje me Planin hapësinor për periudhën 2002-2020, ndërsa injorohen paralajmërime për ndikimin e hidrocentraleve të vogla, mbi mjedisin jetësor, të shënuara në Strategjinë kombëtare për ruajtjen e natyrës, se i kërcënojnë zonat Emerald dhe zonat e ardhshme Natyre 2000 – në kundërshtim me rekomandimet e Konventës së Bernës dhe rezolutën e Parlamentit Evropian të nëntorit 2018.

“Edhe pse koncesioni për hidrocentralin e vogël në lumin Zhirovnicë në PK Mavrovë nuk është ndarë në këtë thirrjeje, Qeveria nuk u desh të ndajë edhe 10 centralet tjera për të dëshmuar se angazhimi për mbrojtjen e natyrës dhe mjedisit jetësor nuk është vetëm deklaratë në letër, por angazhim i vërtetë i institucioneve tona”, thonë nga “Eko-Svest”.

Aktivistët thonë se Qeveria ka refuzuar të pranojë ndërtimin e hidrocentralit të vogël në Jabllanicë, me arsyetim se është propozuar që të shpallet park kombëtar dhe për këtë arsye, siç theksojnë, s’ka logjikë të ndahen koncesione për lokacione tjera që gjithashtu janë propozuar për parqe kombëtare.
Jablanica është propozuar për park kombëtar dhe për të ka një studim për valorizim që duhet të plotësohet që pastaj zona të shpallet, njëlloj si mali Sharr i cili është në fazë më të avancuar, por aktivistët thonë se problemi është që njëkohësisht ekziston “zonë gri” e cila mundëson ndërtimin e projekteve infrastrukturore në zonat me biodiversitet të lartë.

Aktualisht në territorin e Maqedonisë janë ndërtuar 9 hidrocentrale të mëdha dhe mbi 70 të vogla, të cilat janë funksionale, por organizatat e shoqërisë civile theksojnë që sipas koncesioneve të lëshuara ky numër do të rritet në rreth 120 hidrocentrale, ndërsa një e treta e tyre janë në zona që bien nën ndonjë lloj të mbrojtjes.

“Tashmë kemi dëshmuar, me disa studime të cilat i kemi realizuar, duke përfshirë hulumtimin e statusit ekologjik ose shëndetit të lumenjve, të cilët veç më janë objekt i hidrocentraleve, ku gjetjet shkencore tregojnë qartë se ekosistemi i lumit pas këtyre aktiviteteve është thjesht i vdekur”, thotë Çolloviq Leshoska.

Rrjeti i organizatave të shoqërisë civile nga rajoni dhe Evropa si “HCC Benkvoç” iu bashkëngjitën fushatës “Shpëtimi i zemrës kaltër të Evropës”, pas informatave se i gjithë rrjeti i lumenjve në Ballkan është i rrezikuar nga planet për ndërtim të më shumë se 2.700 hidrocentraleve.

Ata gjetën se një numër i madh i projekteve në zonat e mbrojtura janë bërë me shkelje të standardeve kombëtare: tharje të lumenjve, bllokim të rrugëve të peshqve dhe ekosistemeve lumore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button