Udhëtarët e kanë vlerësuar me tresh cilësinë e shërbimeve në trenat e Maqedonisë

Udhëtarët në trenat e Maqedonisë kanë vlerësuar se vitin e kaluar kushtet për udhëtim janë përmirësuar në krahasim me vitin 2017. Cilësia e shërbimeve që u ofrohet qytetarëve gjatë udhëtimit me Hekurudhat e RSM – Transporti është 3.01, thuhet në Raportin vjetor për funksionimin e Agjencisë për rregullim të sektorit hekurudhor për vitin 2018. Sondazhi, që është realizuar me udhëtarët në trena, tregon se ata më së shumti ankohen për higjienën e dobët në objektet sanitare (2,41) dhe higjienën në vagonë ​​(2,77), shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Kundrejt kësaj, udhëtarët konsiderojnë se trenat janë mjaft të ndriçuar (4.82) dhe të shënuar mirë (4.34). Përkundër përmirësimit të vlerësimit të përgjithshëm për cilësinë e trafikut hekurudhor për udhëtarë, këta të fundit vitin e kaluar janë ankuar për informacionet e pakta që i marrin, për të drejtat e tyre, nga kompania e transportit hekurudhor. Madje 56% e të anketuarve kanë theksuar se s’kanë qenë të informuar për të drejtat e tyre si udhëtarë, 30% kanë qenë të informuar pjesërisht, ndërsa vetëm 14% kanë qenë plotësisht të informuar.

Anketën, një herë në vit, e realizon Agjencia për rregullimin e sektorit hekurudhor në trenat që qarkullojnë në të gjitha relacionet e trafikut vendas. Përmes pyetësorëve të strukturuar merren informacione për respektimin e të drejtave të udhëtarëve. Vite me radhë, udhëtarët më së shumti ankohen rreth problemeve të njëjta – oraret nuk iu përshtaten nevojave të tyre dhe shërbimi është jo cilësor.

Meta qysh para 2 muajsh pat shkruar se udhëtarët dhe ekspertët kanë mendime të ngjashme për të përmirësuar trafikun hekurudhor për udhëtarë. Përveç se duhen më shumë trena në të gjitha destinacionet, në Shkup patjetër duhet të lëshohet në qarkullim bileta e kombinuar për tren dhe transport publik, të bëhet ndryshimi i çmimeve të biletave fikse, të mundësohet blerja e biletave në internet dhe të krijohet aplikacion për telefonat e mençur që do t’i informojë udhëtarët për orarin dhe të drejtat e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button