SHBA shpalosi një pjesë të planit për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez

Shtetet e Bashkuara do të mbajnë një konferencë ndërkombëtare në Bahrejn, gjatë së cilës do të zbulojnë pjesën e parë të planit të presidentit amerikan, Donald Trump, për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez.

Konferenca e 25 dhe 26 qershorit do të nxjerrë në pah përfitimet ekonomike që do t’i sillte fundi i konfliktit, transmeton REL.

Aspekti ekonomik i planit të paqes parashikon investime në shkallë të gjerë dhe projekte infrastrukturore në territoret palestineze.

Por, elementet kryesore politike mbeten kryesisht të panjohura dhe konferenca në Bahrejn nuk pritet t’i trajtojë pjesët më kontestuese të konfliktit: kufijtë, statusin e Jerusalemit, refugjatët palestinezë dhe sigurinë e Izraelit.

Trump e ka cilësuar planin e tij si “marrëveshje të shekullit”, por zyrtarët palestinezë i kanë kritikuar përpjekjet e Shteteve të Bashkuara, duke thënë se ato e favorizojnë Izraelin – aleat kyç i SHBA-së.

Ekipi i Trumpit për Lindjen e Mesme udhëhiqet nga dhëndri i tij, Jared Kushner.

Zyrtarët palestinezë thanë se nuk do të marrin pjesë në konferencën e Bahrejnit apo në përpjekjet e SHBA-së për paqe.

Zyrtarët palestinezë i kanë bojkotuar këto përpjekje që nga fundi i vitit 2017, kur Trump ka bërë një kthesë të madhe në politikën amerikane, duke e zhvendosur ambasadën e SHBA-së nga Tel Avivi në Jerusalem dhe duke e njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Palestinezët e duan Jerusalemin Lindor për kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button